Publikohen formacionet zyrtare të ndeshjes hapëse të Europianit, ja si rreshtohen Italia dhe Turqia

168
Sigal

Me një vit vonesë, ajka e futbollit europian e ka lënë takimin e saj të “Euro 2020”-ës për sot, 11 qershor deri më 11 korrik. Edicioni i 16-të i Kampionatit Europian të futbollit rikthehet pas 5 vitesh. Një event që e gjithë bota e futbollit e ka pritur si një festë, jo vetëm për futbollin, por për simbolikën e tij, dëshirën për të rilindur pas betejës me COVID-19.

Nis sot “Euro 2020”, por edhe udhëtimi i Italisë dhe i Turqisë në këtë kompeticion. Ndeshja hapëse e orës 21:00 në stadiumin “Olimpico” të Romës sheh superfavorite “bandën” e Roberto Mançinit. Ky takim është i vlefshëm për Grupin A, ku së bashku me Italinë dhe Turqinë, bëjnë pjesë edhe Zvicra me Uellsin që do të përballen ditën e nesërme.

Për sa i përket formacioneve zyrtare, të dy trajnerët si Mançini ashtu dhe Gynesh, nuk kanë preferuar të bëjnë surpriza, duke hedhur në fushë titullarët që ishin projektuar edhe më herët.

FORMACIONET ZYRTARE:

Turqia– (4-1-4-1): Xhakir, Meras, Demiral, Sojunçu, Çelik, Karaman, Jaziçi, Jokuslu, Çalhanoglu, Tufan, Jilmaz, Trajner: Shenjol Gynesh

Italia- (4-3-3): Donaruma, Spinacola, Kielini, Bonuçi, Florenci, Lokateli, Zhorzhinjo, Barela, Insinje, Imobile, Berardi, Trajner: Roberto Mançini

Lidhur me precedentët që kanë me Turqinë, kombëtarja “axurre” nuk njeh humbje në 10 precedentët e mëparshëm. Bilanci i përgjithshëm është 7 fitore dhe 3 barazime.

Ndeshja e fundit mes këtyre dy përfaqësueseve është miqësorja e luajtur në Bergamo, më 15 nëntor 2006, e mbyllur në barazim 1-1 me gola të Di Natales (39’) dhe Uzulmez (41’). E veçantë është se këto dy kombëtare janë ndeshur edhe një herë tjetër në ndeshjen hapëse të “Euro 2000”, sërish më 11 qershor.

Atë takim Italia e fitoi 2-1, falë golave të Antonio Kontes (në minutën e 52-të me një roveshatë) dhe një penallti të Filipo Inzagit (70’). Ai që barazonte përkohësisht shifrat 21 vite më parë ishte Okan, në minutën e 62-të.