Skënder Muço: Nga Idrizi fitoi pasionin, në 20 vjet rrugëtim me portret rekordmeni  

PROFIL/ Pjesë e Dinastisë “Muço” në Notin shqiptar, Skënderi vjen me një karrierë kampioni si bretkocist absolut. Flet edhe Mjeshtri i Madh, Sadik Mema

Agron KAJA

NOA

Duke qënë ish-notar i elitës, si e mbani mënd një shkrim apo një kronikë sportive që është folur për ju?

Po, patjetër që është shkruar e folur në të gjitha mediat e kohës. Madje kam dalë edhe në televizion, kryesisht kur kam dalë kampion. Kanë qënë moment shumë të bukura, ishin të nevojshme për ne atëhere, sepse na motivonin më shumë.

Kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë dhe si i kujtoni rrethanat?

Jeta ime sportive ka nisur dhe u mbyll në Sarandë. Duke qënë se shtëpinë e kishim shumë pranë detit, i cili ka edhe një pasuri përrallore. Ishte favor për mua që gjuaja peshk, por edhe notoja duke mbledhur tapat. Sepse në fëmininë time u rrita jetim nga babai dhe ekonomia ishte e dobët.

Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur dhe si ka nisur?

Atëhere tërhoqa vëmendjen e trajnerëve Edmond dhe Suzana Mehmeti. Këto ishin fillimet e mia në këtë sport të bukur, por ishte edhe nxitja nga vëllezërit Idrizi me Ademin, dy kampionë. Jeta e tyre sportive më nxiti të nisja edhe unë rrugëtimin sportiv në not.

Garën e parë në karrierë, apo rekordin e parë që keni thyer, si e kujtoni?

Ka qënë në pishinën e Lushnjës në garat e 50 m dhe 100 m Bretkocë. Kam dalë në vëndin e dytë në të dyja këto gara, kur kisha vetëm 10 ditë stërvitje. Sepse unë nuk mendoja sport dhe nuk isha i stërvitur për të hyrë në garë. Vija nga gjuetia e peshkut.

Cili ka qënë trajneri juaj i parë, a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?

E përmënda më sipër, kanë qënë Zana dhe Edmond Mehmeti, dhe së bashku me Aleks Gjinin, u stëvita dhe garova në 4-5 vite. Më pas ishte Spiro Koça, trajneri bazë në karrierën time, ndërsa te Partizani isha me Petrit Casllin.

Po garat që ju keni bërë gjatë karrierës suaj, në cilat stile kanë qënë?

Po, unë kam garuar në 100 m e 200 m Stil Bretkocë, 4X100 m Miks dhe në në 800 m dhe 15000 m Stil i Lirë, si dhe në të gjitha stafetat me Butrintin, në 4X100 dhe 4X200 Stil i Lirë. Në 800 m Stil i Lirë dhe 1500 m nuk ishin gara bazë, bazë ishte Bretkoca.

Keni garuar në pishinë, në det të hapur apo në maratonë, ku e keni patur më të lehtë?

Gjithmonë specifika e ujit në det të mban më shumë në sipërfaqe. Ne si sarandiotë përshtateshim me ujën e ëmbël, por më i lehtë garimi ka qënë në det për mua, edhe pse ishte edhe më e vështirë për të garuar. Unë jam munduar të përshtatem det-pishinë.

Në garat e stilit Bretkocë, cilët ishin rivalët tuaj në garë, apo edhe në thyerjen e rekordeve kombëtare?

Unë e kam patur si rival Genc Tiranën dhe Arjan Xhaferrin e 17 Nëntorit, Shpëtim Bejko dhe Arjan Kacmoli të Lokomtivës. Te Dinamo ishin Edmond Mema dhe Janaq Murati. Kam rivalizuar edhe me Rrok Shestanin e Vllaznisë, Shpëtim Daminin e Studentit e Lokomotivës. Të gjithë ishim rivalë, jashtë gare shokë e miq.

Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notar, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?

Nuk është pak të bësh sportin e notit në 20 vite karrierë, në dy ekipe të mëdha, Butrinti dhe Partizani. Të gjithë ne sarandiotët vetëm fitore kishim, ku vetëm te Partizani kam fituar 6 kupa. Te Butrinti nuk numërohen kupat e titujt kampion.

Sa mbahet mënd në memorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notar i elitës?

Për mua ishte një garë që nuk pritej rezultat, sepse ishte e kultivuar sedra sportive dhe aftësia që kisha fituar ndër vite. Unë u rendita në vëndin e tretë, por kjo ishte kënaqësia e bukur në karrierë, edhe për faktin se kisha krijuar familje dhe me humor më thonin “Babai”! Pra, duhej të largohesha.

Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit? 

Të përgatitesh në det të hapur, është shumë e lodhshme. Por deti na dha edukimin,  durimin e displinën e garimit, ku brënda tyre ishte edhe rregjimi i fortë sportiv. Këto cilësi e vityte na kanë shoqëruar edhe në pishina. Ishte infrastrukturë normale.

Gjatë kohës që ushtroheshit në not, jeni marrë edhe me sporte të tjerë?

Zyrtarisht kam ushtruar vetëm sportin e Notit, por kam patur shumë pasion edhe futbollin, ku trajneri Milto Gurma kishte dëshirën të më merrte në ekip. Por edhe kur isha me Partizanin, trajneri Bejkush Birçe më afronte, kryesisht në ndeshjet e kontrrollit.

E keni ndjerrë veten si pjesë e notarëve që kanë ditur të notojnë dhe të garojnë si kampionë? 

Patjetër që kështu ndjehesha. Sepse të gjithë, trajnerët e tifozët që na shikonin, kur garoja prisnin shumë prej meje në çdo garë. Dhe kjo më bënte më shumë përgjegjës në gara, që shpesh të mbyste me emocione. Por, emocione kampioni.

Si e mbani mënd garën e fundit e karrierës suaj si notar, në cilën pishinë ka qënë?

Në vitin 1989, pas 20 viteve që ushtrohesha në sportin e Notit. Kam bërë 5 gara njëherësh, ku në 100 m e 200 m Bretkocë jam renditur në vëndin e 3-të. Bëra edhe garat e stafetës 4X100 katërnotim dhe 4X200 Stafetë në Stilin e Lirë. Të paharrueshme!

Pasi jeni larguar nga aktiviteti, e ndiqni ritmikën e garave të notit në Shqipëri, në Europë e Botë?

Të gjitha garat në televizion i ndjek, këtu në Sarandë çdo garë e ndjek, madje marr pjesë edhe në Maratonën me veteranët. Notoj çdo ditë, në distancën 1500 m deri në 2500 m. Kam ndihmuar financiarisht notarë të ndryshëm në këto vite.

E keni dëshirën, apo mundësinë, që ende ju të notoni apo të trajnoni në një ekip noti?

Jo, asnjërën prej tyre. Sepse kam angazhime të tjera në biznes, por edhe pse në këtë moshë (66 vjeç), fizikisht më duket e pamundur që ta përballoj ngarkesën fizike. Mbështetja financiare që u jap notarëve, më duket sikur ende më mban aty tek noti.

Në këto vite dhe në këtë moshë, me se merreni sot ju Skënder Muço?

Unë kam biznesin tim privat prej shumë vitesh, të cilin e nisa në emigrim në Gjermani, Itali e Greqi. Tani jam këtu në Sarandë, ku merrem me prodhim material ndërtimi dhe betone. Është biznes i vështirë që të mban lidhur në çdo kohë.

Ka disa vite që funksionon SHKVN në Shqipëri, sa vlerë ka kjo për ju veteranët e Notit?

Shoqata e Veteranëve të Notit në Shqipëri ka bërë gjënë më të mirë që u krijua. Sepse ajo nuk sjell në kujtesë vetëm notarët, por është edhe nxitëse për brezat. Ka shumë vlera e mendoj që të jetë më aktive, edhe pse institucionet nuk i kanë dhënë mbështetjen e duhur.

Skënderi dhe vëllezërit, emblema të notit sarandiot dhe atij shqiptar

Skënderi ka kryesuar notimin Bretkocë dhe Miks në periudhën 20 vjeçare që ai garoi, por edhe në Stilin e Lirë. Gjithashtu, ai është një pjesëtar i familjes së madhe të vëllezërve “Muço”, një “Dinasti” kampionësh e rekordmenësh, por edhe djem të mbrrekullueshëm.  

Idrizi u bë mbështetje dhe udhërrëfyesi i vëllezërve, por edhe me një shoqëri të zgjeruar jo vetëm në Sarandë . Garën më të bukur Idrizi e bënte me Ilir Gjebrenë, e cila e riste edhe dëshirën mes vëllezërve për të dalë kampionë e rekordmenë. Idrizi, Ademi, Skënderi dhe Shpëtimi, kanë qënë dhe mbeten emblema të notit sarandiot dhe atij shqiptar.  

Në 20 vite karrierë si notar, me pasion edhe futbolliin

1

NOTAR

Si periudhë, nuk është pak të bësh sportin e notit në 20 vite karrierë (1970-1989), në dy ekipe të mëdha, Butrinti dhe Partizani dhe në Kombëtare. Të gjithë ne sarandiotët vetëm fitore kishim, ku unë vetëm te Partizani kam fituar 6 kupa individuale kampioni e rekordmeni. Te Butrinti nuk numërohen kupat e titujt kampion.

2

FUTBOLLIST

Zyrtarisht kam ushtruar vetëm sportin e Notit, por kam patur shumë pasion edhe futbollin, ku trajneri Milto Gurma kishte dëshirën të më merrte në ekip. Por edhe kur isha me Partizanin në periudhën 1978-1980, trajneri Bejkush Birçe më afronte shpesh në ekipin e të rriturve, kryesisht në ndeshjet e kontrrollit. Ishte e bukur.

Skënderi kujton vëllain e ndjerrë, kampionin Idriz Muço!

Në Sarandë, emri i Idriz Muços është si i skalitur në memorrjen e gjithkujt, sepse ai ka qënë një kampion dhe rekordmen në sportin e notit në Shqipëri. Vetë Skënderi e kujton me nostalgji, por edhe me respektin e kampionit. “Që nga fëminia ime, duke qënë se ne u rritëm jetimë, Idrizi në jetën tonë në ato vite të vështira u bë mbështetje dhe udhërrëfyesi ynë. Kemi shumë kujtime, sepse kemi qënë shumë të lidhur në familjen tonë, por ne kishim edhe një shoqëri të zgjeruar jo vetëm në Sarandë, dhe kjo më bënte të ndjehesha shumë krenar për vëllain, Idrizin. Garat e Idrizit unë i kujtoj si madhështore këtu në Sarandë, ku i gjithë qyteti mbidhej, aq sa nuk kishte vënd të shikoje. Garën më të bukur Idrizi e bënte me Ilir Gjebrenë, e cila e riste edhe dëshirën time për të dalë kampion. Mendoj se karriera e Idrizit është e tillë që, sot duhet të mbahet më shumë në vëmëndje tek brezat, sepse kur përvoja dhe talenti merr vlerësime brënda qytetit, është më madhështore dhe i afron brezat, që sot edhe mungojnë”.

Idriz Muço, “Ikona” që emrin e Butrintit e mban në podium

Idriz Muço ka qenë në nga notarët më të mëdhenj të Sarandës dhe gjithë Shqipërisë. Për të vlerësuar kontributin e tij, ai është nderuar me medalje dhe tituj sportivë. Në kujtimet e  historisë së notit shqiptar, ai është fitues dhe ka thyer 50 rekorde kombëtare në vitet 1968-1977. Idriz dominoi për një dekadë garat e thellësisë, madje është edhe shqiptari që pati shansin e madh të kalimit me not të lumit kinez Jance, si i pari notar i huaj pas ish liderit kinez Mao Ce Dunit. Në vitet e karrierës së tij si notar, Idriz Muço ka thyer 50 rekorde kombëtare dhe është vlerësuar me tituj e medalje, si Mjeshtër dhe Mjeshtër i Merituar i Sportit, “Nderi i Notit Shqiptar”, “Qytetar Nderi” i Sarandës dhe “Nderi i Qarkut të Vlorës”, Titulli “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës. Me emrin “Idriz Muço” organizohet Maratona e Notit në Sarandë.

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Skënderi është notari dhe njeriu kampion

Për Mjeshtrin e Madh, Sadik Mema, Skënder Muço është një emër i spikatur dhe i respektuar i notit të Butrintit dhe atij kombëtar.”Një emër shumë i spikatur në notin kombëtar, sepse Skënder Muço është dalluar që në fëmijërinë e tij si notar i talentuar dhe kampion me rezultate të larta, të cilët e shoqëruan gjatë gjithë karrierës së tij sportive, në të gjitha niveleet e garimit. Skënderi ka kryesuar notimin Bretkocë dhe Miks në periudhën 20 vjeçare që ai garoi, por edhe në Stilin e Lirë. Gjithashtu, Këno (siç e thërrasim ne), është një pjesëtar i familjes së madhe të vëllezërve “Muço”, një “Dinasti” kampionësh e rekordmenësh, por edhe djem të mbrrekullueshëm. Si Idrizi, Ademi, Skënderi dhe Shpëtimi, kanë qënë dhe mbeten emblema të notit sarandiot dhe atij shqiptar. Skënder Muço e ka ndjekur gjithë veprimtarinë e SHKVN, është kryetar i degës së Sarandës dhe shpesh notin e ka ndihmuar edhe financiarisht. Është notari dhe njeriu kampion”.

Skënder Muço është notari dhe njeriu kampion. Ai e ka ndjekur gjithë veprimtarinë e SHKVN, është kryetar i degës së Sarandës dhe shpesh notin e ka ndihmuar edhe financiarisht.

 CV Sportive Skënder Muço

Datëlindja:  22 shtator 1959

Vendlindja: Sarandë

Vendbanimi: Sarandë

Arsimi: Të Lartën, Juridik

Profesioni: Biznesmen

Sporti që ka ushtruar:  Noti

Starti i karrierës në elitë: Në vitin 1970 me Butrintin

Skuadra e parë elitare në karrierë: Në vitin 1976 me Butrintin

Ekipet ku ka garuar: 1976-1978 Butrinti, 1978-1980 Partizani, 1980-1989 Butrinti

Stili i preferuar në gara: Stil Bretkocë

Me Kombëtaren: Në vitet 1976-1980

Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1970 me Pionierët, me të Rriturit në vitin 1976

Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1974 në Durrës

Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1989

Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1978

Fitues në gara:  Në Stilin Bretkocë, në Katërnotim, në 800 m Stil i Lirë dhe në Stafetë Ekipore

Detyra në sport: President i FSHN-së, periudha 2003-2004

Tituj e trofe si notar: Mjeshtër Sporti

Vlerësime, tituj e dekorime: Mirënjohje e FSHN, Qytetar Nderi në Sarandë

Aktualisht: Biznes privat

Në këtë foto me sfond ujin, katër vëllezërit “Muço” flasin si kampionë dhe rekordmenë. Idrizi, Ademi, Skënderi dhe Shpëtimi, tregojnë hjeshinë e madhështinë e tyre sportive dhe qytetare.