Reja jep “OK” për mbrojtjen, por ndaj Çekisë do të jetë një skuadër më sulmuese

167
Sigal

Çekia është prova tjetër e formës së kuqezinjëve dhe miqësorja që zhvillohet të martën në Pragë nuk ka shumë të panjohura pas miqësores së Uellsit.

Trajneri Reja e vlerëson provën çeke në të njëjtin nivel në krahasim me Uellsin. Por, në konferencën për shtyp me mbrojtësin Berat Gjimshitin ai shprehu pakënaqësi me sulmin.

“Vijmë pas një ndeshje të lodhshme me Uellsin. Ishte një ndeshje impenjative, lojtarët shpenzuan shumë energji. Mendoj se Çekia është në një nivel me Uellsin, ka lojtarë shumë të shpejtë dhe që luajnë shumë mirë në kundërsulm, nuk humbasin aspak kohë. Luan shumë mirë edhe me topat e gjatë, di të shfrytëzojë shumë mirë hapësirat”, tha ai.

“Duhet të jemi më të zotë në kundërsulm. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për faktin që mbrojtja është repart i konsoliduar dhe ka bërë shumë mirë, por duhet të bëjmë përmirësime në fazën sulmuese. Kjo ndeshje është vërtet një test për ne, do të provojmë sa më shumë në sulm, të krijojmë sa më shumë raste”, vijoi ai.

Për sulmin, Reja tha se do të ketë ndryshime, në mesfushë mund të ketë surpriza gjithashtu, ndërsa për mbrojtjen përveç vlerësimit që dha për paraqitjen ndaj Uellsit nuk foli për asnjë ndryshim.

Kuqezinjtë zhvilluan stërvitjen e fundit pasditen e së hënës në stadiumin “Generali Ceska Arena” të Pragës, ku do të luhet ndeshja me Çekinë, në orën 20:15. Të gjithë lojtarët kanë marrë pjesë në stërvitje dhe janë të gatshëm për trajnerin Reja.