Administratori i Milan entuziazmon tifozët: Merkato e verës? Do të ‘shpërthejmë’

542
Sigal

Pas 240 mln eurove të shpenzuara në merkaton e verës së 2017, Milani vendosi objektiv arritjen e një vendi që të dërgon në “Champions League”, por tani që sezoni dha verdiktet kjo nuk u bë e mundur.

Me mos arritjen e objektivave vështirësohen edhe financat, shto këtu edhe gjobën që “djalli” pritet të marrë së shpejti nga UEFA. Gjithsesi tifozët e Milan nuk duhet të shqetësohen pasi administratori i klubit, Marco Fassone, ka premtuar se do të ‘shpërthejnë’ sërish në merkato për të përforcuar ekipin.

Si do e gjykonit vitin që sapo u mbyll?

Në verën e kaluar qëllimi në kampionat ishin 72 pikët dhe renditja në vendin e katërt. Nëse e shohim nga ky këndvështrim, gota është gjysmë bosh. Po të marrim për bazë ecurinë nën drejtimin e Gatuzos, atëherë mund të them se kemi një bazë të mirë për të ardhmen. Viti i parë është për të mbjellat, për të korrat duhet pritur i dyti.

A do të qëndrojë Donaruma?

Me vetë lojtarin, familjarët dhe agjentin e tij kemi një bisedë që është e hapur. Shpresojmë që të qëndrojë, për të mirën e Milanit dhe të kombëtares, por futbolli ofron perspektiva që ndoshta e tërheqin më shumë. Në momente të tilla rëndësi ka që vullneti i lojtarit të përputhet me ofertat, përndryshe qëndron dhe mbetet shtyllë e ekipit. Prania e Reinas nuk ndikon, në fund zgjedhjet i bën trajneri.

Po me drejtorin Mirabeli çfarë do të ndodhë?

Do të qëndrojë, mund ta konfirmoj.

A ka ky ekip mundësi për të kapur vendin e katërt vitin tjetër?

Jemi Milani dhe jemi të detyruar të luajmë për të tillë objektiva. Skuadra ka cilësi dhe sinjali është pozitiv, nëse llogarisim që në fazën e dytë vetëm Juventusi ka bërë më mirë se ne. Me 2-3 përforcime besoj se mund të përmirësohemi edhe më tej.

Sa i rëndësishëm rezultoi emërimi i Xhenaro Gatuzos?

Nuk ka nevojë të komentoj unë, pasi shifrat flasin qartë, pa harruar edhe rëndësinë që ka fituar në sytë e djemve. 39 pikët e fituara me të nuk janë pak, për më tepër që edhe në Ligën e Europës tregoi se sa njohuri ka mbi sfidat e mëdha.

A do të ketë prurje në sulm?

Sigurisht, ajo është zona ku kemi shfaqur më shumë boshllëqe dhe në lidhje me këtë aspekt po reflektojmë. Mungesa e golave është një problem konkret, të cilit duhet t’i gjejmë zgjidhje.

Suso ka një klauzolë, por ai shfaq dëshirën për të qëndruar?

Ai ka një klauzolë në kontratë ku i paracaktohet edhe çmimi. Shitja e tij mund të vendoset edhe pa vullnetin e Milanit, por për momentin nuk kemi marrë asnjë ofertë për të.

UEFA do t’ju sanksionojë, çfarë masash ndëshkimore prisni?

Pa dyshim sportive dhe ekonomike, megjithatë ende nuk dimë konkretisht, madje as datën kur do të na bëhet e ditur. “Fininvest” është po aq sa edhe ne e përfshirë në këtë çështje, ndaj në rast gjobe pres bashkëpunimin e kompanisë së Berluskonit.

Pas ndeshjes me Fiorentinën, Gatuzo foli për lojtarë me përvojë?

Ndoshta edhe përvoja na mungon. Formacioni i së dielës ishte më i riu për Milanin në historinë e Serisë A. Vjet blemë vetëm Bonuçin si ekspert, ndaj nuk përjashtoj afrime të kësaj natyre.

Disa emra merkatoje kanë dalë që tani, Benzema, Felaini janë vërtet në mundësitë e Milanit?

Përvoja ime në këtë fushë më ka mësuar të mos bëj premtime. Afrimi i një kampioni duhet të përkojë me mundësitë ekonomike dhe vullnetin e palëve. Asnjë nga emrat e përfolur orët e fundit nuk është një objekt konkret, ndaj nuk ka asnjë vërtetësi për lojtarët e përfolur. Në momentin e duhur, do të flas me Mirabelin dhe vetëm më pas do të shpërthejmë në merkato.

Për këtë “shpërthim” siç e quani ju, do të ndikojnë partneritetet me kompanitë kineze, me të cilat keni arritur akorde ekonomike kohët e fundit?

Zhvillimi tregtar në një vend të fuqishëm si Kina mund të sjellë vetëm benefite. Partneriteti dhe kontratat me sponsorë aziatikë kanë qenë gjithmonë një linjë parësore në planin tonë të biznesit, jo më kot “Milan China” ka afruar deri tani pesë bashkëpunë- torë tregtarë në klub.