Reja zgjedh pasuesin e tij shqiptar: Do ia propozoj Dukës, por ai preferon italianët

129
Sigal

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, mendon se emri që do ta zëvendësojë pasi ai të largohet, do të jetë shqiptar. Ai i ka idetë e qarta dhe mendon se për këtë post, emri i duhur është ai i zëvendësit të tij të Shqipëria, Ervin Bulku.

“Bulku ka bërë shumë mirë. Kam qenë me të në Kroaci dhe i kam ndjekur nga afër ndeshjet e tij ku humbi me Kroacinë dhe fitoi me Suedinë. Unë mendoj se është një nga ata që mund të jetë gati për të marrë drejtimin e Kombëtares. Kur unë të mbyll kapitullin do ta propozoj. I duhet pak eksperiencë. por mendoj se është gati”, tha Reja për RTSH.

Trajneri foli më pas edhe për opsionet e mundshme të tjera dhe emra që qarkullojnë. “Xhiovani Kolelan, që drejton skuadrën e vendit të parë në Shqipëri, e njoh. Është një trajner shumë i përgatitur dhe ka eksperiencë. Me vjen mirë që trajneri i kryesueses të kampionatit dhe ai i Kombëtares janë italianë. Edhe Armand Duka është i orientuar drejt trajnerëve italianë, por mendoj se ndoshta kur unë të largohem, ai duhet t’i besojë një trajneri shqiptar. Po punojmë në këtë aspekt, për të rritur sa më shumë nivelin dhe vlerat e trajnerëve shqiptarë. Sipas meje, kur unë të mbyll punën këtu, trajneri i ardhshëm do të jetë shqiptar dhe këtë e uroj me gjithë shpirt. Jam i sinqertë dhe jam i sigurt për atë që them dhe bëj. Duka dëshiron që të rritet niveli i skuadrave shqiptare dhe në të ardhmen mund të ketë trajnerë shqiptarë që vijnë në skuadrën e parë dhe ky është mendimi dhe besim im. Jam i bindur se një gjë e tillë do të ndodhë brenda pak vitesh.