Shqipëri-Islandë, rrugët që bllokohen në Tiranë

372
Sigal

Rrugët përreth stadiumit “Air Albania”, ku nga ora 20:45 zhvillohet takimi Shqipëri-Islandë, do të bllokohen në kuadër të një plani masash për sigurinë të marra nga policia.

Policia e Tiranës bën me dije se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore gjatë momentit të kalimit të tifozëve, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, konkretisht:

– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Policia shton se do të garantojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona të papajisur me dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo të kujdestarit.

Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium tifozët që në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si problematikë.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo do të kryejnë veprime antisportive.

Policia e Tiranës apelon për tifozëritë e të dyja skuadrave që të zbatojnë rregullat dhe ligjin.