Shqipëria, miqësore me Lituaninë për të rregulluar imazhin

555
Sigal

Bilanci me lituanezët është negativ: 1 fitore dhe 2 humbje. Kjo është miqësorja e shtatë e De Biazit

 Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore me Lituaninë, takim i programuar për më 26 mars, në “Qemal Stafa”, katër ditë pasi Kombëtarja jonë do të përballet me Norvegjinë, më 22 mars në Olso, për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Miqësorja me Lituaninë, që pozicionohet e 117-ta në renditjen botërore të FIFA-s, 46 vende pas Shqipërisë, është një tjetër mundësi për trajnerin Xhani De Biazi, për të konsoliduar ekipin dhe testuar lojtarë të rinj. Ndeshja e fundit miqësore e kuqezinjve është ajo kundër Gjeorgjisë (6 shkurt 2013), të humbur 2-1, pavarësisht se Kombëtarja jonë shënoi e para me anë të Erjon Bogdanit. Miqësorja me Lituaninë do të jetë e shtata për italianin De Biazi. Në gjashtë të parat ai ka këtë bilanc: 2 fitore (me Katarin dhe Iranin), dy barazime (me Moldavinë dhe Kamerunin) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë).

PRECEDENTËT – Janë vetëm tri ndeshje kundër Lituanisë, qysh kur shtetit balltik u shkëput nga trungu i ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1990. Dy janë ndeshje zyrtare, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “SHBA 1994” dhe një miqësore (2006). Bilanci është negativ: 1 fitore dhe 2 humbje (3-5 golavarezhi). Takimi i parë daton, më 3 qershor 1992, kur Shqipëria e drejtuar nga Bejkush Birçe fitoi 1-0 në “Qemal Stafa”, me golin e realizuar nga Eduard Abazi (78’). Edhe ballafaqimi i dytë (14 prill 1993) përkon me një humbje të hidhur: 3-1 në Vilnius, teksa golin e vetëm e shënoi Sulejman Demollari (86’), por takimin e mbyllëm me dhjetë lojtarë pas të kuqit të Gjergj Dëmës (39’). Miqësorja e vetme daton, më 1 mars 2006, me gjermanin Hans-Peter Brigel në bankinë, teksa golin e vetëm të Shqipërisë e shënoi ish-mbrojtësi i njohur, Adrian Aliaj. Përpara se të luajë miqësoren me Shqipërinë, Lituania do të luajë takimin zyrtare me Sllovakinë.

 LITUANIA – Skuadra përfaqësuese e Lituanisë është themeluar në vitin 1923, kur dhe luajti ndeshjen e parë (humbi 5-0 me Estoninë). Në vitin 1940, Lituania u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Fitoi pavarësinë në vitin 1990 dhe luajti ndeshjen e parë si një komb i ri kundër Gjeorgjisë, më 27 maj 1990. Kombëtarja lituaneze i luan ndeshjet në stadiumin “Zhalgiris”, me një kapacitet prej 15.030 vendesh (“Qemal Stafa” numëron 16.045 vende të ulura). Trajneri i ekipit përfaqësues është rumuno-hungarezi Tcaba Lazlo, nga viti 2012. Ai është tekniku i dytë i huaj, pas portugezit Hoze Kuiseiro. Kapiteni i ekipit është sulmuesi 34-vjeçar Tomas Danilevecius, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës: 19 gola (një më shumë se Bogdani ynë, 18). Lituania, ashtu si Shqipëria nuk është kualifikuar kurrë në finalet e një Europian apo Botërori. Ndeshja e fundit e Lituanisë ishte fitorja 2-0 në Lihtenshtejnin (zyrtare). Lituani ka grumbulluar katër pikë nga katër ndeshje e saj në fushatën kualifikuese të Botërorit (grupi Kampion i Lituanisë është Ekranas Panevezys. Lituania kë të regjistruara 65 klube futbolli me rreth 15 mijë lojtarë.

  PRECEDENTËT ME LITUANINË

03.06.1992, Tiranë

Shqipëri-Lituani 1-0

Trajner: Bejkush Birçe

14.04.1993, Vilnius

Lituani-Shqipëri 3-1

Trajner: Bejkush Birçe

01.03.2006, Tiranë

Shqipëri-Lituani 1-2

Trajner: Hans-Peter Brigel

MIQËSORET E DE BIAZIT

1) 29.02.2012, Tbilisi

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

2) 22.05.2012, Madrid

Katar-Shqipëri 1-2

3) 27.05.2012, Stamboll

Iran-Shqipëri 0-1

4) 15.08.2012, Tiranë

Shqipëri-Moldavi 0-0

5) 14.11.2012, Gjenevë

Kamerun-Shqipëri 0-0

6) 06.02.2013, Tiranë

Shqipëri-Gjeorgji 1-2

Përballjet mes ekipeve

 Ekipet shqiptare dhe ato lituaneze janë ndeshur vetëm në dy raste midis tyre. Në raundin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve (edicioni 2002-2003), Dinamo eliminoi kampionen e Lituanisë, FBK Kaunas: fitoi 3-2 në Lituani (golat nga Ahmataj, Pisha dhe Qorri) dhe barazoi 0-0 në Tiranë. Në turin e dytë, blutë u eliminuan nga danezët e Brondbit. Në edicionin 2006-2007, në raundin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve, Elbasani u përball me kampionen e Lituanisë, Ekranas Panevezhys: fitoi 1-0 në “Ruzhdi Bizhuta” (gol i Gentjan Stojkut) dhe humbi 3-0 në Lituani.

“Shën Valentini”, FIFA i bën një dhuratë të hidhur Kombëtares

   Humbja 2-1 me Gjeorgjinë, në “Qemal Stafa”, i kushtoi Shqipërisë një zbritje prej tetë vendesh në renditjen botërore të FIFA-s, për muajin shkurt 2013. Tani Kombëtarja e De Biazit pozicionohet në vendin e 71-të (489 pikë) dhe ironia qëndron në faktin se, kundërshtarët e 6 shkurtit, gjeorgjianët e Temuri Ketsbaisë tani renditen me dy vende sipër nesh, kur para miqësores ata ishin nëntë vende pas. Shqipëria ndodhet midis Egjiptit (vendi i 70-të, ka zbritur 16 pozicione) dhe Kanadasë (vendi i 72-të, -8 pozicione). Interesant është fakti, se të gjashtë ekipet e grupit tonë (E) eliminator të Kampionatit Botëror “Brazil 2014” kanë pësuar rënie ne ranglistën ndërkontinentale. Kështu, Zvicra, që është edhe kryesuese e grupit tona ka zbritur një vend, tani e 14-ta; Norvegjia ka zbritur 3 vende, tani e 27-ta; Sllovenia ka zbritur 7 vende, tani e 44-ta. Islanda ka pësuar edhe zbritjen më të madhe: -9 vende, e 98-ta. Qipro pozicionohet e 135-ta (-4 vende). Ndeshja e radhës e Shqipërisë është ajo e 22 marsit, kundër Norvegjisë në Oslo (për kualifikueset e Botërorit 2014), ndërsa katër ditë më pas do të luajë miqësoren kundër Lituanisë (në Tiranë, më 26 mars). Lituania në renditjen e muajit shkurt pozicionohet në vendin e 117-ta, ose 46 vende pas Kombëtares sonë. Renditja më e mirë historike e Shqipërisë është arritur, në prill të vitit 2011, kur pozicionoheshim të 50-tët në botë, ndërsa më e keqe në gusht të vitit 1977, vendi i 124-t.

RENDITJA E GRUPIT E

El.“Botërori 2014”

FIFA UEFA Ekipi      PIKË +/-

14   10   Zvicra     993 -1

27   17   Norvegjia  780  -3

54   27   Sllovenia  573  -7

71   34   Shqipëria  489  -8

98   40   Islanda    370  -9

135  45   Qipro      232  -4

Leon Morina, talenti i Hamburgut në Shqipërinë U-17

 Futbollisti 15-vjeçar me origjinë nga Kosova, pritet të debutoj me Kombëtaren U17 të martën e ardhshme. Jetmir Salihu, përgjegjës i FSHF-së për Kosovë, i ka thënë portalit Asport.info se në kuadër të seleksionimit dhe evidentimit të talenteve shqiptarë që luajnë nëpër ekipe evropiane, përzgjedhësi i Kombëtares U17, Xhemal Mustedanagic, ka ftuar mesfushorin e Hamburgut, Leon Morina. Salihu ka thënë se bashkë me Morinën pritet të vij edhe bashkëlojtari tjetër i rritur po ashtu në akademinë e Hamburgut, mesfushori ofensiv Dren Feka. Feka ishte testuar edhe më herët nga trajneri boshnjak Mustedanagic, derisa lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar akoma nuk është shpallur. “Po, është vërtetë, kam marrë ftesë nga Kombëtarja U-17, dhe ndihem shumë krenar që do ta përfaqësoj Kombin tim” ka thënë Morina.

Ndërsa talenti tjetër, Feka është shprehur se është shumë i kënaqur me ftesën, dhe premton se do ta jap maksimumin në çdo ndeshje që do t’i jepet mundësia për të luajtur. Shqipëria U-17 do të luajë me Slloveninë në stadiumin e Kavajës, të martën e ardhshme më 20 shkurt, ora 14.00 Me po të njëjtin kundërshtar kuqezinjtë e rinj do të luajnë me datë 21 shkurt 2013 në stadiumin e qytetit të Krujës, ndërsa me 24 shkurt 2013 kjo performancë e takimeve miqësore do të mbyllet në Kukës në një përballje Shqipëri-Kosovë.

  Luftë banderolash

Tifozët e PSG-së: “Kosova është Serbi!”

Tifozët e klubit francez të futbollit, Paris Saint Zhermen, kanë shpalosur pankartën “Kosovo is Serbia” (Kosova është Serbi) gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Valencias, të luajtur të martën në mbrëmje në “Mestaja”. Sipas “blic.rs”, afër pankartës është shpalosur edhe flamuri i Serbisë. Sipas portalit serb, pankartës është shpalosur nga anëtarët serbë të një grupi të tifozëve të PSG-së, të quajtur “Karsud”. Gjatë viteve të fundit në shumë raste kanë paraqitur pankarta të tilla. UEFA ka paralajmëruar se do të dënojë financiarisht klubin francez.