Komedia “Boeing Boeing”, shfaqja e jashtëzakonshme në Teatrin Kombëtar Eksperimental

1933
Sigal

“Boeing Boeing” cilësuar si komedia e jashtëzakonshme u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për pesë net me radhë për publikun shqiptar. Komedia u shfaq në datat 21-22-23-24-25 në sallën Moliere të Teatri eksperimental. Pjesa me autor Marc Camoletti e përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera pati një sukses të madh por të pritshëm gjatë shfaqjes së saj. Interesi ishte i lartë për “Boeing Boeing” dhe publiku nuk mbeti i zhgënjyer nga performanca e aktorëve apo dhe përmbajtja e skenarit. Kjo vepër tregon aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Regjisori Kiço Londo ka zgjedhur kastin e aktorëve Amos Mujo Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Andia Xhunga dhe Linda Jarani. Regjisori Londo tregon se pas kërkesave të mëdha të publikut komedia rikthehet në skenë. “Komedia “Boeing Boeing” rikthehet në skenën e teatrit për publikun. Pas suksesit që pati me sallën plot në teatër, kërkesave të njerëzve për bileta për të parë shfaqjen, ku më herët netët e saj u mbyllën me sallën plot ne vendosëm ta rikthejmë në Teatrin Kombëtar Eksperimental”, pohon regjisori Kiço Londo. Regjisori, premierën nuk e prezantoi në fillim në skenat e Tiranës si ndodh zakonisht, por në teatrot e qyteteve. “Boeing Boeing” është një shfaqje e rajonit Durrës- Lezhë dhe me shumë sukses është dhënë më parë në sallat e teatrove në Durrës, Elbasan, Fier, Tiranë, Shkodër dhe Korçë. Vepra, e cila erdhi e përkthyer nga Nasi Lera është me skenografi nga Genta Qyrku, kostumografe Realda Malo dhe art-design Klea Mani. Aktive në skenën e teatrit këtë herë aktorja Alessia Xhemalaj erdhi si stjuardesa Zhaklin, një vajzë plot jetë shumë aktive dhe e mbushur me dashuri për të fejuarin e saj. “Qëllimi i saj është familja dhe dëshiron të martohet sa më parë për të qenë në krahët e Bernardit. Bashkë me regjisorin Kiço Londo jemi përpjekur ta sjellim personazhin me shumë elegancë, sharm dhe autoritet në të njëjtën kohë”, thotë aktorja Xhemalaj. Kjo shfaqje ishte një nismë e re e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, i cili ka ngritur teatrin e Rajonit për t’i shkuar sa më pranë shqiptarëve.

Vepra në skenë

Ngjarjet ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dalë nga situata falë mikut të tij, Robert.

Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbejë dy çmime, Tony Award në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit.