“U qetha gati zero se më zuri gjumi”, befason Murinjo: Ja pse shkova në Mynih

278

Ndërsa lojtarët e Totenhemit, ashtu si gjithë të tjerët në Premier Ligë shijojnë pushimet dimërore të kampionatit, nuk ka të tilla për trajnerin e tyre. Teknikët e tjerë po shijojnë diellin e Dubait apo Marbejës, por Zhoze Murinjo është i zënë duke menduar për fazën e 1/8-ave të Championsit, ku skuadra e tij do të përballet me Lajpcigun më 19 shkurt.

Portugezi fluturoi drejt Mynihut për t’i ndjekur djemtë e Julian Nagelsmanit në ndeshjen me kryesuesit e Bajernit të Mynihut të dielën. Ai mund ta kishte parë përballjen në TV ose t’ua linte videoanalistëve të tij të merreshin, por thotë në një intervistë për “Sky Sports” se asgjë nuk krahasohet me të qenurit personalisht në stadium.

STUDIOI LAJPCIGUN – “Është tepër e rëndësishme. Mund të shoh detajet e vogla. Edhe nxehmjet dhe çfarë bëjnë lojtarët individualisht. Mund të shoh atë që TV apo video nuk ma tregon. Disa aftësi janë ndonjëherë të fshehura gjatë ndeshjes dhe unë mund ta humbas këtë mundësi”.

57-vjeçari është i kënaqur me pushimin dimëror të kampionatit, por thotë se nuk ka nevojë për pushime personalisht: “Futbollistët kanë nevojë për disa ditë pushimi. Për trupin dhe shpirtin e tyre u duhet një pushim, por jo për mua. Mendoj se mënyra më e mirë për të ndihmuar skuadrën është të punoj”.

“JAM I LUMTUR” – Në një shkrim në gazetë, opinionisti Pol Merson thoshte se Mou është penduar për vendimin e tij për të marrë drejtimin e Totenhemit. Por portugezi i përgjigjet se ai është me të vërtetë i lumtur në stolin e tyre dhe ka një marrëdhënie të mirë me lojtarët: “Në kundërshtim me atë që disa njerëz të cilët duan të jenë në lajme dhe thonë gjëra të pavërteta, unë jam shumë i lumtur në klub.

Ju më njihni shumë mirë, mjaftueshëm për të ditur se jam me të vërtetë i lumtur. A është e vështirë? Po. Por po të mos ishte e vështirë, nuk do të ishte për mua. Më pëlqejnë lojtarët dhe kush janë ata. Më pëlqen shumë marrëdhënia që kam me ta. Nëse shikoni një fytyrë të ngrysur nga unë, është për shkak të një rezultati të keq. Unë nuk mund ta ndryshoj veten. Jam thjesht unë. E vërteta është se jam i lumtur dhe mezi po pres atë që po vjen, edhe akoma më shumë atë që vjen sezonin e ardhshëm. Dua të nis të punoj me ta që prej korrikut”.

 ELOZHE TERRIT – Lojtarët e Totenhemit rikthehen në stërvitje të mërkurën për të përgatitur ndeshjen ndaj Lajpcigut dhe vizitën ndaj Aston Vilës në Premier Ligë të dielën. Xhon Terri do të jetë në stolin kundërshtar dhe Murinjo është plot fjalë pozitive për ish-kapitenin e tij te Çelsi. “Speciali” thotë se i pëlqen që ish-mbrojtësi nuk provoi të bëhej menjëherë trajner, por e nisi si asistent i Din Smithit në “Villa Park”:

“Disa futbollistë, ndryshe nga ajo që ndodhte në të shkuarën kur duhet të provoheshe për të nisur një punë, në këtë moment e fitojnë punën pa provuar asgjë. Edhe Xhon mund të kishte zgjedhur këtë mënyrë dhe të priste telefonatën e madhe. Por ai nuk zgjodhi këtë mënyrë. Ai zgjodhi rrugën e vështirë, por me shumë mundësi më të qëndrueshmen, duke qenë një asistent, duke shkuar në Championship për të ardhur në Premier Ligë.

Ai mori kohë për të arritur atë që dëshiron të arrijë. Dhe do t’ia dalë. Unë jam shumë krenar për mënyrën se si po i bën gjërat”. Murinjo dhe Terri i ruajnë kontaktet rregullisht. Trajneri i dërgoi ishlojtarit të tij një mesazh urimi kur Aston Vila arriti në finalen e Kupës së Ligës pak ditë më parë. “Është një ‘deja vu’ për të”, thotë njeriu që e fitoi këtë trofe tri herë me Terrin kapiten të skuadrës së tij.

LUFTA PËR VENDIN E 4-t – Murinjo rikthehet në “Stamford Bridge” më vonë këtë muaj. Nëse rezultatet e Totenhemit vazhdojnë të ruajnë trend përmirësimi, atëherë skuadra e tij mund të ketë shansin për ta kapërcyer Çelsin në garën për vendin e katërt. Në fakt, nëse sezoni do të kishte nisur kur Murinjo u ul në stolin e “Spërsave”, në fillim të nëntorit, atëherë skuadra e tij do të ishte aktualisht e katërta, me pikë të barabarta me Lestërin dhe vetëm -2 pikë pas Mançester Sitit: “Ne si skuadër, gjatë javëve të fundit po tregojmë karakter.

Këtë sezon ka qenë e vështirë për ta, edhe përpara se unë të vija. Ata humbëm kapitenin Hygo Loris për një kohë të gjatë. Pastaj në mënyrë progresive humbet një tjetër lojtar, një tjetër e kështu me radhë. Por mënyra se si skuadra ka luftuar më ka bërë akoma më krenar për ta. Njerëz si Son dhe Lukas shkojnë në limitet e tyre dhe japin absolutisht gjithçka. Edhe lojtarët e dëmtuar po provojnë të japin gjithçka. Shpirti është fantastik”.

QETHJA E RE – Përpara javëve të ngjeshura, Zhoze zgjodhi të shfaqej me një pamje të re, me një prerje ultra të shkurtër të flokëve, gati në limitet e zeros. Ai thotë se i pëlqen, edhe pse pranon se modeli i fundit i flokëve ishte aksidental: “Më zuri gjumi në karrigen e berberit dhe kur u zgjova i kisha flokët aq keq sa i thashë vendos krehrin e shkurtër. Shpresoj që të më rriten shpejt përsëri”.