Prof. Xhevdet Zekaj: Kategoria superiore në krizë cilësore

811
Sigal

Kategoria Superiore dhe vetë futbolli shqiptar ka humbur shkëlqimin e tij në këtë verë të vitit 2019. Me këtë mendim besoj se janë tashmë edhe zhurmuesit e “kampionatit më të bukur”, “më brilant”, më…. Shqetësimi duhet të jetë i të gjithëve! Nëse e duam këtë vend, nëse e përjetojmë për ta shijuar këtë futboll, nëse mendojmë se jemi aktorë të futbollit, duhet të ulërasim dhe shqetësohemi seriozisht. Duhet t’iu biem kambanave me sa fuqi kemi: futbolli shqiptar është në krizë! Prandaj, ky futboll kërkon të ribëhet. Pak më intereson drama e FK Skënderbeut, të cilin e kisha paralajmëruar prej 10 vitesh; pak më intereson paraqitja e futbollit shqiptar ne Europë, pak më intereson se kush del kampion në Shqipëri apo merr trofetë, pak më intereson se çfarë po ndodh me disa skuadra. Çështja qëndron e tillë: Deri para dy vitesh, Kategoria Superiore ishte kompeticion dinjitoz në trevat mbarëshqiptare. Të gjithë lojtarët mbarëshqiptarë; të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe ata që jetojnë nëpër botë, kishin një ëndërr dhe një synim: Të luanin në Kategorinë Superiore. Sapo kishin një rreze drite, vraponin pranë ekipeve të skuadrave të Kategorisë Superiore në Republikën e Shqipërisë. Dhe kjo ishte një gjë shumë e mirë, që ndikonte drejtpërdrejt në cilësinë e futbollit shqiptar. Po, përse vinin këta futbollistë në Kategorinë Superiore? Sepse ishte cilësisht kampionati më dinjitoz, shumë më i mirë se ai i vendeve fqinje. Sepse ishte mundësi tregu për Europën apo karrierën dhe për t’u bërë prezent në transfermarketin e kontinentit. Të gjithë, futbollistët që fitonin kontratë në KATEGORIA SUPERIORE, kanë bërë hapa seriozë dhe dinjitozë drejt futbollit europian e më tej, me kontrata të mira financiare. Shqipëria iu hapte rrugën që në ekipet kombëtare të moshave, që përsëri do të thoshte CV. Kështu, ata futeshin në rrethin e kuq të skautëve. Të mos harrojmë paisjen e tyre me pasaportë shqiptare. KATEGORIA SUPERIORE iu siguronte kontrata me bonuse financiare, në terma ekonomikë më të larta se në vendet e tyre, të pataksuara, shpesh duke i marrë paratë “cash”. Shpeshherë, vetë presidentët e klubeve shqiptare iu paguanin edhe humbjet në kumarin që luanin. Strukturat e FSHF-së ishin dinjitoze si në organizimin të KATEGORIA SUPERIORE, por edhe në raportet me UEFA-n dhe FIFA-n. Ambiciozë u shfaqën edhe presidentët e klubeve. Të mirë apo të këqinj, Halili, Zeqo, Takaj, Bizhdilli, Laze, Hasanbelliu, Demi, Laska, Çelaj, Fusha, Dash Sula, Gjika, Qarri, Tavo, Baholli, Djala, Syla etj, etj, pa harruar bashkitë e të gjitha klubeve të futbollit, kanë dhënë para, respekt, dashuri, mirënjohje, kujdes e suport pa fund për futbollistët shqiptarë të trevave, madje më shumë se futbollistëve shqiptarë që jetojnë në Republikën e Shqipërisë. Ka dhe arsye të tjera, por kaq po i lë për sot. Çfarë ka ndodhur tashmë? Përse abandonohet KATEGORIA SUPERIORE? Cilat janë disa prej arsyeve? Së pari, futbolli shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni është i stabilizuar, më korrekt në pagesa, po hyn në sallonet e Europës e më tej, dhe aty futbollistët e kanë më të lehtë tashmë merkaton, por edhe seriozitetin institucional, organizativ e funksional. Tashmë, nën kujdesin e Dukës, z.Agim Ademi dhe Muhamed Sejdini janë qartësuar, kanë ide e vizion, të cilat i implementojnë më shpejt. Kjo, edhe kjo falë mentalitetit shtetformues që kanë trashëguar këto shtete. Së dyti, në futbollin shqiptar vazhdon rrumpalla e Ligjit të Sportit, rrumpalla e klubeve të bashkive, që vegjetojnë me pak para, ose presin lëmoshën e bashkive për të marrë frymë. Këto klube në thelb janë socializëm, nuk ngjasojnë aspak me futbollin modern e kapitalist. Edhe pse infrastruktura jonë është shumë më e mirë se andej, trajnerët shqiptarë, që kanë ikur në Kosovë, që njohin tregun dhe KATEGORIA SUPERIORE deri në detaje, po marrin futbollistët tanë drejt vendeve fqinje. Kjo është dramë, kjo është kambana se futbolli i KATEGORIA SUPERIORE ka humbur, po shuhet, po ikën për lesh… Specialistët e futbollit, që punojnë në Kosovë, natyrisht me paga dhe kontrata më serioze se këtu, janë bërë faktorë në goditjen deri në palcë të cilësisë, imazhit të KATEGORIA SUPERIORE, por dhe më keq FSHF, por sidomos të klubeve, të gjithë strukturës së futbollit shqiptar. Prandaj, nevojitet ndërhyrje urgjente, të kthejmë sytë nga akademitë, futbolli i moshave. Përndryshe, do të na marrë lumi fare. Duam apo nuk duam, në futbollin shqiptar njihet kampionatizmi, korrupsioni dhe dhuna tek moshat. Ka edhe tolerime tek moshat, gjë që përcillet në grumbullimet me ekipet kombëtare. Atëherë, çfarë motivimi kanë futbollistët e vegjël në Shqipëri, kur në ekipet përfaqësuese vijnë futbollistë nga jashtë Shqipërie. Nuk po them se ky është faji i FSHF, por i gjithë aktorëve, sepse nuk ka asnjë klub në Shqipëri që të ketë strukturën e moshave si Interi, Lacio, Olympiakos etj, etj. Kjo kërkon urgjent reformë të futbollit të moshave. Për sa kohë Shkëndija e Tetovës synon e shkon në grupe, për sa kohë ekipi përfaqësues i Republikës së Kosovës po paraqitet në Europë shkëlqyer, kjo nënkupton se rreziku i braktisjes së KATEGORIA SUPERIORE do të rritet, nëse nuk reagojmë. Natyrisht, klubeve shqiptare dhe përfaqësueses kosovare u urojmë suksese, por ky është një sinjal se si duhet të reagojmë në Shqipëri. Kategoria Superiore në krizë cilësie. Kosova po bëhet tregu i futbollit cilësor, ndaj duhet urgjent e seriozisht të dalin nga krizë jo vetëm Vllaznia, Luftëtari, Dinamo, Skënderbeu, Elbasani, Tomori, Besa, Kamza, Apolonia, Shkumbini, Pogradeci etj, me suport qoftë edhe nga shteti, por krejt futbolli ynë, në radhë të parë me Ligjin e Sportit.