Mahir Halili: Tirana dhe Partizani, dy zhgënjimet e fazës së parë

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i Dinamos e Tiranës, Mahir Halili, analizon Superioren

Agron KAJA

NOA

Superiorja e mbylli fazën e parë të këtij sezoni me ndeshjet e javës së 9-të. Cili është përshkrimi juaj për këtë javë?

Them se ka patur ndeshje të mira dhe të luftuara, ku kanë spikatur jo vetëm skuadrat që i kanë fituar sfidat. Sepse ishin ndeshje që prodhuan lojë dhe 12 gola, tregues këta që në vlerësimin tim e veçojnë si një javë pozitive.

Kjo javë kishte “derbi”, kishte sfida delikate dhe lëvizje nga kreu në fundin e renditjes, priteshin të tilla?

Edhe priteshin këto lëvizje, nisur nga rezultatet, por më kanë suprizuar Partizani me Tiranën, të cilat i mendoj në një krizë rezultati. Janë skuadra me oshilacione që duhet të kenë edhe probleme brënda tyre, kryesisht financiare që duhet t’i zgjidhin. Në këndvështrimin tuaj teknik, ku ishin pritshmëritë më të afërta në këtë javë të 9-të?

Ndoshta pritshmëritë ishin ndryshe tek Tirana, pse jo edhe te Vllaznia, Teuta dhe  Partizani. Kanë zhgënjyer këtë javë, ndërsa Vorën duhet ta shohim ndryshe, sepse të gjitha ndeshjet i ka luajtur jashtë fushe dhe ka bërë maksimumin me 10 pikë.

Sikundër ju i përshkruani, mund të themi se nuk kishim ndonjë surprizë në këtë javë që u mbyll?

Po, supriza më e madhe ishte humbja e Vllaznisë kryesuese në Vlorë, ndaj Flamurtarit të fundit në tabelë. Partizanin nuk e quaj suprizë në humbjen me Dinamon, ishte një derbi ku diferencën e bëri trajneri Daja me menaxhimin e skuadrës në fushë.

Këtë javë u shënuan 12 gola, e kanë treguar skuadrat portretin e tyre para portave kundërshtare?

Shënimi i golave tregon forcën sulmuese, por unë si një ish-sulmues, ende jam i pakënaqur nga lojtarët “gol” në veçanti, por edhe në shënimin e golave në përgjithësi. Nëse i referohemi mesatares së golave në fazën e parë, mendoj se është e ulët.

Nisur nga rezultatet në 9 javë, si e lexoni renditjen nga kreu në fundin e saj?

Vllaznia me dorën solide të Edi Martinit, por edhe Egnatia me Edlir Tetovën. Vllaznia u thye dhe u ngushtua diferenca me ndjekësit, ndërsa dy skuadrat më me traditë, Tirana dhe Partizani janë në krizë të plotë, treguan përgatitjet e tyre në fazën përgatitore.

Në fundjavë luhet java e 10-të, e para e fazës së dytë, mund të themi se Egnatia-Vllaznia është sfidë kryesimi?

Nisur nga vëndet e tyre në tabelën e renditjes, e tillë mbetet Egnatia-Vllaznia, si kryendeshja e javës së 10-të. Dinamo-Teuta e Vora-Partizani, janë të këtij niveli, dhe nëse Tirana nuk fiton në Ballsh, nuk do ketë shumë kohë për rikuperim, e ka të sigurtë rënien.

Po katër ndeshjet e tjera, çfarë statusi marrin nga këndvështrimi juaj teknik?

Unë e përmënda më sipër për ndeshjet, por tashmë po i referohem renditjes. Hymë në fazën e dytë dhe këtu skuadrat nuk mund të qajnë fazën e parë, kampionati merr tjetër rëndësi, sepse të gjitha ndeshjet sa vijnë dhe bëhen më të vështira.

Pas javës së 11- do ndërpritet kampionati për ndeshjet e Kombëtares. Si duhet të shfrytëzohet kjo hapësirë nga trajnerët?

Hapësira të tilla me ndërprerje të kushtëzuara të kampionatit, shërbejnë kryesisht për skuadrat që kanë oshilacione, si Tirana, Partizani e Flamurtari. Do kenë kohë që të shohin gabimet, apo edhe për rikuperime fizike të lojtarëve të dëmtuar.

Të dielën Egnatia-Vllaznia, duel për kreun

Kryendeshja e javës së 10-të, Egnatia-Vllaznia mbetet edhe një nga sfidat më intriguese të javës në Kategorinë Superiore. Jo vetëm se në vitet e fundit përballja mes tyre është shndërruar në një “klasike” moderne të futbollit shqiptar, por edhe pse për faktin se në renditje ndajnë kreun me 1 pikë diferencë të shkodranëve. Një fitore e Egnatias do të mjaftonte për të përmbysur gjithçka në vëndin e parë, ndërsa shkodranët i mban në krye edhe barazimi. Kujtojmë se në kampionatin e kaluar, Egnatia e shposhti Vllazninë në “Final 4” duke dalë kampione.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026    

Ndeshjet-Java e 10-të

E dielë, 2 nëntor 2025

Tirana-Bylis                             14:00

Dinamo City-Teuta                 17:00

Flamurtari-AF Elbasani          17:00

E hënë, 3 nëntor 2025

Vora-Partizani                         14:00

Egnatia-Vllaznia                     17:00

RENDITJA  

Skuadrat                    Nd       P

1.Vllaznia                    9          19

2.Egnatia                     9          18

3.AF Elbasani              9          17

4.Dinamo City             9          17

5.Teuta                        9          14

6.Vora                         9          10

7.Bylis                         9          9

8.Partizani                   9          8

9.Tirana                       9          6

10.Flamurtari               9          5

 

SITUATA TE TIRANA

“Baladat” me bankinën, largohet Bordin dhe vjen Nuhiu, trajneri i “treti i vërteti”

Nuk kishte ndodhur më parë me skuadrën e Tiranës, që në një fazë të Superiores të ulte në bankinën e saj tre trajnerë, nga këta njëri shqiptar, një italian dhe i treti nga Maqedonia e Veriut. Shkak është bërë humbja 1-4 përballë Elbasanit në javën e 9-të, e cila ishte tronditëse për bankinën bardheblu. Vetë klubi kryeqytetas ka vendosur që nga dje, trajneri Roberto Bordin të mos jetë në stolin bardheblu. Në njoftim thuhet se italiani e mori këtë vendim pas 7 ndeshjesh me kryeqytetasit, ku mori 4 humbje, 2 barazime dhe 1 fitore, atë në derbin me Partizanin, dhe pasi ka përshëndetur futbollistët së bashku me ndihmësin e tij Veroneze, është larguar përfundimisht nga drejtimi. Por Tirana e ka gjetur pasuesin, bëhet fjalë për 46-vjeçarin Ardian Nuhiu, i cili pas përfundoi bashkëpunimin me Gjilanin ulet dje në stolin bardheblu. Nuhiu është trajneri i tretë i Tiranës në 9 javë të kampionatit, sepse deri në javën e dytë drejtoi Vangjel Mile, nga java e tretë deri në të nëntën drejtoi Bordin. Tirana renditet në vëndin e 9-të me 6 pikë, dhe në javën e 10-të pret në fushën e saj Bylisin.

9 “BALADA”-DY BANKINA

Trajnerët në fazën e parë

Vangjel Mile  2 ndeshje

0 fitore, 1 barazim, 1 humbje

Roberto Bordin         7 ndeshje

1 fitore, 2 barazime, 4 humbje

Renditja: vëndi 9-të-6 pikë

Adrian Nuhiu nga java e 10-të