Rrahman Hallaçi: Qëndrimi në kategori, objektivi i arritur për Kukësin

KATEGORIA E PARË/ Ish-trajneri i skuadrës kuksiane, Rrahman Hallaçi, tregon synimin sezonal

Nga Agron KAJA

Sigal

Në Kategorinë e Parë u mbyll java e gjashtë dhe skuadrat po kanë nisur përgatitjet e tyre për javën e shtatë. Por çfarë ka prodhuar kjo garë në gjashtë javë? Këtë e tregoi specialisti i futbollit Rrahman Hallaçi, i cili dje për gazetën “Telegraf” u ndal fillimisht te skuadra e Kukësit, me të cilën ka luajtur dhe e ka drejtuar si trajner. “Në këtë bisedë, fillimisht unë do të ndalesha te skuadra e Kukësit, e cila në gjashtë javët e luajtura u nis pas një organizimi në limitet e startit të kampionatit. Skuadra fillimisht u ndërtua me vështirësi, sepse nuk arriti dot në kohën e duhur të kalendarit. Ndërtoi një skuadër, e cila nuk ishte gati, edhe pse trajneri Ilir Spahiu bëri maksimumin në një afat të shkurtër. Por Emiliano Çela solli një frymë të re dhe ka ndryshuar modulin e tij të lojës në skuadër, duke marrë maksimumin. Deri tani, nuk jam i qartë nëse kjo skuadër do jetë pretendente, sepse me përbërjen që ka, nuk mendoj se arrin Besën me Flamurtarin. Por, do të uroja që klubi i Kukësit të mos jetë shitur, sepse ata që e kishin më parë, i kanë dhënë skuadrës shkëlqim në elitë”, kështu e nisi bisedën Rrahman Hallaçi, i cili duke ju referuar 36 ndeshjeve të luajtura, veçoi dy skuadra që mund të jenë pretendente për hyrjen direkt në Superiore. “Sikundër edhe kemi parë në këto gjashtë javë, Besa dhe Flamurtari duken skuadrat më të kompletuara, si në bankinë, ashtu edhe në përbërjet e tyre. Këto i shoh si më të mundshmet për ngjitjen direkt në Superiore, por në grupin e skuadrave të kreut mendoj se do ketë shumë rivalitet. Unë kam ndjekur dy ndeshje këtë javë, Apolonia-Besa apo edhe Flamurtari-Valbona. Besa është skuadër e fortë, Apolonia e pafat e mirëorganizuar. Ndërsa Flamurtari po tregon stabilitet në rezultatet pozitive. Gjithsesi, java e gjashtë nuk kishte surpriza, sikundër edhe fitorja e Kukësit me Korabin. Për skuadrat që mund të renditen në vëndet e fundit, besoj se nga faza në fazë, deri në të tretën, do ketë ndryshime. Sepse në pushimin dimëror skuadrat do bëjnë edhe merkato, që do t’u sjellë edhe ndryshime”. Këtë fundjavë luhen ndeshjet e javës së shtatë e më pas kampionati ndërpritet, këtë specialist Hallaçi e shikon në dy anë. “Ndëprerja u bën mirë skuadrave që nuk kanë patur stabilitet në rezultate, ndërsa atyre që kanë patur mangësi e renditje të dobët, ndoshta mezi e presin, sepse edhe lojtarët kanë mundësi që të reflektojnë. Për javën e gjashtë, nisur nga renditja, mendoj se Korabi-Flamurtari do jetë një ndeshje e veçantë. Në Peshkopi të gjitha skuadrat kanë ndjerrë vështirësi, por si renditje, në përgjithësi është e rregullt. Aq sa skuadrat kanë dhënë në këto gjashtë javë”, kështu e mbylli bisedën specialist i futbollit Rrahman Hallaçi.

KOMBËTARJA – LIGA E KOMBEVE

Tetori muaj kuqezi, Silvinjo me laps në dorë

Referuar kalendarëve, duket se muaji tetor 2024 do ngjyroset kuqezi. Sepse thuajse të gjitha ekipet tona kombëtare, meshkuj e femra, këtë muaj do të luajnë ndeshje të rëndësishme.  Kështu, Kombëtarja A e drejtuar nga braziliani Silvinjo, do të luajë dy takime në transfertë të vlefshme për Ligën e Kombeve. Më 11 tetor, ora 20:45 ndaj Çekisë, dhe më 14 tetor, ora 18:00 ndaj Gjeorgjisë. Dhe për teknikun e Kombëtares sonë, këtë herë dilemat janë ulur këmbëkryq, sepse ka lojtarë të dëmtuar, por edhe nga ata që nuk janë aktivizuar mjaftueshëm. Ndërkohë që janë edhe disa emra të rinj që po e tundojnë për listën. Sinjalet i ka dhënë dje trajneri i Kombëtars U21, Alban Bushi, që ka treguar një preferencë të re të Silvinjos, të cilin e mendon si Demollari i ri. “Është lojtar që i vjen rrallë Shqipërisë (Adrion Pajaziti), Silvinjo e donte që me Gjeorgjinë në Tiranë. Besoj se do ta marrë një ftesë për dy ndeshjet e Kombëtares edhe Muçi”. Këtë muaj, edhe Kombëtarja e femrave dhe ekipet kombëtare të moshave të tjera, U15, U17 dhe U19, do të zbresin në fushë në kuadër të kompeticioneve europiane ku marrin pjesë.

 

LIGA B-GRUPI B1

Ndeshjet-Janë luajtur

Ukrainë-Shqipëri         1-2

Shqipëri- Gjeorgji       0-1

RENDITJA

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Gjeorgjia      2          6

2.Shqipëria      2          3

3.Çekia            2          3

4.Ukraina        2          0

Ndeshjet-Do të luhen

Datë 11 tetor 2024

Çeki-Shqipëri              20:45

Datë 14 tetor 2024

Gjeorgji-Shqipëri         18:00

 

Nga dita e hënë, Erzeni pa trajner!

Ditën e premte do të luhen ndeshjet e javës së shtatë të Kategorisë së Parë. Por skuadra shijakase deri dje në mbrëmje nuk e kishte një emër zëvendësues për trajnerin e larguar zyrtarisht ditën e hënë, Justin Bespalla. Erzeni renditet në vëndin e 12-të pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, ndërsa humbja 2-3 me Kastriotin e “nxiti” sedrën profesionale të Bespallës, për ta lënë vakant vëndin në bankinë.

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 7

Datë 5 tetor 2024

Besa-Burreli                14:00

Valbona-Apolonia       14:00

Korabi-Flamurtari       14:00

Lushnja-Erzeni            14:00

Pogradeci-Kukësi        14:00

Datë 6 tetor 2024

Kastrioti-Vora             14:00

RENDITJA   

Skuadrat        Nd       Pikë    

1.Besa             6          16

2.Flamurtari     6          15

3.Vora             6          15

4.Burreli          6          11

5.Kastrioti       6          10

6.Kukësi          6          9

7.Lushnja        6          8

8.Pogradeci     6          6

9.Korabi          6          5

10.Apolonia    6          4

11.Valbona      6          4

12.Erzeni         6          0