Jo vetëm babai, edhe Lionel Messi blen shtëpi pranë zyrave të Interit

283
Sigal

Pak ditë më parë mediat italiane raportuan se babai i Lionel Messit, Jorge Messi ka blerë një apartment në rrugën Joe Viale, shumë pranë zyrave të Interit, ndërsa sot është konfirmuar se edhe vetë ylli argjentinas ka marrë një shtëpi në kryeqendrën ekonomike të Italisë.

Numri 10 i Argjentinës dhe Barcelonës ka marrë një shtëpi në rrugën e Lirisë, një nga zonat më të lakmuara të Milanos, e njëjta ku ndodhen edhe zyrat e klubit të Interit, që prej kohës kur pronësinë e mori grupi kinez Suning.

Këto të dhëna flasin qartë që ylli argjentinas po përgatitet për të jetuar në Milano dhe u japin edhe më shumë forcë zërave se po punohet për një transferim të tij te Interi, ndoshta që këtë verë.

Drejtuesit e klubit zikaltër kanë mohuar gjithçka deri tani, por mediat në Itali raportojnë se grupi kinez Suning ka autorizuar Javier Zanettin që të studiojë mundësinë e transferimit të Messit te Interi dhe njëkohësisht po punojnë për të gjetur sponsorë të fuqishëm që të mundësojnë blerjen e tij.

Vetë Messi nuk ka preferuar të komentojë këto zëra, duke u përqendruar maksimalisht te Liga e Kampionëve, i vetmi trofe ku Barcelona është ende në lojë dhe do të provojë ta fitojë për të shpëtuar sezonin.

Kontrata e yllit argjentinas me Barcelonën skadon verën e ardhshme dhe deri tani palët nuk kanë arritur marrëveshjen për rinovimin, pavarësisht se janë zhvilluar disa raunde negociatash, ndërsa gjasat më të mëdha janë që Interi të tentojë afrimin e Messit pas një viti, kur të jetë lojtar i lirë.