Sadiku fiton “Këpucën e Artë”, De Biazi i mohon Kombëtaren

522
Sigal

Sulmuesi elbasanas shënoi dje dy gola në fitoren 4-3 të Luganos ndaj Belinzonës në Zvicër. 18 gola këtë sezon

 Edhe pse Armando Sadiku është në një formë të mirë dhe po shënon rregullisht, ai çuditërisht nuk është ftuar nga trajneri i kombëtares, Xhani De Biazi, për ndeshjen e 7 qershorit me Norvegjinë. Sulmuesi ka qenë gjithnjë i grumbulluar me kuqezinjtë, madje ka qenë tepër i vlerësuar, por këtë herë italiani e ka lënë jashtë. Dopjeta e tij e djeshem në Challenge League (kategoria e dytë zvicerane), ishte si një “hakmarrje” për teknikun e kuqezinjve, i cili nuk e ka përfshirë në listën përfundimtare të cilën e publikoi ditën e djeshme. Emri i Sadikut nuk figuron për sfidën me norvegjezët, ku me sa duket De Biazit nuk i “duhen” golat e elbasanasit, i cili edhe me kombëtaren ka shënuar një të tillë. Në sulm, De Biazi ka Bogdanin, Salihin, Çanin dhe i ardhur i ri është Azdren Llullaku (luan në Rumani me Gaz Metan të Superligës). Armando Sadiku e mbylli në mënyrën më të mirë sezonin në Zvicër. Sulmuesi elbasanas u bë dje protagonist i fitores 4-3 të Luganos në fushën e saj me Belinzonën. 22-vjeçari shënoi dy nga katër golat e skuadrës së tij. Që në minutën e 7-të shqiptari kalon Luganon në avantazh, ndërsa në të 43’ Lorenzi dyfishon shifrat. Në pjesën e dytë Rodriguez shkurton diferencën, por është sërish Sadiku (80’) që realizon golin e tretë për ekipin e tij dhe dopjetën personale. Në fund të dy skuadrat shënojnë dhe nga një herë tjetër dhe i gjithë takimi përfundon 4-3. Lugano e mbyll kampionatin e Kategorisë së Dytë zvicerane në vend të shtatë me 44 pikë. Për Armando Sadikun ky ka qenë një tjetër sezon i suksesshëm. Me dopjetën e shënuar dje, elbasanasi arrin në kuotën e 20 golave, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i Challange League. Ky është edicioni i dytë radhazi që shqiptari fiton “Këpucën e Artë” në Zvicër, me dy skuadra të ndryshme. Vjet Sadiku arriti të shpallej golashënues me Lokarnon, teksa gjatë merkatos së verës u transferua te Lugano, duke përsëritur të njëjtin sukses personal.

 Lista “2” e Kombëtares, shtohen Berisha dhe Basha

 Trajneri Xhani De Biazi shpalli dje listën “shtesë” prej tetë lojtarësh të Kombëtares, që do t’u shtohen 18 të parëve, që tashmë janë prej 29 qershorit nën urdhrat e tij. Lajmi më i rëndësishëm për tifozët kuqezi do të jetë afrimi për herë të parë në kombëtare Amir Abrashit dhe Ergys Kaces. Të dy luajnë në mesfushë dhe kanë aftësi të mira sidomos në fazën mbrojtësi. Lojtari i Grasshoperit në kampionatin zviceran pasi i kapërceu të gjitha shkallët me skuadrat e moshave të Zvicrës, vendosi të vishte fanellën kuqezi. Aktivizimin e 23-vjecarit ndaj Norvegjisë mund ta pengojë vetëm ana procedurale e pajisjes me pasaportë, gjë që kalohet shumë shpejt. Një tjetër prurje shumë e rëndësishme në kombëtare pritet të jetë Ergys Kace. 19-vjecari i Paokut në kampionatin grek pas shumë dilemave ka vendosur përfundimisht të luajë me Shqipërinë. Nën urdhrat italianit do të jenë gjithashtu Hamdi Salihi dhe Emiliano Vila, të impenjuar deri në fundjavë me ekipet respektive PAS Janina dhe Iangsu Sainti. Në listë është dhe Vullnet Basha i Sionit dhe Valdet Rama i Valadolit në kampionatin spanjoll.

Lista e plotë e Kombëtares

 Samir Ujkani    Kievo

Etrit Berisha   Kalmar

Orges Shehi     Skënderbeu

Admir Teli      Karabak

Debatik Curri   Genshlebirlixhi

Mërgim Mavraj   Greuther Furth

Renato Arapi    Skënderbeu

Tefik Osmani    Teuta

Armend Dallku   Vorskla

Jurgen Gjasula  Duisburg

Migjen Basha    Torino

Ansi Agolli     Karabak

Armando Vajushi Liteks

Ervin Bulku     Sepahan

Sabien Lilaj    Skënderbeu

Azdren Llullaku Gaz Metan

Erjon Bogdani   Siena

Edgar Çani      Katania

Elseid Hysaj    Empoli

Ilir Berisha    Orebro

Amir Abrashi    Grasshopers

Ergys Kaçe      PAOK

Valdet Rama     Valladolid

Emiljano Vila   PAS Janina

Vullnet Basha   Sion

Hamdi Salihi    Jiangsu

  Kombëtarja, dje pushim

 Trajneri i kombëtares Shqiptare Xhani De Biazi vendosi t’i lërë pushim futbollistët kuqezi pas miqësores me Shpresën, që u fitua 4-0 nga të besuarit e tij. Tekniku italian ka krijuar një ide të qartë mbi formën e 18 lojtarëve që ka grumbulluar paraprakisht për sfidën e 7 qershorit me Norvegjinë.

 Zbardhet agjenda e Norvegjisë në Tiranë

 Federata norvegjeze e futbollit ka publikuar programin stërvitor që do të ndjekin nordikët gjatë javës për ndeshjen e 7 Qershorit me Shqipërinë në “Qemal Stafa”. Ndryshe nga kuqezinjtë që i kanë nisur prej disa ditësh përgatitjet pasi pjesa më e madhe e tyre e kanë mbyllur sezonin, norvegjezët të cilët janë në mes të kampionatit do të grumbullohen këtë të Hënë, në Oslo. Në orën 15:00 do të zhvillojnë seancën e parë stërvitore, ndërsa në 17:30 trajneri Egil Olsen I shoqëruar nga një ose dy futbollistë do të japin konferencën e parë për shtyp. Të Martën pasdite dhe të Mërkurën në mesditë norvegjezët do të vijojnë stërvitjen në stadiumin “Ulleval” të Oslos, për të mbërritur në Tiranë me “charter” në mbrëmjen e 5 qershorit. Të Enjten përgatitjet e norvegjezëve do të vijojnë në “Qemal Stafa” në orën 18:00, ndërsa pak para se të nisë seanca e fundit stërvitore trajneri Olsen do të japë konferencën e zakonshme për shtyp në vigjilje të sfidës me kuqezinjtë. Dyert e “Qemal Stafës” do të jenë të hapura për mediat vetëm gjatë 15 minutave të para të seancës së fundit. Takimi i shumëpritur Shqipëri–Norvegji do të nisë të premten në orën 20:30, ndërsa të shtunën në orën 11:30 në ambientet e “Sheraton” është parashikuar një tjetër konferencë për shtyp, para se delegacioni norvegjez të niset drejt Rinasit.