Shkëlzen Rustami: Po luajmë një Superiore B, do jemi protagonistë realë

Shkëlzen Rustami

KATEGORIA E PARË/ Zëvendëstrajneri i Kastriotit, Shkëlzen Rustami, shpreh vlerësimin për kampionatin

Agron KAJA

Sigal

Java e 9-të e Kategorisë së Parë, veç rezultateve që u shënuan dhe 12 golave, solli edhe humbjen e parë të Skënderbeut, i cili në 8 javë kishte 7 fitore dhe 1 barazim. Ishte Kastrioti që e nënshtroi skuadrën korçare me rezultatin 3-2, një fitore që për krutanët erdhi në mometin e duhur për të dalë nga kriza e rezultateve, pse jo, edhe për t’u ndarë nga vëndet e fundit në renditje. Këtë e pohon edhe zëvendëstrajneri i Kastriotit, Shkëlzen Rustami, i cili për gazetën “Telegraf” u shpreh se kjo ishte edhe fitorja e kthesës në këtë kampionat. “Skuadra e Kastriotit nuk po e gjente mirë veten në 8 javët e para, edhe pse lojtarët gëzonin formë të mirë. Kjo situatë po na dukej sikur kishte një ngërç, kryesisht në shënimin e golave apo edhe në reagimin kur e pësonim gol në fundin e ndeshjes. Ndërsa në sfidën me Skënderbeun, dukshëm funksionoi mirë në grup i gjithë ekipi, dhe kjo mendoj se ishte e veçanta kryesore e këtyre tri pikëve me shumë vlera në këtë javë të 9-të”, kështu e nisi dje bisedën Shkëlzen Rustami, aktualisht zëvendëstrajner i Kastriotit, ndërkohë që më parë si futbollist ka luajtur në disa skuadra të Superiores në Shqipëri. Ndërsa për ecurinë e skuadrës së tij, por edhe të gjithë kampionatit të Kategorisë së Parë në këtë sezon, specialisti i futbollit Shkëlzen Rustami u shpreh se për disa skuadra, ka patur luhatje që nuk ju kanë dhënë mundësinë të shprehet në vlerat e tyre reale. “Mendoj se disa skuadra të kampionatit në Kategorinë e Parë të këtij sezoni, këtu edhe Kastrioti, kanë patur oshilacione, të cilat nuk ju kanë dhënë mundësinë të shprehen në vlerat e tyre reale. Kësisoj, skuadra jonë duket se kundërshtar të parë ka patur vetvehten, më pak kundërshtarët. Rezultatet tona nuk kanë qënë ato më të pritshmet, ndërsa fitorja me Skënderbeun jo vetëm se na jep më shumë besim për vazhdimësinë, por aty kemi parë edhe disa dukuri të tjera që skuadra duhet ti përmirësojë në vazhdimësinë e kampionatit”. Ndërsa në javën e 10-të, krutanët udhëtojnë në Kukës, me të cilët i ndajnë vetëm 2 pikë në renditje. Por Rustami deklaron se aty shkojnë me besim për një ndeshje sikundër ndaj Skënderbeut dhe për të dhënë maksimumin. “Në Kukës është sfida e radhës, dhe si e tillë na forcon besimin se mundësitë tona janë për të marrë rezultat pozitiv. Ne luajmë në një kampionat shumë i fortë, me skuadra që kanë dalë kampione e kanë fituar trofe në Superiore, një i tillë është edhe Kukësi. Unë e quaj një Superiore e dytë”, kështu u shpreh dje Shkëlzen Rustami, zëvendëstrajner i Kastriotit të Krujës.

Javën e ardhshme, Silvinjo me listën Anti-Andorrë

Dita e fundit e muajit tetor 2025 hapi garën e “etheve” te trajneri i Kombëtares sonë Silvinjo. Përmes një postimi në rrjetet sociale, dje FSHF-ja ka bërë të ditur se në datën 7 nëntor, në orën 10:00, trajneri i Kombëtares do të zbulojë listën e fundit për këto kualifikuese të Botërorit 2026, ku Shqipëria merr pjesë në Grupin K kualifikues. Renditja në vëndin e 2-të me 11 pikë, dhe duke patur Serbinë në ndjekje në vëndin e 3-të me 10 pikë, i bëjnë dy sfidat e fundit si finale për të arritur synimin, vëndin e 2-të në grup. Rikujtojmë se kuqezinjtë luajnë në transfertë me Andorrën më 13 nëntor, ora 20:45, ndërsa do të luajnë me Anglinë më 16 nëntor ora 18:00. Anglezët e kanë siguruar vëndin e 1-rë në këtë grup, përballja në “Air Albania” më shumë do të jetë edhe një festë kualifikuese, edhe me barazimin. Grumbullimi i Kombëtares do të bëhet në Barcelonë më 9 nëntor.

FSHF dhe UEFA, në Tiranë për personat me nevoja të veçanta

Nuk kishte zhvilluar një veprimtari e tillë, si ajo që mbylli punimet ditën e djeshme, pasi FSHF-ja mirëpriti për herë të parë “UEFA Regional Coaching Disabled Workshop”, një seminar tre-ditor, i cili kishte në fokus trajnimin e trajnerëve që punojnë me futbollistë me nevoja të veçanta. Gjatë seminarit, përveç përfaqësuesve të FSHF-së, morën pjesë edhe përfaqësues të UEFA-s, të cilët ndanë eksperiencat dhe njohuritë e tyre në fushën e futbollit për persona me nevoja të veçanta. Ndër ta ishin Jeff Davis, ekspert i UEFA-s për futbollin e personave me nevoja të veçanta, Les Hoëie, mentor dhe edukator i programeve bazë të UEFA-s, si dhe Vladimir Luptak, mentor i futbollit i bazës pranë UEFA-s. Në përfundim, pjesëmarrësit vlerësuan organizimin e FSHF-së dhe angazhimin e saj për të krijuar më shumë mundësi përfshirjes së personave me nevoja të veçanta në futboll. Ky aktivitet përforcoi përkushtimin e FSHF-së për futbollin e hapur.

 

 

Dorëhiqet trajneri Senigaliesi i Laçit, vjen Shensoi

Dje në mesditë, klubi i Kategorisë së Parë, Laçi, ka njoftuar se trajneri Stefano Senigaliesi ka paraqitur dorëheqjen. Sipas njoftimit publik të klubit laçian, Senigaliesi largohet për arysye familjare, ndërkohë që e falenderon për punën e shkëlqyer që ka bërë me skuadrën. Ndërsa pasdite, Laçi zgjodhi trajnerin e ri, ku drejtimi iu besua Naxhii Shensi. 67-vjeçari rikthehet në Shqipëri, ku më parë ka drejtuar Kukësin dhe Bylisin. Pas 9 javëve kampionat, Laçi renditet në vendin e 2-të.

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java e 10-të  

E dielë, 2 nëntor 2025

AF Luftëtari-Besa                   14:00

Iliria-Burreli                            14:00

Kukësi-Kastrioti                      14:00

Laçi-Lushnja                           14:00

Skënderbeu-Korabi                 17:00

E hënë, 3 nëntor 2025

Pogradeci-Apolonia                14:00

RENDITJA 

Skuadrat                    Nd       P

1.Skënderbeu              9          22

2.Laçi                          9          17

3.Pogradeci                 9          15

4.Iliria                          9          15

5.Apolonia                  9          13

6.Burreli                      9          12

7.Korabi                      9          10

8.AF Luftëtari             9          9

9.Lushnja                    9          9

10.Besa                       9          7

11.Kastrioti                 9          7

12.Kukësi                    9          5