Shtatë vite pa fituar në Angli, Reali sfidon edhe tersin ndaj Çelsit

211
Sigal

Ka startuar në orën 21:00 në “Stamford Bridge”, akti i dytë i gjysmëfinales së Champions-it, mes Çelsit dhe Realit të Madridit. Gjithçka mbetet e hapur, për sa i përket kualifikimit pas barazimit 1-1 në sfidën e parë, teksa të 2 ekipet do t’i luajnë të gjitha shanset, për të siguruar një biletë në finalen e Stambollit, aty ku i pret Mançester Siti i Pep Guardiolës, që eliminoi mbrëmjen e djeshme PSG-në.

Për sa i përket statistikave, Çelsi do të luajë për herë të pestë kundër Realit të Madridit në një kompeticion europian.  Madrilenët nuk e di çfarë do të thotë të fitosh në 4 ndeshjet e fundit në transfertë me skuadrat angleze. Ekipi spanjoll ka arritur të marrë vetëm 2 barazime dhe 2 humbje, duke shënuar vetëm 2 gola. Fitorja e fundit është ajo ndaj Liverpulit në tetorin e vitit 2014, në fazën e grupeve të Champions-it.

Nëse Zinedin Zidan do të fitojë mbrëmjen e sotme kundër Çelsit, atëherë do të barazojë Fergusonin dhe Ançelotin për gjysmëfinale të fituara në karrierë. Tomas Tuhel ka humbur vetëm 4 nga 18 ndeshjet e luajtura në shtëpi në Ligën e Kampionëve. Bilanci i dueleve të tjera është 12 fitore dhe 2 barazime. Të dy teknikët kanë bërë publike edhe formacionet zyrtare, ku nuk mungojnë surprizat.