Sigal

Skënderbeu arriti një fitore shumë të rëndësishme përballë Flamurtarit në ndeshjen më të fortë të javës së 13-të të Superligës. U deshën pothuajse 90 minuta që korçarët të shënonin golin e fitores, pikërisht në momentin kur u mendua se sfida do të mbyllej pa gola. Ka qenë rrjeta e vlonjatit Dejvi Bregu, i cili ka ndëshkuar ish-skuadrën e tij Flamurtarin, ajo që i dha suksesin 1-0 kampionëve në fuqi. Kthim i hidhur i Ilir Dajës në Korçë, aty ku tekniku u shpall kampion sezonin e kaluar, teksa ekipi i tij aktual Flamurtari bie pas pesë ndeshjesh radhazi pa humbje.

Pjesa e parë nisi me një rast mjaft të diskutueshëm. Batha goditi me kokë, por Teqja e ndali topin, duke e rikthyer në lojë. Bushiç arriti që ta kontrollonte dhe të shënonte, por anësori sinjalizoi pozicion jashtë loje. Protesta nga miqtë, por që ishin të pavlefshme. Në 30 minutat e para kuqezinjtë ishim mjaft kërkues dhe ushtronin shumë presion, duke i vënë vendasit në vështirësi në disa raste. Më pas ishte radha e Skënderbeut që të krijonte disa raste të rrezikshme, me Bregun që pa në disa tentativa radhazi Koliçin ta ndalte. Pjesa e dytë nisi me të njëjtën fytyrë si fundi i fraksionit të parë. Skënderbeu ishte më agresiv, ndërsa vlonjatët e kishin paksa të vështirë që të bënin diçka para, ndonëse në disa raste tentuan të rrezikonin përmes kundërsulmeve. Në të 63-ën Krasniqi pretendoi për një ndërhyrje të parregullt nga Mustafa në brendësi të zonës së vlonjatëve, por ndante të njëjtin mendim gjyqtarët, duke e konsideruar ndërhyrjen e rregullt. Në minutat e mbetura lodhja ishte e dukshme, me skuadrat që kishin harxhuar shumë energji. Bushiç krijon një situatë të rrezikshme pak minuta para fundit të kohës së rregullt, por edhe pse topi devijohet nga Aliti, Teqja devijon në këndore, duke larguar një rast mjaft të rrezikshëm. Bregu mendon për të entuziazmuar tifozët në stadiumin e Skënderbeut. Vlonjati ndëshkon ish-skuadrën e tij, pasi shfrytëzon mjaft mirë një harkim të Vangjelit. Festë e anësorit, i cili, edhe pse i dëmtuar luajti me injeksion dhe u dha pikë të plota “ujqërve të dëborës”.

Ky sukses i jep mundësinë Skënderbeut t’i rrijë ngjitur Partizanit, në kuotën e 29 pikëve pas 13 javësh.

Partizani-Laçi

Partizani vijon marshimin në krye të tabelës, pasi mposhti Laçin me rezultatin minimal 1-0, në sfidën e luajtur këtë pasdite në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit. Që nga minuta e parë ishin vendasit ata që kontrolluan ndeshjen, por e kishin shumë të vështirë të krijonin mundësi goli ndaj një Laçi që mbrohej në mënyrë të organizuar.

Pjesa e parë ishte e vakët dhe pa shumë momente kulmore, por pas pushimit skuadrat dalin më të karikuara nga dhomat e zhveshjes. Dhe në minutën e 62’ erdhi goli i vetëm i takimit. Ishte Bardhi ai që shënon me kokë nga brenda zonës. Ky ishte goli i tretë në këtë sezon për talentin e kryeqytetasve. Laçi mundohet të reagojë dhe shpërdoron një mundësi të mirë me Elvi Berishën, por goditja e tij pritet mrekullisht nga portieri Alban Hoxha. Ishte pikërisht Berisha që në minutën e 84’ bën një ndërhyrje brutale ndaj kundërshtarit duke dalë me karton të kuq të menjëhershëm. Situata tensionohet në minutat e fundit, me miqtë që vazhdonin të bënin ndërhyrje të ashpra në dëm të vendasve.

Partizani mori fitoren e 10-të të sezonit dhe ndodhet e vetme në krye të renditjes me 31 pikë, dy më shumë se ndjekësit më të afërt të Skënderbeut.