“Skënderbeun” e dua në të mirë e në të keq!

544
Sigal

Prof. Dr. Xhevdet ZEKAJ

Futbollin e bukur të Skënderbeut e dua në të mirë e në të keq!

(Në vend të një urimi për Festat e Fundvitit)

Fundjavën që kaloi isha në Korçën e bukur, e shenjtë dhe qytetare!  Vazhdova dhe festova festën edhe dje në darkë Krishtlindjet, një traditë e mrekullueshme, që shijohet vetëm në Korçë.

Takova shumë miq e shokë, qytetarë por pak fansa, ata kishin humbur atë shkëlqimin e gëzimin e tyre, sepse Skënderbeu i tyre nuk ishte ai i pari! U ndjeva keq dhe po hedh këto dy rreshta, sepse edhe mua më mungon Fk Skënderbeu evropian, i cili, edhe përse luan bukur është në rënie të lirë. (Tmerrohem kur kujtoj Dinamon time në 2012-n, kur punoja si zëdhënës shtypi).

Çfarë ka ndodhur sot, përse gjithë ky shqetësim?  Mendoj se: Fk Skënderbeu pas shumë vitesh nuk është në krye të renditjes! Sepse ai vazhdon të jetë në kaos psikologjik me dënimin? Sepse mund të ketë problem financiar apo pagesa të vonuara? Sepse korçarët u mësuan vetëm me fitore dhe tashmë u duket tmerr që po humbet pak ndeshje. Dhe si traditë që ka shqiptari rroftë mbreti, poshtë mbreti, nëse pak ndihesh apo je keq, prit shkelmin të të shtyjnë drejt greminës.

Prandaj sot jam më shumë se kurrë tifoz i Fk Skënderbeut! I Fk Skënderbeut të viteve 2014-2018!

Jam me Fk Skënderbeun e grupeve, me Fk Skënderbeun e një futbolli total alla shqiptar! Po, kam qenë e jam me futbollin e Fk Skënderbeut të korçarëve dhe jo të zuzarëve!

Sot ndihem mirë e jam fans me Fk Skënderbeun e Shkëmbit, Osmanit, S. Lilajt, Arapit, Muzakës, D. Xhafës, Radasit, Berishës, Oliankës, Prognit, Orelesit, E. Fagut, Micit, Vangjelit,  Latifit  por edhe i Ilir Bozhiqit, Shpëtim Duros, Mirel Josës, Ilir Dajës dhe tashmë i Orges Shehut e “Ujqërve të Dëborës” dhe shumë të tjerëve që për disa vite ishin, a thua jashtëtokësorë për Shqipërinë.

Natyrisht edhe Fk Skënderbeut të Ridvan Bodes, Niko Peleshit, Zeqos, Takajt e të tjerë!

Sot jam me Skënderbeun, sepse është në gjendje jo të mirë, është i dënuar, është i pa mobilizuar, është me rezultate të dobëta, edhe përse me Bregun, Ditën, Vangjelin, Alitin, Radasin, Teqjan, Krasniqin Dembe, Xhon e të tjerë luan futboll të bukur, dhe unë dashuroj futbollin, dashuroj të bukurën, dashuroj futbollin e shqiptarëve jo atë të zuzarëve, aspak për  futbollin biznes, prandaj sot jam me Fk Skënderbeun e korçarëve!

Ashtu, siç kam qenë me Tiranën, Vllazninë, Besën, Elbasanin, kur kanë qenë në kategorinë e parë dhe në vështirësi.

Ashtu si kam qenë e ndjekur Partizanin në kategori të dytë, dhe jo këtu afër por edhe në Bilisht, edhe në fund të Shqipërisë!

Ashtu si jam përlotur e ndjekur me zemër të ngrirë Flamurtarin në Kategori të parë!

Kush, gëzon, mallkon, anatemon, sulmon, tradhton sot FK Skënderbeun, nuk do futbollin, por është i vockël!

Sot jam tifoz i Fk Skënderbeut! Pak më intereson se si do më etiketojnë! Ai Skënderbe që na jepte emocione pa fund!

“Ujqër të Dëborës” korçarë e futbolldashës. Zoti i Madh na mëson: NDODH QË RRËZOHESH, PENGOHESH, SULMOHESH, BIE, por kjo nuk do të thotë se humbe apo të dorëzohesh!

Rrëzimi, pengimi të bëjnë më të fortë kur të ngrihesh, mjafton të besosh dhe ëndërrosh!

E në këtë krishtlindje uroj që FK Skënderbeu të rikthehet, jo vetëm kundër Partizanit, Flamurtarit, Kamzës, të ringrihet për futbollin e bukur, për të mbushur stadiumet, për vendin e 158 në klasifikim klubesh në Evropë, për atë qytet të mrekullueshëm si Korça-apo Paris i Vogël!

Fundjavën e shkuar në Korçë mungoje me shkëlqimin tënd Fk Skënderbe, ishe i plagosur as Ilir Jano, as Pavlina Evro, as Muharrem Meko, as Hektor Kapllani, as Venera Millo, as Tatiana Marashi, as Pandi Gjata, Orges Shehi, Sabien Lila tek Sophia, Robert Stratoberdha, Petrika Balliu dhe as e as e as nuk ndiheshin mirë. Prandaj kthehu! Kthehu edhe përse je i dënuar nga Evropa plakë e ku…, U mungoje dhe mendo si ndihen ata, “Ujqërit e Dëborës”! Ata që babagjyshit nuk i duan dhurata, por i luten për rikthimin tënd! Ata që harrojnë se janë pa punë, pa lekë, pa shtet, pa mirëqenie, pa alternativa dhe që javën e jetonin me ty Fk Skënderbe!

Dhe kjo dhimbje për mua është edhe më e madhe kur Vllaznia vazhdon në Kategori të Parë, Tirana me probleme, Elbasani në kategori të dytë dhe vajmedet, o futboll!

Natyrisht Partizani im është në vend të parë, nuk është keq, por ju e bëni plot shkëlqim Superioren, edhe Flamurtari do i marrë rrogat e do kthehet fuqishëm, edhe Tirana do dalë nga kriza, por Kukësi Teuta kanë nevojë për KF Skënderbeun, klubin evropian të një vendi rrumpallë me një klub me parametra evropiane apo jo Harris Fakiç?

Forca futbolli i korçarëve!

Forca futbolli i shqiptarëve!

Poshtë futbolli i zuzarëve!

Sot nuk ndihem tradhëtor, nëse them: Po, po sot jam tifoz me Skënderbeun!

Sepse ai po tradhtohet nga shumë! Nga ata që i lëpiheshin e lumturoheshin me triumfin e tij!

Forca FK Skënderbe, edhe përse deri tani je treguar Skënderbe vetëm me Partizanin, Flamurtarin e Kamzën!