Ja si u bë pronarja e Sokolaj sh.p.k aksionere në 4 kompani, “guacka” Hakliol që e lidhi me Scholz-in. Lëvizjet në QKR dhe manovrat për t’i shpëtuar ligjit.
01–Kompania guackë Hakliol që lidh Scholz me SOKOLAJ

Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se Gjovana Sokolaj është aksionere te 4 kompani, “Florester Metalik”, “SOKOLAJ” shpk, “S Corp” dhe “Scholz” shpk.
Kompania “S Corp” sh.a ka patur si veprimtari fushën e energjisë dhe e ka kryer aktivitetin për vetëm 3 vite pasi ka filluar procedurat e likuidimit. Kjo kompani rezulton në pronësi të Gjovana dhe Doni Sokolaj me qendër në qytetin e Lushnjes.
Familja Sokolaj ka aksione edhe te kompania “Scholz” shpk, të cilën e ka në bashkëpronësi me 50% të aksioneve me kompani gjermane, e cila ka pjesën tjetër të aksioneve dhe rezulton me pronarë fundorë kompaninë private kineze “Chiho Environmental Group Limited”. “Scholz” shpk ka si objekt veprimtarie grumbullimin, përpunimin, riciklimin, tranzitimin, transportimin dhe eksportimin e mbetjeve të ngurta dhe të vëllimshme me përmbajtje metalore, si edhe riciklimin e pjesëve dhe mbetjeve te hekurit.
Në vitin 2014, kjo kompani ka marrë licencën III.2.B nga Agjencia e Mjedisit dhe ka një pikë grumbullimi në zonën e Xhafzotaj në rrugën e Fllakës.
“Scholz” ka një histori të gjatë me ndryshimin e aksionerëve dhe administratorëve, ku disa prej tyre janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Kjo kompani është themeluar në 4 shtator 2008 nga kompania gjermane “Scholz Internationale Handelsgesellschaft”, e cila në 2016 kaloi në pronësi të kompanisë kineze, me Drejtor të Përgjithshëm shtetasin malazez Branislav Pejovic dhe ky i fundit i përfaqësuar nga shqiptari Rado Brajoviq.
Në 14 nëntor 2012, Branislav Pejovic dhe Rado Brajoviq largohen për t’ia lënë vendin si administrator të kompanisë kroatit, Kruno Kovacevic dhe kosovarit Arsim Muja.
Një vit më pas, në nëntor 2013 emërohet administratore Gjovana Sokolaj duke zëvendësuar Arsim Mujën dhe Kruno Kovacevic, e cila është edhe pronarja e “SOKOLAJ” shpk. Në nëntor 2014, kompania gjermane emëron si administrator shtetasin maqedonas Blazhe Mitrevski dhe shkarkon Gjovana Sokolaj.
Një detaj i rëndësishëm do të shënonte historikun e kësaj kompanie, e cila paraprakisht, në 17 maj 2014 do të bënte një marrëveshje për transferimin e 50 % të aksioneve, përkatësisht 25% të Doni Sokolaj dhe 25% të Gjovana Sokolaj me vlerë 250 euro. Në kundërshtim me ligjin, kjo kompani nuk ka deklaruar bilancet e saj vjetore në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku mungojnë të dhënat për vitin 2014.
Duke parë vetëm të dhënat për bilancin e vitit 2012, është e habitshme se si një kompani që ka të ardhura 225 milionë lekë ose 2.2 milionë euro i shet aksionet me këtë vlerë, por një fakt interesant del në skenë. Për periudhën 2014-2023 kompania “SOKOLAJ” kishte transferuar 3.2 milionë euro te kompania “Hakliol Madencilik” në Turqi.
Ekskluzivisht “Vetting” zbulon se kjo kompani rezulton e përfshirë edhe në marrëveshjen midis gjermanëve dhe familjes Sokolaj, duke ndryshuar edhe emrin e operatorit nga “SCHOLZ” në “Scholz & Sokolaj”.
Konkretisht sipas kësaj marrëveshjeje, blerësit që janë Gjovana dhe Doni Sokolaj pranojnë për shitësin, kompaninë gjermane “SCHOLZ” se do t’i transferojnë jo më vonë se data 30 shtator 2014 në favor të kompanisë “SOKOLAJ” shpk, titullin e pjesës së saj prej 50% te kompania në Turqi “Hakliol Madencilik Tasimancilik Sanayi ve sicaret”.
Në kontratë parashikohet se nëse nuk arrihen këto pika, edhe marrëveshja nuk realizohet dhe secila nga palët ka të drejtën të shkëputet nga pakti. Por para dy muajsh, ortaku turk Serdar Can Hakliol i shet pjesën e vet Gjovana Sokolaj te kompania “SOKOLAJ” shpk.
Nga kërkimet e “Vetting” në regjistrin zyrtar të biznesit në Turqi, kompania me kodin e afishuar në dokumentet zyrtare që është bërë transaksioni në Shqipëri rezulton me statusin e fshirë dhe me emrin “REKOR PASTAHANESİ TANAŞ PERİFTİ VE LEONİDA YOTO ŞİRKETİ”.
Sipas të dhënave, kjo kompani ka patur si objekt veprimi fushën e pastiçerisë, por rezulton e fshirë nga regjistri zyrtar dhe nuk gjendet asnjë lloj informacioni për aksionerët dhe administratorët.
Nga kërkimet e “Vetting” në regjistrin zyrtar të biznesit në Turqi, kompania me kodin e afishuar në dokumentet zyrtare që është bërë transaksioni në Shqipëri rezulton me statusin e fshirë dhe me emrin “REKOR PASTAHANESİ TANAŞ PERİFTİ VE LEONİDA YOTO ŞİRKETİ”.
Sipas të dhënave, kjo kompani ka patur si objekt veprimi fushën e pastiçerisë, por rezulton e fshirë nga regjistri zyrtar !


02-Por çfarë do të ndodhte më pas?
Në shkurt 2016, administratori maqedonas Mitrevski do të rikthente në kompani si përfaqësues të vetin Rado Brajoviq dhe palët do t’i drejtoheshin Gjykatës Administrative për problemet që lindën për shkak të mosmarrëveshjeve. Në vitin 2021, do të kishte zhvillime të tjera, sepse kompania do të shtonte edhe një zyrë tjetër fizike, e cila është në të njëjtin vend ku gjendet një nga zyrat e kompanisë “SOKOLAJ” shpk, në zonën kadastrale nr. 3852, me numër pasurie 298/2, të cilën do ta ndanin së bashku deri në tetor 2021.
Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting” zbulohet se kompania gjermane “SCHOLZ Internationale Handelsgesellschaft” ka bërë kallëzim penal për aksionerët Doni dhe Gjovana Sokolaj për mashtrim.
Në këtë kompani, si përfaqësues i konsorciumit gjerman, është avokati Sajmir Dautaj, i cili është pjesë e zyrës ligjore Italiane ndërkombëtare “Tonuçi & Partners” dhe prej prillit 2023 është vendosur si administratore Ada Çullaj.
Në 18 prill 2016, kompania “SCHOLZ” shpk është gjobitur nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit me masë administrative.
Disa ditë pas përhapjes së lajmit në median shqiptare për trafikun e mbetjeve, Gjovana Sokolaj shkarkon të afërmen e vet, Olizana Pemati nga roli i administratores te kompania “SOKOLAJ” shpk. Menjëherë pas largimit në 23 gusht 2024, Olizana Pemati do të themelonte kompaninë “GG & OV” shpk me objekt veprimtarie grumbullimin, depozitimin e mineraleve të kromit, bakrit, transportin me të tretët dhe logjistik.
Sipas gazetarit Gjergj Thanasi kësaj i thonë: “Mbreti vdiq, rroftë mbreti!
Pra, SOKOLAJ shpk doli nga loja praktikisht, besoj se do ia mbyllin gjërat edhe në Prokurori, krijojmë një kompani të re që të vazhdojë trafiku, kaq.
Dhe bëhet fjalë për sasi shumë të mëdhaja dhe për aktorë shumë të fuqishëm, kaq. Aktorë që po punojnë në shkallë globale”.
“Scholz” ka një histori të gjatë me ndryshimin e aksionerëve dhe administratorëve, ku disa prej tyre janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Nga dokumentet zbulohet se kompania gjermane “SCHOLZ Internationale Handelsgesellschaft” ka bërë kallëzim penal për aksionerët Doni dhe Gjovana Sokolaj për mashtrim.

03- Transporti i dyshimtë me firmat e Kosovës! Sokolaj del edhe në Prishtinë: Firma përpunon lëndë nukleare?!
Trafiku i mbetjeve toksike Kosovë-Shqipëri/ Denoncimi nga organizata ndërkombëtare mjedisore “Basel Action Netëork” ekspozoi inekzistencën e institucioneve shtetërore, të cilat duhet të kishin zbuluar trafikun e mbetjeve.
Dokumentet e publikuara nga BAN me qendër në Bazel zbuluan se prej muajsh në Kinë, në Portin e Nanshas, janë bllokuar 115 kontejnerë nga dogana kineze Fangcheng, që kanë ardhur nga Porti i Durrësit. Sipas dokumenteve të përkthyera në anglisht nga BAN BAZEL rezulton se kemi deklarime të ndryshme nga ajo që është deklaruar në Portin e Durrësit pasi kemi të bëjmë me mbetje të ngurta.
Në dokumente deklarohet koncentrat zinku, kurse nga analizat e kryera në laboratorët kinezë ka mbetje të ngurta.
Për herë të parë, zbulohet se duke ndjekur gjurmën e kontejnerëve sipas sistemit të gjurmimit MAERSK, ngarkesat në anije janë vendosur në Portin e Pireut duke nxjerrë zbuluar se kontejnerët janë shkarkuar në Greqi për t’u ngarkuar përsëri me destinacion final Kinën.
“Vetting” u përpoq të kontaktonte me zyrën e shtypit të Maersk, me Pavl Rasmussen për çështjen e kontejnerëve në Kinë që sipas BAN Basel kanë dalë me mbetje të ngurta, por kësaj radhe përfaqësuesi i MAERSK nuk pati asnjë koment.
E vendosur nën presion, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaroi se rasti i përmendur nga BAN Basel, i dyshuar për transport mbetjesh të rrezikshme lidhet me kompaninë zvicerane “Achro-Ag”.
Eksperti Abdulla Diku u shpreh se: “Si mund të thuhet, nuk dihet sa mbetje kanë dalë nga Porti i Durrësit, një objekt i sigurisë së lartë, një objekt i rëndësisë së veçantë, ku një qytetari të thjeshtë i kontrollohet çanta e shpinës”.
Të dhënat zyrtare nga regjistri zviceran i biznesit tregojnë se si përfaqësues të kësaj kompania janë, Jeton Islami dhe Sefik Ibraimi.
Prej vitit 2018 kjo kompani kryen veprimtarinë minerale, në kërkime gjeologjike dhe shfrytëzimin e kromit në zonën e masivit të Lubotenit në Kosovë nëpërmjet dy degëve të saj “Achro – shpk” dhe Achro-gl shpk”.
“Achro-shpk” ka si aksioner “Achro ag” zvicerane me 80% dhe Visar Suhodolli me 20% dhe drejtor Arjan Djeladini. Ndërkohë “Achro-Gl” shpk ka si drejtor Kujtim Hamidin dhe është plotësisht në pronësi të kompanisë zvicerane.
“Vetting” kontaktoi drejtorin Kujtim Hamidin për të marrë një koment përsa i përket deklaratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Shqipëri.
“Vetting” kontaktoi me telefon Kujtim Hamidi menaxher ACHRO-GL shpk deklaroi se:
“Gazetari: Doganat shqiptare kanë bërë një deklaratë para disa javësh përsa i përket kompanisë “Achro-ag” zviceranë për eksportin e një produkti që ka ardhur nga Kosova tranzit në Shqipëri.
Kujtim Hamidi: Po!
Gazetari: Sipas deklaratës nga doganat, kjo çështje i është referuar Prokurorisë dhe kjo transfertë prej 115 kontejnerësh, e cila ka shkuar në Kinë është bllokuar, sepse aktualisht nuk rezulton me koncentrat zinku, por me mbetje. Nuk jeni më pjesë e kompanisë?
Kujtim Hamidi: Jo…
Gazetari: Sepse këtu dilni drejtor dhe agjent i regjistruar, juve ju kanë lënë si menaxher për degën Kosovë.
Kujtim Hamidi: Aty del që një kompani tjetër, GL ndoshta është…
Gazetari: Po, po jeni, por GL-ja është në pronësi të Achro-ag, e kuptoni? Kompani mbas kompanie, sepse kjo është puna ime.
Kujtim Hamidi: Po, po, mirë po nuk ka të bëjë kurrgjë GL me atë dërgesë për shkak se GL operon këtu në qytetin e Gjilanit.
Gazetari: Me zotin Arjan (Djeladini, menaxher te Achro-Ag) mund të na vini në kontakt?
Kujtim Hamidi: Mundeni të bisedoni me ata sepse ata janë pjesë e kompanisë.”
Por Visar Suhodolli rezulton bashkëpronarë me 50% të aksioneve me kosovarin Faik Krasniqin në kompaninë me qendër në Elbasan “Albrecovery”, e cila deri në vitin 2021 ka qenë aktive dhe ka si objekt veprimtarie nxjerrjen, përpunimin, tregtimin e mineraleve dhe metaleve, si dhe përpunimin e materialeve inerte etj.
“Vetting” u përpoq të kontaktonte në linjë telefonike Visar Suhodollin dhe përfaqësues të kompanisë “Achro” shpk në Kosovë dhe “Albrecovery” në Shqipëri, por deri në publikimin e këtij materiali ishin të paarritshëm.
Por në Kosovë, Gjovana Sokolaj ka edhe një tjetër kompani “GG SA 2019” shpk, të cilën e ka në bashkëpronësi me Adriatik Hoxhën. Nga të dhënat zyrtare në regjistrin kombëtar të biznesit në Kosovë, kjo kompani është themeluar në vitin 2019 dhe si drejtoreshë ka znj. Sokolaj. Ashtu si kompania në Shqipëri, edhe kjo kompani me qendër në Prishtinë ka si objekt grumbullimin, transferimin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme.
Nga hulumtimi i të dhënave, bie në sy fakti që pronarët e kompanisë kanë vendosur si opsion te veprimtaria e kompanisë edhe përpunimin e lëndës djegëse nukleare. Kosova nuk është e përfshirë në vendet që përdorin si burim energjie lëndët nukleare.
Për të kuptuar më shumë “Vetting” kontaktoi zyrën e Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore.
Në linjë telefonike për “Vetting”, Naser Balaj konfirmoi se nuk ka dhe nuk ka patur ndonjëherë asnjë kompani me këtë licencë. I pyetur nëse ky subjekt kishte transportuar mbetje radioaktive, si mbetjet e gjeneruara nga pajisjet shëndetësore, Balaj e mohoi në mënyrë kategorike.
“Vetting” kontaktoi në linjë telefonike zyrtarin e Doganës Kosovë, Adriatik Stavilecin për të marrë një koment për deklaratën e Doganave në Shqipëri.
Sipas Adriatik Silaveci: “E kemi sqaruar. Ju jemi përgjigjur mediave në Shqipëri. Nëse doni mund t’ju sqarojmë edhe njëherë.”
Pyetjes nëse kompania ““GG SA 2019” shpk dhe “Achro-ag” kishin eksportuar mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme nga Kosova në Portin e Durrësit ngelën pa përgjigje.
Më herët, Doganat e Kosovës kanë dalë në deklaratë për mediat pas deklaratës së Drejtorisë së Doganave në Shqipëri.
“Eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme”, deklaron Dogana Kosovë duke iu referuar koncentratit të Zinkut.
Dogana e Kosovës shton se ka hapur një hetim mbi këtë çështje dhe do të shqyrtojë të gjitha rastet, që lidhen me këto dërgesa dhe do të informojë publikun.
Nesër do të lexoni
-Si funksion ‘matrioshka’ dhe shitja e mbetjeve tek kompanitë e veta ‘satelit’!
-Si arriti një kompani si “SOKOLAJ” shpk të marri një licencë kaq të rëndësishme dhe të krijojë një grup kompanish me shtrirje jashtë Shqipërisë?


















