Shpëtim Duro: Në 90 minutat e fundit, betejat luhen në Korçë dhe Tiranë

75
Sigal

INTERVISTA/ Specialisti i futbollit, Shpëtim Duro bën parashikimet e javës së 36-të të Superiores

Agron KAJA

Agron Kaja

Java e 35-të, çfarë përcaktoi përfundimisht në renditje me ndeshjet e saj?

Ajo ishte një javë me surprizë vetëm humbjen e Partizanit me Bylisi, si edhe humbjen e Tiranës me Teutën. Dhe si për Partizanin, ashtu edhe për Tiranën,  situatat janë ndërlikuar për synimet finale. Të tjerat ishin rezultate të pritshme.

Që nënkupton se dy ndeshjet që dolën nga pritshmëritë i ndërlikuan situatat në renditje?

Natyrshëm që ashtu ndodhi. Sepse Tirana tashmë ka shanse të vetme që të jetë skuadra, e cila do të luajë në Play-out me një skuadër të Kategorisë së Parë. Ndërsa Partizani e “goditi” veten për sigurinë e tij në zonën “Final 4”.

Po renditja në tërësinë e saj, ku ndryshoi dukshëm pas këtyre ndeshjeve?

Pas këtyre ndeshjeve, vetëm Partizani e ndërlikoi situatën në renditje, çka e vëndosi kokë më kokë me AF Elbasanin në ndeshjen e javës së fundit. Në fundin e tabelës ndryshimet janë me shumë pak diferenca, të pa llogaritshme.

Edhe në këtë javë të parafundit, mendoni se skuadrat e zonës “Final 4” patën probleme mes tyre për renditjen?

Problemet e tyre i vështirësoi vetëm Prtizani, sepse tre të tjerat sikur luajtën pa impenjimin e tyre të zakonshëm, ku asnjëra prej tyre nuk fitoi. Unë këmbëngul që Partizani mbeti problemi i vetëm në këtë zonë të renditjes.

Janë katër skuadra në zonën e mbijetesës, cila prej tyre e ka më shumë mundësinë e shpëtimit në këtë javë të 36-të?

Më vështirë e ka Laçi, edhe nëse fiton në Shkodër. Interesante do jetë Bylisi me Skënderbeun, sepse aty do të zhvillohen 90 minuta luftë për mbijetesë. Tirana ka shanse vetëm për Play-out, nëse fiton me Dinamon që i ka kapur synimet.

Ju si i përshkruani ndeshjet e javës së 36-të, ku mund të presim ndonjë surprizë?

Përshkrimi im është vetëm tek dy takimet më me interes: Partizani-Elbasani një ndeshje që vetë Partizani e komplikoi. por edhe Skënderbeu-Bylisi, ku një barazim e nxjerr Skënderbeun nga Superiorja. Gjithsesi, të presim këto 90 minuta.

Një javë para mbylljes së Superiores, mund të thuhet se skema me “Final 4” e ka mbajtur garën të hapur?

Mua nuk më pëlqen kjo skemë, sepse ka patur shumë dyshime. Madje në fazën e tretë ka patur edhe tolerime nga skuadrat kryesuese. Kështu që gara ka vazhduar e hapur mes skuadrave që kanë patur synimet e tyre, jo e kushtëzuar nga “Final 4”.

Luhen 90 minutat e fundit të Superiores, cili është verdikti juaj paraprak për renditjen përfundimtare?

Nuk mendoj ndonjë ndryshim të dukshëm në renditje pas ndeshjeve të javës së 36-të, por e mendoj Partizanin në “Final 4” dhe Laçin të dalë nga Superiorja. Lufta është te Skënderbeu-Bylisi që do vendosë shumë për korçarët.

Nëse ju kërkoj në renditje paraprake përfundimtare, cila mund të jetë sipas jush?

Është shpejt dhe e vështirë që ta përcaktojmë tani skuadrën kampione. Për mua, Egnatia që kryeson në 36 javë duhet të jetë kampione, ndërsa për vëndet e tjera në renditje, u shpreha më sipër se këto janë 90 minutat e renditjes përfundmtare.

Paradoksi me biletat, elbasanllinjtë vetëm 200 në “Arena e Demave”

Të dielën e 27 prillit, sfida e javës së fundit të Abissnet Superiore, Partizani-AF Elbasani, mbetet si kryendeshja për të përcaktuar skuadrën e katërt të zonës “Final 4”. Kjo ndeshje do luhet në “Arena e Demave”, ku tifozët e Elbasanit ndoshta do duan të “pushtojnë” kryeqytetin. Por stadiumin jo, sepse për fat të keq, verdheblutë nuk mund të jenë më shumë se 5% e të pranishmëve në “Arenën e Demave”, çka nënkupton diku te rreth 200 bileta për sektorin e tyre, që do të shiten në Elbasan. AF Elbasani e Partizani ndajnë vëndet 4 dhe 5 në renditje, me pikë të barabarta 50.

Zbardhen sot verdiktet e sezonit 2024-2025

Çfarë do zgjidhet sot në 90 minutat e fundit të Abissnet Superiore 2024-2025? Thuajse të gjitha verdiktet, sepse është pozicionimi final për të gjitha skuadrat, edhe për ato që synimet i kanë arritur. Së pari, do ketë renditjen përfundimtare zona “Final 4”, e cila më pas do vazhdojë ndeshjet mes tyre (1-3 dhe 2-4), dy fitueset për të nxjerrë skuadrën kampione. Egnatia, Dinamo e Vllaznia e kanë siguruar zonën “Final 4”, ndërsa për një vënd sot luftojnë AF Elbasani dhe Partizani, të cilët këtë enigmë do ta zgjidhin mes tyre në stadiumin “Arena e Demave”. Por edhe pjesa e katër vëndeve të fundit në renditje pritet të ndryshojë. Kryendeshja e kësaj zone luhet në Korçë, Skënderbeu-Bylis, ndërsa Laçi edhe nëse fiton me Vllazninë nuk i shpëton rënies nga Superiorja. Tirana i ka fatet në duart e Dinamos. Dhe nëse fiton, skuadra bardheblu i “gëzohet” vetëm vëndit të 8-të në renditje, që luan Play-out. Interesante, cilat skuadra do zbresin nga Superiorja!

 

Parashikimet e Basteve, java e 36-të

Vllaznia-Laçi   1=75% X=15%            2=10%

Dinamo C-Tirana        1=15% X=10%            2=75%

Teuta-Egnatia  1=15% X=70%            2=15%

Skënderbeu-Bylis        1=65% X=25%            2=10%

Partizani-Elbasani       1=45% X=10%            2=45%

 

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 36

Të dielën, 27 prill 2025

Vllaznia-Laçi                           15:30

Dinamo C-Tirana                    15:30

(Në “Arena Egnatia”)

Teuta-Egnatia                          15:30

Skënderbeu-Bylis                    15:30

Partizani-AF Elbasani             15:30

RENDITJA       

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Egnatia                     35        59

2.Vllaznia                    35        56

3.Dinamo City             35        55

4.AF Elbasani              35        50

5.Partizani                   35        50

6.Teuta                        35        41

7.Bylis                         35        39

8.Skënderbeu              35        38

9.Tirana                       35        36

10.Laçi                        35        36