Shiu, Islanda dhe gafat Ujkanit “baltosin” Shqipërinë

467
Sigal

Shqipëri-Islandë 1-2. Humbja e dytë rresht e Kombëtares. Shuhet ëndrra për të shkuar në Botërorin e Brazilit

Nën një shi, që e bëri tepër të rrëshqitshëm terrenin, dhe madje vonojë 20 minuta fillimin e pjesës së dytë, Shqipëria pësoi një humbje të turpshme 2-1 me Islandën, e dyta rresht pas asaj me Zvicrën, duke i shuar përfundimisht shpresat për të mbërritur në finalet e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Fatin e takimit e vendosën dy gafa të portierit Samir Ujkanit, që na penalizuan rëndë. Një krosim i Islandës, i kombinuar nga dy pasime me kokë, dhe e shoqëruar me pakujdesinë e Ujkanit, i dhanë mundësi Birkir Bjarnsonit të shënonte golin e parë për Islandën në minutën e 19-të. Dhjet minuta më pas, pas një kombinimi të rrjedhshëm Edgar Çani barazoi 1-1. Goli i tretë i Çanit me përfaqësuesen, pas atyre me Gjeorgjinë (në debutimin e tij, miqësore) dhe Qipros (zyrtare). Një flamur gjigant u shpalos në tribunën D2, atë qendrore, ndërkohë që thuajse i tërë stadiumi thërri emrin e tij në kor. Fraksioni i parë u mbyll nën rrebeshin e shiut, ndërkohë që pjesa e dytë, me vendim të delegatit të FIFA-s nisi me 20 minuta vonesë. Në minutën e 58, Çani realizoi një gjuajtje të fuqishme, por portieri Halldorson reagoi në mënyrë të shkëlqyer. Njëzet minuta më pas, një silurë e Roshit kaloi pranë shtyllës pingule, përpara se Islanda të shënonte me një gjuajtje të bukur golin e dytë me anë të Gylfi Sigurdsonit. Edhe pse luajti me tre sulmues Edgar Cani, Armando Sadiku dhe Hamdi Salihi, dhe më pas dhe Erjon Bogdani, Kombëtarja jonë nuk arriti të shënojë golin e barazimit.

___________________________________________________________________________________

XHANI DE BIAZI: “ËSHTË E RËNDË TË HUMBËSH”

Trajneri Xhani De Biasi, tha pas ndeshjes se Islanda përfitoi nga dy goditje standarde. “Është e rëndë të humbasësh një ndeshje të tillë, ku besoj se luajtëm shumë më mirë se kundërshtari jonë. Pësuam golin e parë nga një moskujdesje e mbrojtjes sonë, ndërsa në golin e dytë ne kishim topin në kontroll, ata fituan një goditje dënimi dhe realizuan. Më vjen keq që humbëm, pasi lojtarët bënë vërtet një ndeshje të mirë, në një fushë që fatkeqësisht ishte tepër e rënduar nga shiu. Më vjen shumë keq dhe më djeg kjo humbje”, tha De Biazi. Tekniku italian gjatë gjithë javës i ishte frikësuar goditjeve standarde të kundërshtarit dhe pikërisht golat që i kushtuan humbjen erdhën si pasojë e një rivënieje anësore dhe një faulli rreth 20 metra larg porte. “Ne e dinim se ata janë të rrezikshëm në goditjet standarde dhe kishim gjatë gjithë javës që flisnim dhe po punonim në këtë drejtim, por për fat të keq ashtu i pësuam të dy golat. E thashë që më vjen keq që humbëm një ndeshje të tillë, pasi luajtëm më mirë se ndaj Qipros dhe lojtarët dhanë gjithçka kishin në fushë”, theksoi italiani. Në pushim mes dy pjesëve, De Biazi zëvendësoi Mehën, “trurin” e skuadrës me Roshin, ndërsa flet dhe për aktivizimin e Gilman Likës, i vetmi lojtar i Superiores që luajti në sfidën e djeshme me islandezët: “Gilman Lika e ka kondicionin e duhur për të përballuar ndeshjen, por ia rëndoi punën terreni. Ndërsa për Mehën prisja shumë më tepër, ka cilësitë e duhur për të bërë shumë më tepër dhe ka mundësinë për të zgjidhur ndeshjen në çdo moment, por mendova që në pjesën e dytë të aktivizoj një lojtar më dinamik si Roshi dhe them se loja jonë pati një ngritje”. Në pjesën e dytë, në kërkim të fitores italiani luajti me tre sulmues, duke prishur skemën e fillimit të takimit. “Besoj se Sadiku ka bërë një ndeshje të shkëlqyer, luftoi fort. Bëra ato zgjedhje për t’i bashkëngjitur sulmit edhe Salihin, në mënyrë që të ishim më të rrezikshëm në zonë. U munduam ta fitonim ndeshjen, por shënuan ata dhe për fat të keq ne humbëm. Pesë minuta para se të pësonim golin e porosita skuadrën që të qëndronte në fushë e kujdesshme, katër mbrojtësit të mos lëviznin nga pozicionet e tyre, sepse mendova se ne do të shënonim herët apo vonë, por duhet të mos ndëshkoheshim, dhe kjo ndodhi”, përfundoi trajneri i kombëtares, Xhani De Biazi.