Shpëtim Duro: Do ketë surpriza, disa skuadra janë një hap më lart nga të tjerat

Shpëtim Duro

INTERVISTA/ Nesër rinis Superiorja, specialisti i futbollit Shpëtim Duro i mendon dy faza të ekuilibruara

Agron KAJA

NOA

Pushimet dimërore ia lanë vëndin ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, si ishte performanca e skuadrave?

Me thënë të drejtën, ndeshjet e Kupës në 1/8 ishin shumë të ekuilibruara, çka tregoi se skuadrat e kishin vlerësuar. Me përjashtim të Teutës dhe Partizanit që e kaluan me rezultat të pastër kualifikimin, të tjerat u kualifikuan jo pa vështirësi.

Nisur nga rezultatet, cilin prej tyre e vlerësoni se doli jashtë pritshmërive?

Normalisht, rezltatet treguan se u kualifikuan skuadrat e pritshme. Duke veçuar Tirana-Skënderbeu, ku bardheblutë u kualifikuan në limite, Po kështu edhe kualifikimi i Elbasanit me Flamurtarin dhe i Bylisit me Laçin, që e arritën me vështirësi.

U evidentua në këto ndeshje ndonjë lojtar i ardhur në përforcim gjatë kësaj merkatoje të janarit?

Nuk kishte ndonjë lëvizje të dukshme, veç Tiranës që kishte bërë disa përforcime. Te skuadrat e tjera nuk u pa ndonjë lojtar i ri që të bënte edhe diferencën, çka nënkupton se merkato në këtë periudhë ka vështirësi në gjetjen e lojtarëve.

Skuadrat e kualifikuara në turin tjetër, do kenë trysni në vazhdimësinë e kampionatit?

Nuk mendoj se do kenë shpërqëndrim, sepse skuadrat tashmë e kanë të qartë rrugëtimin e tyre në këtë sezon. Mendoj se vëmëndje edhe do kenë për vazhdimësinë e Kupës, por jo ngarkesë. Edhe për Kupën do ketë seriozitet maksimal.

Ditën e mërkurë nisin ndeshjet e javës së 19-të kampionatit në Abissnet Superiore 2025-2026, si e shikoni kalendarin?

Duket një calendar me ndeshje të vështira, sepse kemi hyrë kështu në fazën e tretë të kampionatit. Situata duket e komplikuar, pasi bazuar në renditje, ka disa skuadra që kërkojnë “Final 4” dhe të tjerat mbijetesën. Janë duele interesante.

Cilën nga ndeshjet e javës së 19-të do ta veçoni si më të vështirën, apo edhe si një kryendeshje?

Të gjitha ndeshjet e javës së 19-të do jenë të vështira në këndvështrimin teknik, por Vllaznia-Egnatia dhe Teuta-Dinamo City mendoj se janë ndeshjet më të veçanta të kësaj jave. Ndërsa Vorën do ta shohim si do reagojë në stadiumin e saj të ri.

Këtë javë luhet edhe sfida Vllaznia-Egnatia, mbetet kjo një kryendeshje e kësaj jave të 19-të?

Patjetër që po, sepse në këndvështrimin tim, është Egnatia kampione në fuqi dhe me këtë autoritet shkon në Shkodër. Ndërsa Vllaznia e traditës besoj se do tregojë potencialin e saj më të mirë, edhe pse vjen pas disa rezultateve jo të mira.

Në gjysmën e dytë të sezonit në vazhdim, çfarë mund të presim ndryshe nga dy fazat e para? 

Unë them se disa skuadra janë një hap më lart se të tjerat, si Egnatia me Dinamon. Këto do jenë pretendentet për titullin, ndërkohë do ketë luftë të ashpër nga fundi, sepse nuk kanë shumë diferenca këto skuadra. Nisur nga skema, do ketë ekulibër dhe surpriza.

Si profesionist, çfarë do ti uronit skuadrave në dy fazat përmbyllëse të këtij kampionati?

Seicila skuadër duhet që të bëjë më të mirën në këto dy faza, për të arritur objektivat e sezonit. Por dëshiroj që të shpëtojë Tirana dhe të ngjitet Partizani në zonën “Final 4”. Si do menaxhohen situatat, do ketë ekuilibër në gjithë tabelën e renditjes.

 

Flamurtari pa drejtor sportiv, piketohet Tefik Osmani

Flamurtari prej disa ditësh është pa drejtor sportiv. Për këtë pozicion puna vazhdon me intensitet të lartë. Mësohet se në Vlorë, Sinan Idrizi është takuar “kokë më kokë” me Tefik Osmanin për një bashkëpunim të mundshëm, i cili e njeh mirë Superioren. Në të kaluarën, këtë pozicion e ka mbajtur te Tirana dhe te Vllaznia. Kalimi i Osmanit në Vlorë do të ishte një lëvizje rëndësishme për Flamurtarin në merkato, si nj përforcim i ekipit për të shpëtuar sezonin nga rënia në të Parën.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026     

Ndeshjet-Java e 19-të

E mërkurë, 14 janar 2026

Bylis-Tirana                             13:30

Vllaznia-Egnatia                     17:00

AF Elbasani-Flamurtari           17:00

E enjte, 15 janar 2026

Partizani-Vora                         13:30

(Në stadiumin e ri të Vorës)

Teuta-Dinamo City                 17:00

RENDITJA       

Skuadrat                    Nd       P

1.Egnatia                     18        37

2.AF Elbasani              18        33

3.Dinamo City             18        32

4.Vllaznia                    18        30

5.Teuta                        18        25

6.Partizani                   18        23

7.Vora                         18        19

8.Bylis                         18        18

9.Flamurtari                 18        14

10.Tirana                     18        10

KUPA E 74-t E SHQIPËRISË

Pas ndeshjeve në turin e 1/8-ve, të kualifikuarit presin sot shortin

Në fundjavën e kaluar, futbolli shqiptar nisi pjesën e dytë të sezonit 2025-2026 me ndeshjet eliminatore të Turit të 1/8-ve të Kupës së 74-ët të Shqipërisë. Kështu, ditën e shtunë u përcaktuan 8 skuadrat çerekfinaliste, në këto ndeshje ku u shënuan 21 gola dhe realisht u zhvilluan me rivalitet dhe emocion, edhe pse u ndeshën skuadra të niveleve të ndryshme në futbollin shqiptar. Bylisi nuk e pati të lehtë kualifikimin ndaj Laçit, dhe po ashtu edhe Tirana ndaj Skënderbeut e Vllaznia ndaj Pogradecit. Në çiftet e tjera, Dinamo City, Egnatia, Partizani dhe Teuta, treguan se këtë trofe e kanë në synimet e tyre. Tashmë 8 skuadrat e  kualifikuara për Turin çerekfinal janë ndarë në dy vazo, dhe sot në mesditë do të njohin kundërshtarët, pasi FSHF-ja ka planifikuar hedhjen e shortit në ora 14:30 në “Shtëpinë e Futbollit”.

KUPA E SHQIPËRISË

Turi çerekfinal

Vazo 1 Vazo 2

Egnatia            AF Elbasani

Vllaznia           Teuta

Partizani          Bylis

Dinamo C       Tirana

(Çiftet përcaktohen me short)