Revolucioni “Panuçi” vazhdon, Binaku e Guri dy “legjionarët” e rinj

655
Sigal

Nga Agron KAJA

KOMBËTARJA/ Dje trajneri shpalli listën e futbollistëve për dy miqësoret me Kosovën e Ukrainën, ka rikthime dhe afrime të reja

Dje në mesditë, trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ka bërë publike listën e lojtarëve që ai ka menduar të grumbullojë për dy ndeshjet miqësore: me Kosovën më 29 maj në Zyrih, dhe me Ukrainën më 3 qershor 2018 në Francë. Në këtë listë janë 24 lojtarë, të cilët do të nisin përgatitjet për këto dy miqësore në datë 26 maj në Zyrih, ndoshta edhe më të besuarit për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian dhe Ligës së Kombeve, të cilat nisin në muajin shtator 2018. Në këtë listë spikasin hyrjet e reja në skuadrën përfaqësuese, si sulmuesi i Kukësit, Sindrit Guri, njëherësh edhe mbrojtësi Egzon Binaku, që luan me skuadrën suedeze të Malmos. Sindrit Guri kishte kohë që ishte lajmëruar se do të grumbullohej për këto miqësore, pas golave pa fund në Superiore dhe firmës në kampionatin belg, ndërsa Binaku ka qenë surpriza më e madhe e listës së Kristian Panuçit. Ai nuk mund të quhet një zbulimin e trajnerit italian, sepse prej dy vitesh është në pritje të një ftese kuqezi. Në të kaluarën, Binaku ka luajtur për moshat e Suedisë, por ka qenë në kontakte të vazhdueshme me përfaqësues të FSHF-së në vendet skandinave, të cilëve u ka shprehur gatishmërinë që të luante edhe me U21 të Shqipërisë. Atëherë ftesa nuk erdhi, dhe lojtari u grumbullua disa herë me U21 të Suedisë, me të cilën luajti në dy ndeshje vitin e kaluar. Me afrimin e Panuçit, ky i fundit aktivizoi përfaqësuesit e FSHF-së për kërkimin e lojtarëve sa më të rinj, pasi i ka parë paraqitjet e Binakut në këtë edicion me Malmoen. Por, veç dyshimit të portierit Thomas Strakosha, për arsye dëmtimi, në listën e djeshme të Panuçit mungojnë edhe emra që kanë qenë titullarë të padiskutueshëm në ndeshjet e kaluara. E tillë është mungesa e sulmuesit Armando Sadiku dhe Asdren Llullakut, por edhe e mesfushorëve Basha, Hyka e Bare, për tu pasuar me mbrojtësit Agolli, Aliji, Ahmedi e Ajdareviç. Ndërkohë, në këtë listë, trajneri Panuçi ka rikthyer në Kombëtare Rei Manaj dhe Armando Vajushin, të cilët mendohet të jenë të gatshëm për këto takim miqësore. Një emër tjetër që nuk është befasi, mbetet Emanuele Ndoji, i cili luan me Breshian në Serie B, por është pjesë e Akademisë së Futbollit të Romës. Ndeshja e parë miqësore e ekipit tonë kombëtar do të luhet në Zyrih, në datën 29 maj, ora 20.00 me Kosovën, ndërsa takimi i dytë me Ukrainën më 3 qershor 2018, në Evian të Francës.