Prodani “Partizani, brenda objektivave”

477
Sigal

Në kampin kuq mbizotëron optimizmi, pavarësisht humbjes me Teutën: “Fitojmë me Kukësin”

Humbja e Partizanit me Teutën (3-1), pas një serie pozitive prej nëntë ndeshjesh, krijoi një diferencë prej minus pesë pikësh me Kukësin e vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i kampionatit të Kategorisë Superiore. Gjithsesi, në kampin e kuq mbizotëron optimizmi, duke e konsideruar vetëm një hap fals me durrsakët, të cilët mund ta rikuperojnë në ndeshjet e e ardhshme pasi në lojë janë dhe 15 pikë. Duke parë renditjen pas ndeshjeve të javës së 28-të, tabela paraqet këtë pamje: Skënderbeu (54 pikë), Kukësi (49), Partizani (44) dhe Teuta (42), Laçi (41). “Ajo me Teutën ishte vetëm një humbje që, erdhi pas një serie pozitive prej nëntë ndeshjesh. E vërteta është se, i kishim mundësitë për ta shmangur atë. Migen Memelli edhe mund ta barazonte ndeshjen në 2-2, por fati nuk ishte me të. Ne luajtëm më një mbrojtje komplet të re. Gjithsesi, edhe humbjet janë pjesë e lojës, por e rëndësishmja është që skuadra të reagojë pozitivisht në ndeshjen me Kukësin”, – tha drejtori sportiv i Partizanit, Eduard Prodani. Sipas tij, të kuqtë janë brenda objektivave të sezonit, duke e parë sezonin si një të tërë dhe jo vetëm një ndeshje të shkëputur. “Ishte një ndeshje që nuk duhej humbur, por ne mbetemi brenda objektivave. Partizani është një ekipi i kompletuar dhe i vështirë për ta mundur. Ndoshta duhet menaxhuar më mirë, pasi kemi dhjetë lojtarë të huaj, kur vetëm katër prej tyre lejohen të jenë njëkohësisht në fushën e lojës”, – shtoi Prodani. Para pak ditësh, Ertan Demiri dhe Mevlan Murati, dy shqiptarë nga Maqedonia kanë marrë pasaportën shqiptare, duke mos u konsideruar më si të huaj. Dhe po kështu, edhe pesë lojtarët kosovarë: Besnik Krasniqi, Behar Maliqi, Mentor Mazrekaj, Liridon Ahmeti dhe Labinot Ibrahimi, luajnë j si të huaj, për shkak të marrëveshjes specifike që ka nënshkruar Federata Shqiptare e Futbollit me atë të Kosovës. Partizani nuk luan prej pesë vitesh në Europë, qysh kur mori pjesë në eliminatoret e Ligës së Europës në edicionin 2008-2009, kur u eliminua nga boshnjakët e Shiroki Brijeg me një barazim 0-0 në Bosnjë dhe një humbje 3-1 në Tiranë. Trajneri i të kuqve asokohe ishte Hasan Lika, me këtë të fundit që e drejtoi Partizanin këtë sezon deri në javën e 18-të kur dha dorëheqjen pas humbjes 1-0 me Tiranën. “Janë katër ekipe shqiptare që do të luajnë në Europë. Dhe unë jam i bindur që Partizani do të jetë një prej tyre. Të paktën me 90% jemi të sigurt. Ne kemi në përbërje lojtarë me përvojë të mirë ndërkombëtare si Memelli, Demiri, Nexhipi, kështu që kemi një ekip të formatuar”, – tha Prodani. Partizani është ekipi që ka pësuar më pak gola në këto 28 javë, vetëm 20, pra 0,7 gola për ndeshje, ndërkohë që në fazën e parë pësoi vetëm 9 gola. “Kemi një nga mbrojtjet më të mira në në kampionat. 17 gola kishim pësuar në 27 ndeshjet e tjera, me Teutën pësuam tre të tillë në një ndeshje. Ka një batutë të njohur: nëse sulmi sjell tifozët në stadium, mbrojtja, duke mos pësuar golat të jep pikët në kampionat. Ky është sekreti i Partizanit”, – shton Prodani. Një nga ndeshjet më të shumëpritura, është ajo midis Partizanit dhe Skënderbeut, takim që do të luhet në javën e 32-të, më 3 maj. Të kuqtë humbën fazën e parë 3-0 në Korçë, ndërsa në fazën e dytë ndeshja në Tiranë u mbyll në barazim pa gola. “Ne kemi një ekip të aftë për ta mundur Skënderbeun, dhe këtë do ta tregoja fusha. Tani do ta shohim Korçën e vërtetë, pasi ka pësuar tri humbje rresht.

NDESHJET E PARTIZANIT

Java 29/(19 prill)

Partizani-Kukësi

Java 30/(26 prill)

Partizani-Kastrioti

Java 31/(30 prill)

Laçi-Partizani

Java 32/(3 maj)

Partizani-Skënderbeu

Java 33/(10 maj)

Lushnja-Partizani

Bilanci i Partizanit:

Vendi i 3-të me 44 pikë. 28 ndeshje, 12 fitore, 8 barazime, 8  humbje. Golaverazhi 26:20 (+6).

Golashënuesit

Migen Memelli   5

Julian Malo  5

Renato Hyshmeri       4

Nderim Nexhipi 4

Ertan Demiri       3

Behar Maliqi       1

Mentor Mazrekaj       1

Blerjet dimërore

 Migen Memelli dhe Nderim Nexhipi ishin dy nga blerjet dimërore të Partizanit. Të dy sulmuesit e kanë justifikuar investimin, pasi kanë shënuar gola vendimtarë dhe shpesh me vlerën e tre pikëve. Memelli ka shënuar pesë gola, ndërsa Nexhipi, 4 gola. Memelli i ka dhënë nëntë pikë Partizanit në ndeshjet ku ai ka shënuar, ndërsa Nexhipi ka rezultuar deciziv në ndeshjet me Tiranën (1-1), Teutën (1-1) dhe fitoren ndaj Vllaznisë në Shkodër (1-0),

 Presidenti Demi mobilizon skuadrën

 Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, takoi dje në mesditë skuadrën në përfundim të seancës stërvitore. Në mbledhjen që është zhvilluar me lojtarët dhe stafin drejtues është analizuar në frymë konstruktive paraqitja e fundit ndaj Teutës, përballje në të cilën ekipi ndërpreu serinë e rezultateve pozitive pas nëntë javësh. Pavarësisht rezultatit në Durrës, Presidenti është shprehur se objektivi primar pjesëmarrja në kupat e Europës është plotësisht i arritshëm, duke përforcuar bindjen se ky grup i ka të gjitha mundësitë për të marrë maksimumin e pikëve në 5 ndeshjet e mbetura. Kreu i Klubit i ka pohuar skuadrës të lërë pas rezultatin ndaj Teutës dhe të përgatitet qetësisht për takimin e radhës ndaj Kukësit , duke konfirmuar mbështetjen maksimale të tij. Po në këtë takim presidenti Demi i ka kërkuar Mentor Mazrekajt të jetë me i përgjegjshëm dhe të zbatojë me përpikëri rregullat dhe disiplinën e klubit. Në të kundërt drejtuesit do të rishikojnë vijimësinë e marrëdhënieve të tij me klubin.

 Projekti është hartuar për impiant me 20 mijë vende. Tani pritet vendimi i Qeverisë për rehabilitimin e zonës

 Flamurtari me stadium të ri 26 milionë euro

 Pas ndezjes së dritës jeshile për ndërtimin e stadiumit të ri në kryeqytet edhe Vlora bën hapa përpara për një kompleks modern. Stadiumi i ri i qytetit bregdetar me vlerë totale 26.4 mln Euro parashikohet të ndërtohet në zonën e Pyllit të Sodës me kapacitet maksimal 20 mijë vende. Sipas burimeve nga klubi, projekti i quajtur “Vlora Sport” parashikon edhe rehabilitimin e zonave përreth ku përfshihet edhe ndërtimi i pjesës tjetër të kompleksit me fusha tenisi, basketbolli dhe ambiente e tjera sportive të klubit kuqezi. Projekti i hartuar nga dy kompani turke, “TRK” dhe “Atlasjet”, do t’i prezantohet qeverisë shqiptare, e cila duhet të marrë një vendim për rehabilitimin e kësaj zone ku parashikohet të spostohet shtëpia e re e skuadrës së Flamurtarit. Sipas përllogaritjeve, vlera totale e ndërtimit të kompleksit dhe rehabilitimit të zonës shkon deri në 60 milionë Euro. Në rast se ky projekt merr dritën jeshile, atëherë Vlora do të bëhet qyteti i dytë me një kompleks modern pas Tiranës ku ende nuk kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit të ri në vendin ku ndodhet aktualisht “Qemal Stafa”. Ndërkohë, me vënien në punë të stadiumit të ri, stadiumi i vjetër do të prishet dhe në vend të tij do të ndërtohet një akuadrom. Për momentin, gjithçka është në kuadrin e idesë, por nëse realizohet, stadiumi i Flamurtarit së bashku me stadiumin e rikonstrukturuar kombëtar, do të jenë dy impiantet e vetme në vend me të gjitha parametrat bashkëkohore.

 Berisha, kandidat për çmimin 10 mijë dollarësh “Fairer-Play”

 Besart Berisha, autor i 11 golave sezonalë në kampionatin australian, A-League, mbetet një nga lojtarët më të dashur në Australi, ku prej disa sezonesh militon në radhët e Brisbejn Roar (nga 2011-2012). Sulmuesi shqiptar është përzgjedhur në listën e 5 të nominuarve për çmimin “Fairer Play”, i akorduar nga Banka Fairer, pavarësisht dy kartonëve të kuq që ka marrë gjatë javëve të fundit për shkak të ndërhyrjeve të ashpra ndaj kundërshtarëve. Sponsori zyrtar i kampionatit A-League, “Hyundai” publikon pesë emrat e futbollisteve të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë për të ndihmuar tifozët. Në shpjegimin dhënë për Besart Berishën, atij i njihet kontributi që ka dhënë për të ndihmuar një të ri për të kaluar frikën e fluturimit me avion. Berisha e ndihmoi të riun gjatë një udhëtimi rutinë në fillim të sezonit, ndërsa menjëherë pas kësaj ngjarjeje, i ati i djalit telefonoi në selinë e Brisbejn Roar për të falënderuar personalisht lojtarin për gjestin e tij. Tifozët por edhe njerëzit e thjeshtë do të kenë disa ditë në dispozicion për të hedhur votën e tyre. Përveç Berishës, në listën e kandidaturave bëjnë pjesë edhe Uiliam Gallas i Perth Glori, Xherad Tajson i Uestern Sidnei, Majkëll Teo i Brisbejn Roar dhe Daniel MekBrin i Sentral Koast Mariners. Lojtari që, do të grumbullojë më shumë vota deri, më 27 prill 2014, do të marrë një çek prej 10 mijë dollarësh nga ME Bank.