Ballina Reportazh Speciale/ Pranë arbëreshëve në Kalabri

Speciale/ Pranë arbëreshëve në Kalabri

769
Sigal

Ka një kureshtje të natyrshme për këdo viziton viset arbëreshe në Itali, ku gjendet një histori gjysmë mijëvjeçare shqiptare. Midis këtyre kodrinave ku mbretëron qetësia, fshehur mes vreshtave dhe ullishtave ngrihen shtëpitë e Shën Miter Koronës dhe Maqit, dy prej fshatrave më të njohur arbëreshe të Jugut të Italisë. Një sfond i pashtershëm, historie e melankolie, jetë e fatesh arberëshesh. Por, qetësia e Shën Mitrit sot është prishur dhe qindra arbëreshë janë mbledhur nga të katër anët e Kalabrisë për një ngjarje historike.

Në vitin mbarëkombëtar të heroit tonë Skënderbeu, presidentët Meta e Mattarella kanë zgjedhur të takohen pikërisht në Shën Miter Koron, të Kalabrisë tek Kolegji i famshëm i Shën Adrianit, atje ku studioi e dha mesim Jeronim De Dada, jo thjesht poeti që e përfaqëson botën arbëreshe, por edhe imazhi i saj, me rrënjet në humusin e një atdheu të kërkuar, idealizuar e mandej të krijuar.

“Unë jam një arbereshe, por njoh gjuhën shqipe. Jemi të kënaqur sepse është një fat i mire”, tha një arbëreshe.

“Jemi të gëzuar që vjen presidenti i Shqipërisë dhe presidenti jonë”, tha një tjetër arbëresh.

I pari që vjen, nën masa të forta sigurie është Presidenti Sergio Mattarella, e mandej arbëreshet i urojnë mirëseardhjen presidentit shqiptar Ilir Meta, i cili bashkë me homologun italian e mbajtën fjalën për një takim të përbashkët në vendin simbol të ruajtjes së identitetit shqiptar atëhere kur Shqiperia nuk ekzistonte.

Ilir Meta: Jam shumë i lumtur të jemi sot së bashku me mikun e shqiptarëve dhe të arbëreshëve, me Presidentin Mattarella, këtu në Kolegjin e Shën Adrianit, në Shën Mitër Korona, në djepin e arsimit dhe kulturës arbëreshe. Faleminderit i dashur President Mattarella për vëmendjen e veçantë që ju i kushtoni këtij komuniteti dhe marrëdhënieve tona. Jemi pikërisht këtu në gjurmët dhe trashëgiminë e të madhit De Rada, i cili ishte mësuesi i parë i “Katedrës së Gjuhës Shqipe” dhe një nga themeluesit e “Rilindjes Shqiptare” këndej dhe andej Adriatikut. Popujt tanë nuk i bashkon vetëm deti, por historia jonë e hershme dhe moderne. Dëshmia më e gjallë dhe modeli më i mirë i kësaj bashkëjetese të përjetshme janë arbëreshët, për të cilët jemi gjithmonë krenarë dhe mirënjohës. Në udhëtimin e përbashkët historik mijëra vjeçar, kemi një moment kulmor të marrëdhënieve tona që përkon me “Epokën e Skënderbeut”, e cila ishte përcaktuese jo vetëm për fatin tonë si popull dhe komb, por edhe për vetë fatin e Europës. Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për 25 vite me radhë, jo vetëm mbrojti lirinë e kombit tonë, por u bë dhe mburojë për mbarë krishterimin dhe qytetërimin europian.

E gjithe fjala e Presidentit shqiptar ishte një falenderim i përzemert për komunitetin arbëresh që edhe pse larg mëmëdheut krijoi dhe mbajti gjallë identitetin kombëtar, dhe sot pas 550 vitesh, ruan me dashuri e fanatizëm gjuhën, kostumet, ritet, traditat e besimin fetar. Një falenderim për arbëreshet e  mëdhenj, që nga Lekë Matranga e Nikollë Keta deri tek De Rada, Gavril Dara, Skiroi Serembe, e Terenc Toçi

Ilir Meta: Ndërkohë, një falënderim të madh ia kemi Italisë dhe popullit italian, për mikpritjen, por mbi të gjitha për mbështetjen e pakushtëzuar që ju ka dhënë dhe vazhdon t’u japë arbëreshëve të Italisë, për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave të tyre. Është në interesin e dy popujve dhe vendeve tona të promovojmë këtë komunitet të vjetër dhe me vlera unikale, si pjesë e pandashme e trashëgimisë historike shqiptare, italiane dhe europiane.

Shembja e diktaturës së egër komuniste në fillim të viteve 90-të provokoi një eksod tjetër masiv për shqiptarët. Dhjetëra mijëra qytetarë vërshuan me anije të mbingarkuara, në kërkim të lirisë, fatit dhe të një jete më të mirë në Italinë fqinje. mShteti dhe populli mik italian hapi dyert për t’i mirëpritur, ashtu siç kishte bërë 5 shekuj më parë me arbëreshët tanë. Italia mbetet mikpritësi i njërit prej komuniteteve më të mëdha e më të mirëintegruara të emigrantëve shqiptarë jashtë atdheut. Italia ka qenë pranë nesh në të gjitha momentet kyçe të historisë sonë.

Po kështu jam i bindur se kjo vizitë e përbashkët me Presidentin Mattarella nuk shënon veçse një fillim të ri të angazhimit të përbashkët në emër të dy vendeve për ruajtjen e kësaj trashëgimie unike që ju përfaqësoni për të dy vendet tona dhe për Europën.

Tek lidhjet e forta e historike e vuri theksin edhe presidenti Mattarella, i cili  permendi dy korifenj arbëreshë, Francesko Krispin dhe Antonio Gramshin, pa harruar edhe studentët e Shen Adrianit që iu bashkuan trupave të Garibaldit, i ashtëquajtur nga poetët arbëresh si Skënderbeu këmishëkuq.

Sergio Mattarella: Përfshirja e pasardhësve shqiptare në (Mëmëdheun e ri) krijoi një lidhje të ngushtë, të pandashme të ngjarjeve historikeve të dy vendeve tona. Një gërshetim që frymëzoi poetin Zef Serembe, i cili shkruan “një luftëtar i madhërishëm me këmishë të kuqe barazohet me tonin Skënderbe). Heroi Kombëtar Shqiptar është quajtur shpesh dhe “Garibaldi i Shqipërisë”. Ngjashmëri që e bën këtë përkujtim edhe më kuptimplotë. Si Garibaldi për Italinë Skënderbeu nuk që vetëm protagonist i bashkimit kombëtar, por me kalimin e kohës u kthye në simbol të krenarisë kombëtare. Një simbol në të cilin “populli i Shqiponjave” identifikohet, edhe jashtë kufijve shqiptare. Ai mbrojti pareshtur vlera dhe parime, të cilat ruajnë dhe sot një aktualitet të patundshëm: pranimi i diversitetit, respekti i identitetit të individit, si pikënisje për ndërtimin e një identiteti kombëtar që përcillet në breza dhe përfshin, duke vlerësuar specifikën e gjithkujt.

Presidenti Mattarella nderoi jo vetem 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, por edhe një amalgame historike, një komunitet të vendosur prej 5 shekujsh që në arrati nga pushtimi otoman gjetën atdheun e dytë, duke u integruar më së miri. Populli i gjakut të shprishur që dhe sot e mban lart frymën dhe vetëdijen shqiptare.

Sergio Mattarella: Arbëreshët përbëjnë një histori integrimi dhe mikpritje që ka pasur sukses të plotë, një shembull se si njohja dhe respekti reciprok i kulturave sjell rritje për territoret dhe Shtetet ku jetojnë komunitetet e ndryshme. Ruajtja e origjinës së lashtë, ndikimi reciprok, përzierja harmonike e gjuhës, kulturës dhe traditave, kanë qenë për shekuj dhe janë ende “vlera e shtuar” e këtyre komuniteteve. Realitete që luajnë një funksion thelbësor lidhës midis dy “popujve përballë”, siç u referohemi shpesh shqiptarëve dhe italianëve. Kësaj amalgame historik i është shtuar, duke e pasuruar dhe përforcuar, kontributi i shqiptarëve që, në kohë më të afërta, kanë zgjedhur të vijnë në Itali për studime ose punë. Një komunitet me rreth gjysmë milioni njerëz që kanë kërkuar dhe gjetur në këto vite mundësi për integrim. Këtë e dëshmojnë, ndër të tjera, 112 000 nxënësit shqiptarë në shkollat italiane, 10 000 studentët universitarë të angazhuar në universitetet tona dhe dhjetëra mijëra veprimtarive e sipërmarrësve, të ndërtuara nga qytetarë shqiptarë.

Italianët me origjinë shqiptare dhe shqiptarët e Italisë janë dy anët e një medalje të çmuar. Ajo përcjell kontributin e jashtëzakonshëm që gjatë 500 viteve të fundit ka ardhur nga Shqipëria për zhvillimin social, civil, kulturor dhe ekonomik të Italisë. Një kontribut që, në mënyrë reciproke, shfaqet edhe me anë të pranisë gjithnjë e më të rëndësishme italiane në “Tokën e Shqiponjave”, vend i mundësive të reja për qytetarët italianë që shkojnë atje në numër të madh.

Matteo Mandala: Mesazhet që solli zoti Meta ishin me rëndësi, por ajo që më çuditi më shumë ishte mesazhi i Presidentit të Italisë, i cili ka folur me një gjuhë që nuk e kishim dëgjuar më parë këtu në Itali. Mattarela tregoi që kishte një trashëgimi vetiake, personale. Babai i presidentit italian ka shkruar një libër në vitet 50, që i kushtohet një nga personalitetet me të shquar të kulturës arbëreshe, At Gjergj Guceta, që ishte themeluesi i albanologjisë moderne arbëreshe.

Nga kolegji ku u shkolluan, veç Jeronim De Radës shumë mendje të ndritura të Rilindjes Italiane, si Domeniko Mauro e Paskuale Skura por edhe Luigj Gurakuqi e Kolë Kamsi, gjuhëtar dhe autor i Fjalorit Arbërisht -Shqip Kreu i shtetit Italian dhe mesazhe të çmuara për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sergio Mattarella: Trashëgimia e jashtëzakonshme që Skënderbeu ka lënë nuk duhet të humbet, sot po ndihmojmë ta ruajmë atë dhe kjo duhet të bëhet pikërisht nga gjeneratat e reja të vendeve tona. Në këtë drejtim, dëshiroj të përgëzoj Gjimnazin e Shën Mitrit për nismat e tij largpamëse.

Vetëm nëse ushqehemi me rrënjët tona, duke shoqëruar këtë me respektin dhe hapjen ndaj atyre të të tjerëve, mund të vazhdojmë me vendosmëri dhe qetësi rrugën drejt së ardhmes.

Një e ardhme në të cilën – jam i bindur – Shqipëria do të jetë gjithashtu pjesë përbërëse e Bashkimit Europian, pas hyrjes në komunitetin euroatlantik. Ky është një qëllim, i rëndësishëm për të gjithë komunitetin, dhe që Italia mbështet me bindje dhe vendosmëri të mëdha.

Na bashkon, mbi të gjitha, vokacioni i përbashkët për të ndërtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes europiane, një kontinent të bashkuar, të integruar dhe paqësor.

Simbol i këtij takimi histori do të mbetet pllakata e vendosur nga dy presidentët në murin qendror të Kolegjit të Shën Adrianit.

Nevojën e përbashkët të komunikimit dhe shkëmbimit të eksperiencave, Presidenti Meta e theksoi më herët edhe gjatë takimit me  Presidentin e Rajonit të Kalabrisë, Gerardo Mario Oliverio ku u fol për marrëveshje shumëplanëshe mes Shqipërisë dhe Kalabrisë. Përpjekje jo vetëm në nivel qëndror shtetëror, por edhe rajonal e lokal për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë shqiptare.

Kalabria me rreth 2 milionë banorë është një zonë ku ekonomia bazohet tek turizmi dhe  bujqësia, si rajoni i dytë në vend për prodhimin e vajit të ulllirit dhe agrumeve. Nevoja për bashkëpunim dhe interesi për të zgjeruar tregun u nënvizua edhe në takimin me drejtuesit dhe anëtarët kalabrezë të Unindustria-s, anëtare e Confindustria-s në Itali. Gjate vizitës në kompaninë e njehur të karameleve Likuiricia Amarelli President

Siç shkruan Eqrem Çabej, një nga njohësit më të shkëlqyer të botës e kulturës arbëreshe, arbëreshët e Italisë në pjesën më të madhe të ngfulimeve ruajnë gjer në ditët e sotme karakteret e kombësisë shqiptare, vetëdijen historike, e mbi të gjitha gjuhën. Kjo gjuhë levrohet sot nga i madh e i vogël, në qindra fshtra që nga Makia Albanese e De Rades, Strigarin e Serembes, Frasniten e Vincens Dorses e Mbuzatin e Varibobes.

Një portë e lartë dhe e harkuar guri të nxjerr në oborrin e vogël të shtëpisë se De Radajve, në Macchia Albanese.  Përballë një gur i madh mulliri dhe sipër tij një pllakatë e bardhë mermeri që populli i Maqit ia ka kushtuar poetit dhe qytetarit të saj e të lavdishëm.

Me po të njejtën dashuri edhe banoren e Strugarit kanë nderuar poetin e tyre Zef Serembe.

Në këto vatra të shkëputura nga ky gjaku ynë i shprishur siç shprehet De Rada, pritja me e ngrohtë, Presidentit iu bë nga banorët e Lungros veshur me kostumet tradicionale.

Më pas takimi me ipeshkvin e Eparkisë së Lungros Donato Oliviero, ku edhe një herë sillet në vëmendje kulti i se shkuarës, moti i madh dhe evokimi i kohërave të lavdisë.

Ilir Meta: Ne i detyrohemi shumë arbëreshëve, sepse pa arbëreshët nuk do të kishim as Shqipëri dhe as Kosovë.

Kreu i shtetit mori pjesë edhe në meshën e shenjtë përkujtimore në katedralen e Lungros për nder të heroit këmbëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu ku nderoi Imzot Olivieron me titullin “Kalores i Urdhërit të Skënderbeut” për veprimtarinë e çmuar në mbështetje të bashkësisë arbëreshe, ku edhe sot flitet  e këndohet shqip, e ku rol parësor ka luajtur feja, me përcjelljen e riteve dhe traditave kishtare në gjuhën arbëreshe.

Ilir Meta: Askush si Skënderbeu nuk i ka bashkuar shqiptarët, nuk i ka dhënë atë lavdi me të cilën është krenuar Europa dhe askush si figura e Skënderbeut, edhe sot pas 550 vitesh nuk mund ti bashkojë më mirë shqiptarët, mund ti frymëzojë më mirë shqiptarët dhe nuk mund ti bëjë të ndihen më mirë europiane shqiptarët.

Dhe në mbrëmje darka festive ku s’mund të mungonte kënga “Moj e bukura more”, “Kënga e Rreshajave”, “Elegjia e përshpirtjes”  që shoqeronte ritin e mbledhjes së trendafileve, nderimin e varreve të të parëve, por sot e shndërruar në himn për atdheun shpirtëror që arbëreshet morën me vete.

Një vizitë mbreselënëse ishte edhe ajo në Universitetin e Kozencës  në të parën  Kateder të gjuhës shqipe në botë, ku prej dekadash që prej kohës së Prof. Solanos arbëreshë e italianë mësojnë gjuhën e kulturën tonë. Një takim me Rektorin Crisci, me studentë arbëreshë e shqiptarë, me pedagogë, si dhe stafin akademik të universitetit me të cilin është e lidhur fort tradita e promovimit të identitetit arbëresh

Ilir Meta: 40 vjet më parë, kur ishte në këto anë e në këto vise, shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli, pati thënë se: “Ju arbëreshët jeni bijtë dhe etërit tanë”. Kjo shprehje ka një domethënie të madhe. Duket si kundërthënie, por ka shumë mençuri dhe urtësi në thelbin e vet.

Ju jeni bijtë tanë, sepse jeni një degë e ndarë prej dheut të të parëve shekuj e shekuj të shkuar, ashtu siç shkruante Zef Serembe me vargjet e tij:

“Arbëria matanë detit na kujton,

Se ne të huaj jemi tek ky dhe”.

Por Dritëroi ka të drejtë edhe kur i quan arbëreshët “etërit tanë” sepse sa herë që duam të dimë si kanë qenë shqiptarët para se të bëheshin pjesë e një perandorie të huaj, që vinte nga Lindja aziatike, teokrate e ushtarake, ne i kthejmë sytë nga ju, nga arbëreshët.

Tek arbëreshët shohim ato vlera fisnikërie dhe identitare që na bëjnë krenarë edhe sot e kësaj ditë për prejardhjen dhe historinë tonë të lavdishme.

Këtë mision të rëndësishëm në katedrën shqipe të Kozences sot e çon përpara Prof. Francesko Altimari, të cilin presidenti i Republikes Ilir Meta e nderoi me titullin e lartë “Nderi i Kombit” për këtë kontribut të çmuar.

Francesco Altimari: Kjo mrekulli nuk erdhi nga jashtë, por erdhi nga trashëgimia e arbëreshëve, të rolit që pati Skënderbeu. Besoj që secili prej nesh duhet të japë kontribnutin. Është detyrë e shkollës italiane që të njihet gjuha dhe kultura e kësaj pjese të shoqërisë italiane që lidhet me gjuhën dhe kulturën shqipe.

Matteo Mandala: Është motori që na ka cuar përpara gjithmonë dhe është fuqia e trashëgimisë ajo që na nxit të bëjmë punën tonën kërkimore, sidomos në fushat e ndryshme që përbëjnë albanologjinë moderne. Kemi trashëguar një pasuri të larmishme që është bërë me libra dhe metoda që na kanë ndihmuar shumë për të kuptuar çfarë jemi, nga vijmë, ku do të shkojmë? Këto janë pyetjet që kemi bërë gjithmonë, por sot e kemi më të qartë cili do të jetë përfundimi i këtij procesi.

Speciale nga Ora News