Sadik Mema: Noti në Shqipëri po njeh një zhvillim të madh, trofetë dhe medaljet do të shtohen edhe më shumë

913
Sigal

Një rritje e dukshme e notit shqiptar, diçka që vihet re në titujt e fituar, përfaqësimet dinjitoze dhe shtimin e numrit të fëmijëve që duan ta bëjnë këtë sport pjesë të karrierës së tyre. Janë të shumta arsyet që të bëjnë të gëzohesh e një ndër këto arsye është edhe profesionaliteti i profesor Sadik Mema, që me dijet, njohurinë dhe përvojën e tij, nuk ngurron të jetë një ndihmesë e madhe jo vetëm për notarët në akademinë ku trajnon, por në mbarë notin kombëtar. I pyetur për “Telegraf” profesor Mema tregon mbi arritjet e akademisë “te Stela” por edhe arritjet që noti shqiptar po njeh kohët e fundit, duke e bërë edhe më të lehtë edhe më të qetë punën e madhe që bëhet për të kapur të tjera nivele në not, si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

Profesor Mema, si shkoi turneu “Mimosa Cup” për akademinë “te Stela”?

Në dt. 14-15 shkurt u zhvillua ne Herceg Novi aktiviteti Mimoza Cup, ku mori pjese edhe ekipi ynë i akademisë së notit “te Stela” me 52 notare të të gjitha moshave. Përgjithësisht pjesëmarrja jonë ishte e suksesshme. Fituam 9 medalje, nga të cilat 1 ari dhe përmirësuam 7  rekorde kombëtare për të rriturit dhe për grup moshat si më poshtë: Nikol Merizaj 50m bretkosë, 35.76 (të rritura), Deni Baholli, 100m bretkosë, 1.07.91( rekord për moshën 17-18 vjeç dhe të rritur), Deni Baholli, 200m bretkosë, 2.29.12 (mosha 17-18, të rritur), Junus Fuga, 200mix – 2.52.84 (mosha 11-12 vjeç, M), Junus Fuga, 50m delfin – 34.77, (mosha 11-12 vjeç M), Klesti Ndoja, 200m bretkosë – 3.40.59 (mosha -10 vjeç, M), Zeki Metalla, 200m delfin – 3.48.69 (mosha -10 vjeç, M).

Do të merrni pjesë në ndonjë turne tjetër, kombëtar apo ndërkombëtar?

Tani po përgatitemi për dy aktivitete të rëndësishme që janë Kampionati Kombëtar i notit për fëmijë dhe KK i Notit për të rritur, që do të zhvillohen në 21-22 mars dhe 04-05 prill në pishinë 25 metra (dimërore). Këto janë aktivitete që i organizon FSH e Notit. Në këto aktivitete pjesëmarrja është masive, me ndonjë përjashtim për arsye financiare. Gjatë periudhës tetor 2014 e në vazhdim kemi organizuar disa aktivitete në resort “te Stela” si “Kupa e Çlirimit në 22.11.2014, ku morën pjesë 11 ekipe me 140 notarë, aktivitetin “Notojmë dhe Festojmë” me të gjithë fëmijët e akademisë më 06.12.2014, Kupën “Perspektiva” dt. 20.12.2014, ku morën pjesë 10 ekipe me 150 pjesëmarrës, si dhe disa aktivitete miqësore apo kontrolli që ne i zhvillojmë me gjyqtarë të FSHN çdo 1 apo 2 javë. Sa i takon muajve në vazhdim, do të organizojmë një aktivitet me veteranë dhe amatorë, një aktivitet për fëmijë “Sprinter Day”. Në vazhdim do të marrim pjesë në “Golden Orlando”, në Dubrovnik, në maj, do të zhvillojmë Festën e Notit (hapjen e sezonit veror}, për të vazhduar me veprimtaritë kombëtare të notit në pishina 50m.

Si është akademia “te Stela”, sa i përket rezultateve?

Rezultatet nuk kanë munguar, në 2014 fituam kupat në KK të notit për fëmijë, femra e meshkuj, kupën në KK të notit për të rritur (femra), disa kupa individuale me notarët më të mirë të shpallur në aktivitetet kombëtare si dhe kemi përmirësuar dhjetëra rekorde kombëtare për grup moshat dhe të rriturit. Notarët më të dalluar janë Nikol Merizaj dhe Deni Baholli për të rriturit, kampione dhe rekordmene kombëtar dhe në grupmoshat janë shumë notarë që kryesojnë garat ku aktivizohen, disa prej të cilëve kanë rekordet përkatëse të moshës si Junus Fuga, Klesti Ndoja, Zeki Metalla, e të tjerë notarë që do t’i shtohen listës së rekordeve në aktivitetin e ardhshëm.

Sa ka ndryshuar noti në Shqipëri, nga koha që ju ishit notar aktiv më tani, që ju jeni trajner?

Në periudhën kur kam notuar, në vitet 70-80, kemi pasur kushte shumë minimale, sidomos ne që jetonim në Tiranë. Ushtroheshim në Liqenin e Tiranës, pa asnjë lloj kushti (kthesa, starte, etj.), por ka pasur tjetër organizim. Në çdo klub drejtonin disa trajnerë sipas moshave, ka pasur shumë më tepër dëshirë dhe përgjegjësi. Teuta ose Lokomotiva e Durrësit ka pasur 16 trajnerë që drejtonin ekipet zinxhir dhe të rriturit. Kualifikimet teknike të trajnerëve ishin detyrime të herëpashershme, gjë pa të cilën nuk mund të drejtoje një ekip. Pra, ka pasur trajnerë të mire dhe pasionant, një pjesë e të cilëve janë prezent dhe me punën e tyre ruajtën vazhdimësinë e rezultateve edhe gjatë viteve të tranzicionit. Sa i përket rezultateve teknike të notareve të asaj periudhe  si S. Shyti, Sh. Kote, H. Bregu, E. Mema, J. Murati, P. Guma, F. Murati, I. Ymeri, E.Xhindi, F. Shehu, e shume të tjerë, mendoj që shumë nga ata që notojnë dhe që stërvitin në periudhën në të cilën flasim, përfshi edhe mua, do t’i kishin zili. Natyrisht, flas për 35 – 45 vite më parë. Megjithatë mendoj që jemi në rrugë të drejtë dhe të shpresojmë që eksperiencat pozitive të përgjithësohen gradualisht.

Çfarë përpjekjesh duhen bërë që të ketë sa më shumë fëmijë që merren me not?

Synimi për t’i kthyer ambientet ku punojmë, në shkolla të mësimit të notit, mendoj që është rruga më e mirë për të krijuar një masë të gjerë fëmijësh me një teknikë të lartë të mënyrave të notimit, e cila do të jetë garanci për një të ardhme shumë më rezultative. Përpjekje të tilla pozitive ka pasur nga klubi Tirana me z. Arjan Fetishaj, ka vazhduar me krijimin e Akademisë se notit “te Stela, klubi Nobis, klubi Teuta, etj., ku drejtojnë stafe teknike me trajnerë dhe instruktorë. Lidhur sa më sipër, për t’iu përgjigjur sa më mirë fluksit të madh të fëmijëve dhe dëshirës së prindërve për t’i aktivizuar fëmijët me sportin e notit (sport i shëndetit dhe i bukurisë trupore) duhet që t’i shërbejmë me njohuritë e domosdoshme profesionale. Pra, kualifikimi profesional mos të ngelet përvojë personale vetëm nga eksperienca, por të synohet kualifikimi i drejtuar dhe i organizuar nga një organ kompetent, siç është FSHN, në bashkëpunim me Universitetin e Sporteve, apo Komitetin Olimpik Shqiptar.

A po rikthehet në traditë noti në Shqipëri dhe a ka interes për këtë sport?

Në akademinë tonë të notit, falë kushteve shumë të mira të krijuara nga administratorët e “te Stela”, po krijojmë një traditë të mirë, qoftë sa i përket masivitetit ashtu edhe cilësisë në punë. Në përgjithësi, mësimi i notit fillohet pa pretendime dhe objektiva. Kur përmirësimi është i dukshëm dhe dhuntitë personale garantojnë arritje, atëherë fillon bashkëpunimi midis palëve, trajner-prind. Në periudha të caktuara, si mars- qershor 2014, kishim të regjistruar 550 fëmijë. Pra, mundësia për të punuar nuk mungon dhe seleksionimi i herëpashershëm ka krijuar mundësinë e plotshmërisë në grupet e notarëve të vegjël.

Zoti Mema, përveç akademisë “te Stela”, si paraqiten akademitë e tjera sa i përket talenteve?

Krahas notareve të talentuar që kemi në ekipet tona të moshave, do të thosha që edhe ekipet e tjera të notit kanë plot notarë të talentuar. Tregues për këtë është numri i madh i medaljeve që marrin notarët tanë të të gjithë ekipeve, fëmijë, të rinj e të rritur në veprimtaritë ndërkombëtare si Mal i zi, Maqedoni, Kroaci, Bosnje etj. Pra, me gjithë disnivelin në traditë, në infrastrukturë, në organizim, etj., ekipet shqiptare konkurrojnë si të barabarta në mitingjet ballkanike. Pra, natyrisht ka arritje dhe këto janë të dukshme nga viti në vit dhe gjithashtu një plejadë e tërë fëmijësh të talentuar, që padyshim do t’i çojnë shumë më lart rezultatet në sportin e notit. Këtë ecuri unë personalisht ia dedikoj trajnerëve dhe prindërve. Them trajnerëve sepse shumë prej tyre nuk kanë asnjë ndihmë materiale apo didaktike nga klubi ku aderojnë dhe administrojnë vetë të gjithë problematikën e shumtë që bart ekzistenca, funksionimi dhe ecuria teknike e ekipit, përfaqësimi në veprimtari etj., gjë që është e lidhur ngushtë në bashkëpunimin me kolektivin e prindërve të cilët krijojnë mundësinë e pjesëmarrjes në stërvitje e aktivitete, pa marrë parasysh shpenzimet financiare, kohore, etj.  Sa i përket nivelit aktual të rezultateve në not, mendoj që vitet e fundit ka pasur arritje të konsiderueshme. Kjo, falë shtimit të pishinave dimërore që për fat të keq janë ngritur vetëm në Tiranë dhe Durrës, si dhe punës së mirë që zhvillohet në shumë klube sportive. Them “për fat të keq” sepse shumë qytete me traditë si Saranda, Vlora, Shkodra, Pogradeci etj., e ndiejnë shumë këtë mangësi, megjithëse përfaqësohen rregullisht dhe shpesh me rezultate shumë të mira për individë të veçantë të grup-moshave, siç është rasti i Bianti Danaj i ekipit “Jon” Vlorë.

Si shfaqet në arenën ndërkombëtare noti, duke e krahasuar me disa vite të shkuara?

Pjesëmarrja në veprimtari madhore të notit si kupa COMEN, Kampionati Europian, Kampionati Botëror, apo Olimpiada, mendoj që ka qenë gjithmonë prioritet i FSHN. Duke marrë shkas nga veprimtaritë e viteve të fundit, pjesëmarrja e notarëve shqiptarë ka qenë me serioze dhe konkurruese. Notarë si S. Hoxha, N. Borshi, etj., kanë konkurruar me dinjitet në këto veprimtari. Gjithashtu, pjesëmarrja e një grupi të plotë notarësh, falë mbështetjes së FSHN, në Kampionatin Botëror në Doha, tregon që niveli i notarëve tanë po bëhet gjithmonë e më konkurrues.

 Ju faleminderit!

Rashel Demko: Të punosh me profesor Memën është privilegj dhe kënaqësi

Vlerat e një trajneri dalin në pah më mirë kur vihen në dukje nga sportistët që trajnon, e një rast i tillë ndodh edhe me profesor Memën që e gjithë puna i vihet në dukje nga notarët që trajnon çdo ditë, me shumë pasion. Rashel Demko, notare që prej 8 vjetësh, e aktualisht edhe instruktore, tregon se si është të trajnohesh dhe të punosh me profesorin e nderuar: “Unë kam 8 vite që merrem me not dhe është një privilegj për mua që të trajnohem nga profesor Sadik Mema, pasi kam mësuar shumë nga ai, sa i përket notit dhe disiplinë në arritjen e rezultateve. Prania e tij në akademi na ka bërë të gjithëve që të marrim nga përvoja e tij, përvojë që nuk ngurron ta shpërndajë, falë edhe pasionit që ka për punën që bën. Të gjithë ne duhet t’i themi një “Faleminderit!” të fortë, pasi është frymëzim për rrugën tonë si notarë profesionist”.

Besara Ibraj