Skenarët për Europën

473
Sigal

Pesë skuadra në luftë, për katër vendet që të çojnë në kompeticionet ndërkombëtare

Kur kanë mbetur edhe pesë javë në përfundimi i Kampionatit të 74-të të Kategorisë Superiore, janë pesë skuadra që luftojnë për katër vendet që të çojnë në kompeticionet ndërkombëtare. Duke parë renditjen, situata është kjo: Skënderbeu (54 pikë), Kukësi (49), Partizani (44) dhe Teuta (42). Kjo është katërshja e parë e Superligës, prej të cilave do të përcaktohen edhe ekipet që do të marrin pjesë në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm. Të gjitha ekipet janë lojë, për vetë faktin që ato kanë përballje direkte me njëri-tjetrin. Në këtë listë duhet përfshirë edhe Flamurtari, finalisti i Kupës së Shqipërisë. Vendi i tretë do të thotë automatikisht në Ligën e Europës, pasi nga Shqipëria marrin pjesë fituesi i kampionatit (në Ligën e Kampioneve); vendet 2-3 (në Ligën e Europës) si dhe fituesi i Kupës së Shqipërisë (në Ligën e Europës).

SKËNDERBEU

Edhe pse titulli dukej plotësisht i tij, tani diferenca me Kukësin e vendit të dytë është reduktuar në vetëm +5 pikë kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje. Korçarët presin në javën e 29-të Besën e Kavajës, ndërsa në javët pasuese do të luajnë me Teutën (jashtë), Kukësin (brenda), Partizanin (jashtë) dhe Laçin (brenda). Pra, kanë përballë katër skuadrat që renditen në vendet 2-5. Veçanërisht e rëndësishme është sfida direkte me Kukësin në Korçë, po dhe me Partizanin në Tiranë. Nëse kampionët në fuqi dhe liderit e kampionatit do të fitojnë me Kukësin (java 30), atëherë në varësi të rezultatit të ndeshjes së kuksianëve me Partizanin (java 29), kjo diferencë mund të shkojë në + 11 pikë, çka do ta mbyllte kampionatin.

KUKËSI

Kuksianët, të cilët u shpallën nënkampionë vitin e kaluar, ndodhen në vendin e dytë me pesë me pak se Skënderbeu kryesues dhe pesë pikë më shumë se Partizani, ndjekësi i tyre më i afërt. Kalendari i ofron Kukësit pikërisht Partizanin në javën e 29-të. Një humbje me të kuqtë do ta reduktonte në +2 pikë avantazhin, por një fitore me Partizanin do ta çonte në +8 pikë avantazhin për kuksianët, që do të saldonin kështu vendin e dytë dhe do të synonin vendin e parë, në pritje të ndonjë hapi tjetër fals të Skënderbeut. Kalendari për Kukësin: Partizani (j), Laçi (b), Skënderbeu (j), Lushnja (b) dhe Bylisi (fitore në tavolinë). Pra, një kalendar i lehtë. Kuksianët do të jenë me sy e veshë kur Partizani do të luajë me Skënderbeun në “Qemal Stafa”.

PARTIZANI

Të kuqtë vijnë në përballjen me Kukësin pas humbjes me Teutën, ndërkohë që kuksianët mbërrijnë në kryeqytet pas fitores 2-1 me Kastriotin. Partizani më shumë se vendi i dytë, objektiv kanë një vend në Europë, atje ku kanë marrë pjesë për herë të fundit në edicionin 2008-2009 të Ligës së Europës, ndaj boshnjakëve të Shiroki Brijegit. Kalendari ofron për të kuqtë: Kukësin (b), Kastriotin (b), Laçin (j), Skënderbeun (b) dhe në fund të kampionatit Lushnjën (jashtë), por kjo e fundit deri atëherë do të ketë rënë dhe matematikisht nga Kategoria Superiore. Ndeshja më e vështirë është me Kukësin, por e tillë mund të konsiderohet edhe me Laçin, që lufton për një vend në Europë.

TEUTA

Durrsakët janë në vendin e katërt me një pikë më shumë se Laçi (41), me të cilën do të ndeshen në javën e 29-të, në një betejë për vendin e katërt. Nëse humbet Laçi, Europa bëhet akoma më e largët për kurbinasit, ndërsa nëse fiton Teuta, presioni do të shkojë i gjithi mbi Partizanin. Kalendari u ofron durrsakëve: Laçin (j), Skënderbeu (b), Lushnjën (j), Bylisin (brenda, fitore 3-0 në tavolinë) dhe në javën e fundit Vllazninë, por deri para përballjes me shkodranët gjithçka duket se do të jetë sqaruar për të dyja skuadrat. Aktualisht, Teuta ka shanse reale për të kapur vendin e tretë dhe spostuar Partizanin prej andej.

RENDITJA PAS

JAVËS XXVIII

ZONA KAMPION

1     Skënderbeu         54

ZONA E EUROPËS

2     Kukësi         49

3     Partizani             44

MESI I TABELËS

4     Teuta                  42

5     Laçi                     41

6     Vllaznia       38

7     Flamurtari           38

8     Tirana          37

ZONA E RËNIES

9     Besa                    35

10   Kastrioti             29

11   Lushnja        26

12   Bylis                   24

JAVËT E MBETURA

Java 29/(19 prill)

Skënderbeu-Besa

Laçi-Teuta

Partizani-Kukësi

Lushnja-Flamurtari

Bylis-Tirana

Kastrioti-Vllaznia

Java 30/(26 prill)

Teuta-Skënderbeu

Kukësi-Laçi

Partizani-Kastrioti

Besa-Lushnja

Flamurtari-Bylis

Tirana-Vllaznia

Java 31/(30 prill)

Skënderbeu-Kukësi

Laçi-Partizani

Lushnja-Teuta

Bylis-Besa

Vllaznia-Flamurtari

Kastrioti-Tirana

Java 32/(3 maj)

Partizani-Skënderbeu

Laçi-Kastrioti

Kukësi-Lushnja

Teuta-Bylis

Besa-Vllaznia

Flamurtari-Tirana

Java 33/(10 maj)

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Bylis-Kukësi

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari

Shifrat e Superiores, 358 gola në 168 ndeshje

 Teksa Kategoria Superiore i drejtohet fundit, gara mbetet e hapur në çdo drejtim. Duke bërë një bilanc të 28 javëve të luajtura, konstatojmë se në 168 ndeshje të zhvilluara janë shënuar 358 gola, me një mesatare me 2.1 gola për ndeshje. Edhe pse konsiderohet si një kampionat me rivalitet, mesatarja e golave është e konsiderueshme edhe pse mungesat e goleadorëve janë të theksuara. Pavarësisht se kemi një mesatare prej 2 golash për ndeshje ai që udhëheq listën e golashënuesve është kroati Pero Pejic me 14 realizime në 24 ndeshje, me një mesatare rreth 0.6 gola për çdo 90 minuta të luajtura. Megjithatë duhet marrë në konsideratë edhe fakti që në 5 javët e fundit, ndeshjet e Bylisit, e dënuar nga komisioni i disiplinës janë vendosur në tavolinë me rezultatin 0-3. Po në bazë të rezultateve të deritanishme vihet re se Partizani është ekipi që nuk i shkojnë për shtat goleadat, si për golat e shënuar ashtu edhe për ata të pësuar. Në sfidat e të kuqve mesatarja e golave është 1.64 për ndeshje, me Partizanin që ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit me 20 gola të pësuar dhe sulmin më të dobët nga 7 skuadrat e para me 26 gola të shënuara. Ndërkohë më produktiv në sulm janë kampionët e Skënderbeut, që kanë shënuar 44 gola 14 prej të cilëve nga sulmuesi Pejiç.

Në luftë për mbijetesë

 Vllaznia, Flamurtari, Tirana e Besa janë katër skuadrat që luftojnë në të mbijetuar në Kategorinë Superiore. Njëra prej tyre pritet të shoqërojë Bylisin (të përjashtuar prej disa javësh), Kastriotin e Lushnjën (shumë pranë rënies). Besa, me 35 pikë, dy më pak se Tirana duket ekipi më i mundshëm për të rënë nga kategoria. Tirana pret këtë javë Bylisin dhe shkon automatikisht në 40 pikë, ndërkohë që Besën e pret sfida e “ferrit” me Skënderbeun, që lufton për titull dhe ka pësuar tri humbje rresht. Vllaznia do të luajë kundër Teutës, ndërkohë që Flamurtari do të luajë në Krujë kundër Kastriotit. Sido që të shkojnë ndeshjet e shkodranëve dhe vlonjatëve, kavajasit janë të humburit e mëdhenj.

Skënderbeu bileta falas për tifozët

 Situata e nderë që po kalon Skënderbeu, që nisi që me disfatën ndaj Tiranës dhe akuzat për tolerim duket se ka marrë fund. Presidenti i klubit, Ardian Takaj, është treguar dashamirës dhe ka pranuar kërkesën e tifo-grupit “Ujqërit e Dëborës” që deri në fund të sezonit ndeshjet në Korçë të jenë falas, pa bileta për mbështetësit e zjarrtë të skuadrës kampione. Nëpërmjet një komunikatë në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, “Ujqërit e Dëborës” theksojnë se duke marrë shkas nga gjendja e krijuar si dhe afrimi i Kukësit që e ka shkurtuar brenda pak javëve nga 14 në 5 pikë distancën me kryesuesit, ata dëshirojnë t’i japin një spunto tifozëve që të gjithë t’i gjendet pranë ekipit, duke e mbështetur në këtë moment të vështirë.