Shorti i ‘Europa League’, Trajneri i Dinamos së Kievit: Ekipin e Skënderbeut e njohim më mirë, por…

617
Trajneri i Dinamos së Kievit, Aljaksandr Khaskeviç, ka komentuar për faqen e klubit të tij shortin e Ligës së Europës dhe rivalët që do të ketë përballë. Sipas tij, në një farë mënyrë Dinamo e njeh më mirë se të tjerat ekipin e Skënderbeut, me të cilin është ndeshur dy herë në miqësore në korrik 2015 dhe janar 2016 duke fituar 3-0 dhe 4-1.
“Në fakt, Skënderbeu është skuadra me të cilën kemi më shumë familjaritet për shkak të miqësoreve që kemi zhvilluar me të. Por në fakt, me teknologjinë e sotme, mund të marrësh informacion brenda ditës për çdo klub”, tha ish-trajneri i Bjellorusisë i cili nuk ka qenë në drejtimin e Dinamos së Kievit në periudhën kur kjo e fundit luante kundër korçarëve këto miqësore.

Shorti i ka vënë përsëri ukrainasit përballë Jang Bojz, skuadrës që e eliminoi në turin e tretë të Ligës së Kampioneve, duke e zhvendosur në Ligën e Europës. “Mund të thuhet se ishte ironi e fatit. Por nuk kemi ndonjë ndjesi revanshi. I njohim aftësitë e skuadrës dhe tani na presin sfida të reja.

Partizani? Për momentin nuk mund të them gjë për të. Por di se si zakonisht skuadrat serbe do të kenë një tifozeri të çmendur pas krahëve. E pashë në takimin mes Crvena Zvezda dhe Krasnodar, ata në Beograd nuk janë lojtari i 12, por edhe i 13 e 14”, tha trajneri.

Khaskeviç pranoi se do t’i kishte pëlqyer të luanin kundër ekipeve gjermane si Hofenhajm apo Këln, por gjithashtu se tani kishte një objektiv për skuadrën e tij. “Prioriteti ynë është të fitojmë çdo ndeshje”, ishte mesazhi i qartë i tij.
Sigal