Ernest Gjoka: “Fitorja, edhe për Alfred Zijain!”

490
Sigal

Trajneri i Flamurtarit flet për “Telegraf” pas fitores bindëse me Bylisin: “Tani më afër Europës”

Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, tha për gazetën “Telegraf” se, fitorja 3-0 ndaj Bylisit, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 14-të, ishte e merituar. Trepikëshi ndaj ballshiotëve e ngjiti Flamurtarin në vendin e gjashtë, me 22 pikë, katër më pak se Teuta (26) që mban vendin e dytë. Ballshiotët ishin shndërruar në “mace të zezë” për vlonjatët, boll të kujtojmë faktin se, pas ndeshjeve me Bylisin, drejtuesit e Flamurtarit kanë shkarkuar dy trajnerë: Shkëlqim Muçën, pas barazimit 1-1 në kampionat (në javën e parë të fazës së dytë) dhe spanjollin Hulian Rubio, pas humbjes 1-0 në Kupën e Shqipërisë. Heroi absolut i takimit ishte Migen Memelli, autori i një tripletë në minutat 40’, 87’ dhe 90’. Me këtë tregolësh sulmuesi pogradecar mori kryesimin e golashënuesve, duke lënë pas me dy gola kroatin e Skënderbeut, Pero Pejiç, dhe duke qenë kështu kandidati kryesor për fitimin e “Këpucës së Artë”, trofe individual që e ka fituar edhe në sezonin 2008-2009, kur pogradecari ishte pjesë e Tiranës.

  – Zoti Gjoka, Flamurtari arriti t’i imponohet bindshëm Bylisit duke fituar me rezultatin e pastër 3-0. Ekipi juaj vinte pas humbjes me Laçin në Kupë, sa e vështirë ishte sfida me Bylisin?

 – Ishtë një ndeshje e vështirë, kjo dhe për faktin se dëshironim ta nisnim me fitore fazën e dytë, dhe për më tepër që luanim para publikut tonë. E kishim përgatitur me shumë kujdes, në të gjitha detajet, dhe unë besoj se e merituam fitoren dhe e kaluam me sukses këtë provë të vështirë. Ekipit i duhej kjo fitore, për vetë faktin se vininm nga një ndeshje e humbur në Kupën e Shqipërisë.

 – Sulmuesi Migen Memelli realizoi tre gola, që jo vetëm i dhanë tri pikë të çmuara Flamurtarit, por dhe atë personalisht e çuan në kryesimin e golashënuesve të Superligës. Cili është komenti juaj?

 – Memelli arriti të na japë qetësinë, qysh me golin e tij në pjesën e parë. Migeni njihet për aftësinë e tij për të shënuar dhe këtë e ka treguar kudo që ka luajtur, si në Shqipëri dhe jashtë saj (Suedi, Norvegji, Arabi Saudite). Unë shpresoj që, ai të vazhdojë kështu për të dhënë sa më shumë për ekipin dhe për të qenë një profesionist i vërtetë. Memelli, por dhe lojtarët e tjerë të skuadrës e kanë të qartë se cili është objektivi i skuadrës.

 – Atmosfera në stadiumi ishte entuziaste. Sa besoni se ka ndikuar mbështetja e lojtarit të 12-të?

  – Në Vlorë, atmosfera është gjithmonë e zjarrtë. Tifozët tanë kërkojnë gjithmonë maksimumin nga ne. Jemi përpjekur të bëjmë më të mirën dhe unë besoj se, në ndeshjet e mbetura tifozët do të jenë një faktor shumë pozitiv në ecurinë tonë.

 – Zoti Gjoka, ndeshja kundër Bylisit u zhvillua pak ditë pas vdekjes së ish-futbollist të madh vlonjat të Flamurtarit dhe të Kombëtares shqiptare, Alfred Ziajit. Si do ta vlerësonit atë?

 – Vdekja e Fredit, të cilin e njihja personalisht, ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, por dhe për gjithë botën e futbollit në Vlorë. Ai ishte një qytetar në ide dhe një profesionist i vërtetë. Në një farë mënyre, fitorja ishte dhe një homazh për të. Fred Ziaji i përkiste brezit më të artë të futbollit vlonjat, boll të kujtojmë se ai grup lojtarësh fitoi disa trofe, eliminoi Partizanin e Beogradit dhe zhvilloi ndeshje dinjitoze me Barcelonën.

 – Trepikëshi ndaj ballshiotëve e ngjiti Flamurtarin në vendin e gjashtë, me 22 pikë, katër më pak se Teuta (26) që mban vendin e dytë. Si po e përgatisni ndeshjen e radhës?

 – Duhet të mbajmë ritmin, të kemi vazhdimësi në rezultate, pavarësisht se do të kemi një ndeshje shumë të vështirë në Laç. Duhet ta theksoj se, objektivi ynë i madh është kapja e një vendi që të çon në kupat e Europës. Vërtet distanca me Teutën apo Tiranën nuk është e madhe, por ne duhet të japim maksimumin për të grumbulluar sa më shumë pikë.

Memushaj sherr me shokun, klubi e dënon me gjobë dhe punë sociale

  Gjobë dhe punë sociale. Kjo është masa e ndëshkimit për mesfushorin e Leçes dhe të Kombëtares shqiptare, Ledian Memushaj, pas grindjes me shokun e skuadrës, Xhovani Tomi. Kështu shkruan portali italian “Leceprima.it”. Gjithçka ndodhi gjatë një seance stërvitore të Leçes, të ditës së mërkurë, ku mbrojtësi Xhovani Tomi tentoi të godiste me grusht mesfushorin shqiptar, Memushaj. Ngjarja ndodhi në përfundim të stërvitjes, në terrenin me bar sintetik të fushës “Kolaçi”, gjatë seancës së gjuajtjeve të dënimit. Debati midis dy lojtarëve nga me fjalë e kaloi masën dhe Xhovani Tomi iu vërsul Memushajt, duke dashur ta godasë me grusht në fytyrë. Vetëm ndërhyrja e shokëve të skuadrës shmangu degjenerimin e situatës. Klubi verdhekuq vendosi t’i dënojë me gjobë të dy lojtarët, dhe më e bukura është se, masën e saj do ta vendosin shokët e tjerë të skaudrës. Të dy futbollistët do të detyrohen të bëjnë edhe disa detyrime sociale, por detajet e do të bëhen publike disa ditë më vonë. Në fakt, të dielën e kaluar, të dy lojtarët debatuan gjatë se kush do ta ekzekutonte një goditje dënimi, teksa zakonisht trajneri ka caktuar mesfushorin shqiptar. Leçe, skuadra italiane e Lega Pro 1 (ish-Seria C) ishte duke fituar 2-0 kundër Tritiumit kur ajo fitoi një goditje dënimi një pozicion interesant: Memushaj dhe Tomi u drejtuan drejt vendit të goditjes, dhe pas një debati të vogël, ishte shqiptari ai që e realizoi gjuajtjen, që për fat të keq u përplas në traversë dhe u rikthye sërish në lojë. Pikërisht, ai debat i vogël e prishi harmoninë midis dy shokëve të skuadrës. Zënka u përsërit dhe në stërvitje, duke përfituar edhe nga fakti që, trajneri i Leçes, Antonio Toma, ishte paksa larg duke bashkëbiseduar me bashkëpunëtorët e tij. Ngjarja është komentuar jo pak në portalin italian, ku herë i jepnin të drejtë shqiptarit, herë italianit.

Dhuna në stadiume,vit i ri-zakon i vjetër

  Vit i ri, zakon i vjetër në futbollin tonë, kjo përsa u përket dënimeve që jep Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Kështu, ekipi i Luftëtarit do të luajë pa tifozë ndeshjen e ardhshme në shtëpinë e tij, atë kundër Vllaznisë së Shkodrës, pas hedhjeve të mjeteve ndezëse në takimin e humbur 3-1 kundër Kukësit. Për gjirokastritët kjo është hera e dytë që ndëshkohen me një ndeshje pa shikues në “Gjirokastra”, pasi ishin dënuar edhe një herë tjetër (më 5 shtator 2012), pas fitores 4-1 me Teutën. Dënimin më të rëndë e mori Naftëtari: 6 ndeshje Kuçovës, pas incidenteve në ndeshjen e fundjavës së kaluar kundër Elbasanit. Më 10 tetor 2012, Naftëtari u dënua me 8 ndeshje jashtë shtëpisë, pas problematikës së krijuar në takimin me Dinamon. Disiplina paralajmëroi Skënderbeun dhe Vllaznisë, për mospërsëritje të hedhjes së fishekzjarrëve. Zvëndëstrajneri i Himarës, Shpëtim Imeraj u pezullua dy ndeshje për shkak të protestave të tij ndaj gjyqtarëve të ndeshjes Himara-Tërbuni. Për Imerajn kjo është hera e dytë që ai merr të njëjtën dënim, më parë ishte ndëshkuar më 22 nëntor 2012, pas ndeshjes Lushnja-Himara. Përsa u përket lojtarëve, mesfushori i Laçit dhe i Kombëtares, Erjon Vuçaj, u pezullua një ndeshje; dhe po me një ndeshje u pezulluan Adriatik Meta (Mamurrasi) dhe Grizeld Dervishi (Lushnja), që të tre për sjellje jo korrekte ndaj kundërshtarëve. Kjo e çoi në 52 numrin e lojtarëve të ndëshkuar këtë sezon nga Disiplina, në të gjitha kompeticionet e futbollit shqiptar.