Prof. Dr. Xhevdet Zekaj: Ndeshja Partizani-Vllaznia mbaroi.

207
Sigal

Të gjithë kishin dyshimet se gjyqtari mund të ndikonte, ngaqë e tillë ishte rëndësia e ndeshjes, vlente gjithë kampionatin. Duhet pranuar, ekzistonte një atmosferë e tillë paraprake, kishte zëra. Precedentë ka pasur në të kaluarën, ndaj dyshimi justifikohej për këdo. Tani ndodhi ajo që ndodhi, e panë të gjithë, secili mund të ketë mendimin e vet nëse ishte penallti apo jo kundër të kuqve.
Interpretimet janë të ndryshme edhe mes moviolistëve, specialistëve të gjykimit. Tashmë duket qartë se shpërblimi i FSHF-së do të shkojë te Teuta…
Barazimi i djeshëm i durrsakëve në Laç dhe rrethanat të bëjnë ta parashikosh këtë fund!!!
Ajo që ndodhi nuk zhbëhet më. Partizani duhet të shikojë përpara, natyrisht duke bërë analizë të hollësishme: po vetë, a pati ndonjë faj?
Personalisht, faktorët e tjerë ndikues nuk më interesojnë, por vetëm Partizani në këtë analizë. Të kuqtë e filluan kampionatin pa merkato (e kishte pezulluar UEFA), për rrjedhojë pa përforcime të nevojshme në sulm dhe mbrojtje. Të gjithë e njohin kontributin e Olsit si drejtor, të Demit si president dhe të Dajës si trajner, të cilit iu desh të bënte “bukë gruri me miell misri”.

Kjo vlen sidomos për zëvendësuesit me pikatore, teksa iu desh të bënte adoptime lojtarësh jashtë rolit natyral. Kjo “triadë” drejtuese, që mund ta kishte zili edhe një klub europian për vizionin dhe angazhimin, i dha më shumë se çfarë i mori skuadrës së “demave”.
Deri këtu, në luftë për titull një javë para mbylljes së kampionatit, Partizani erdhi falë sakrificës të grupit, Dajës, por edhe gabimeve që bënë kundërshtarët, në një kampionat i reklamuar fort si më i forti, por për mua mesatar, por edhe mbi 9 pikë të mohuara qartë me penallti të pa dhëna, gola të anuluar apo të tjera …
Në kuadrin e analizës, le të kthehemi te ndeshja e djeshme.
Në fazën sulmuese, Partizani u shfaq apatik, në mbrojtje mirë, por me shumë pasime gabim në topat e gjatë dhe topat e shkurtër gabim. Skuadra u mundua të dilte me topa të gjatë dhe shumë stacione dhe në të dy rastet gaboi, e gaboi shumë.
Por, dyftimet ajrore në zonën shkodrane, të gjitha i fitoi kundërshtari dhe ata vazhduan me të njëjtën këmbëngulje, sepse mungonte Asani, mungonte loja nga krahët e Hakës.
Meritë për këtë ka edhe Vllaznia, trajneri i saj, që kishte ndërtuar një kundërveprim mjaft efikas ndaj të kuqve por shumë presing në mesfushë, ku dhe përcaktuan fitoren.
Duhet të kemi të qartë edhe diçka tjetër: Vllaznia nuk kishte ç’të humbte, luajti krejt qetë. E kishte paralajmëruar këtë edhe Brdaric, kur tha se e kemi fituar kampionatin tonë… (Kupat e Evropës). Në anën tjetër, Partizani vinte me ngarkesë të madhe psikologjike, sepse luante fatin e titullit. Kjo e pengoi skuadrën e Dajës të jepte më të mirën. Partizanin e ndoqi edhe fati i keq, sepse në ndeshjen më vendimtare të sezonit iu desh të luante pa Zhunior dhe Asanin pastaj Haka dhe Kardoso bënë super sakrificë të dëmtuar edhe nuk ja dolën dot. Shto këtu edhe Çinarin jashtë forme dje, I tensionuar, gjysma shkodran e gjysmë partizan e bëri të gabonte shpesh, madje dhe tek goli ai e humbi topin, por edhe pse Daja i besoi deri në fund, të paktën faullin e e fundit duhet ta gjuante sipas meje Buba.
Mungesa me shumë peshë për cilëndo skuadër. Kësaj here m’u duk Partizani pa stol fare, përveç Kotes që hyri dhe u mundua të bënte diçka. Në total, ndeshja e djeshme ishte e barabartë. Për mendimin tim, rezultati më i drejtë do të ishte barazimi. Ajo penallti, për të cilën do të shkruaj më poshtë, bëri diferencën. Nëse iu referohemi përballjeve të katër fazave mes dy skuadrave, Partizani del i humbur. Asnjë gol ndaj Vllaznisë, asnjë fitore… Këtu duhet ndalur për analizë Daja dhe të tijtë. Dihet se titulli fitohet edhe ndaj të vegjëlve, sepse çdo ndeshje vlen 3 pikë, por nëse nuk dominon ndaj rivalëve direktë, është e vështirë ta presësh i pari finishin.
Modestisht propozoj që Partizani të rrijë larg disa menaxherëve, që i kanë sjellë në të shumtën e rasteve skarcitete, sidomos në sulm. Daja ka një skuadër shumë të mirë në dispozicion, i duhen pak ndryshime. Olsi Rama dhe Gaz Demi nuk janë marrë asnjëherë me gjyqtarët, por i kanë marrë maksimumin këtij ekipi. Në Shqipëri dihet se luhet jo pak edhe jashtë fushës së blertë, me të ashtuquajturat aleanca. Partizani ishte i vetëm në këtë drejtim.

Le të kthehemi tek arbitri Enea Jorgji. Nuk mendoj se ka hyrë me paragjykim në ndeshje, që të favorizojë ndokënd. Penalltia kundër Belica meriton analizë të specialistëve të fushës. Unë mund të them se nëse donte të ndihmonte Vllazninë, Jorgji do të jepte penallti ndërhyrjen e Bardhit ndaj Avdiajt, një rast tjetër buzë zonës së 16-metrave, do të nxirrte me të kuqe Bitrin kur agresoi kundërshtarin me ngjyrë. Po të donte të ndihmonte njërën skuadër do ta bënte si Ferati në Durrës, ku kryesori akordoi penallti, ndërsa kolegu pas porte e anuloi. Dje, Jorgji kishte akord për vendimin që dha me ndihmësit dhe kërkoi të merrte një vendim kolegjial për mos të ndihmuar askënd jo doli apo jo një Zot e di, pro Parizani është fituesi moral, dhe I vetëm trim në lufte, pa asnjë faktor dhe aleat.
Nëse analizën e mbështesim mbi fakte dhe jo emocione të çastit, duhet të kujtojmë: Në 4 ndeshje me Vllazninë, të kuqtë nuk shënuan dot asnjë gol. Në 4 ndeshje ndaj Laçit, nuk fituan asnjërën. Në 4 ndeshje ndaj Teutës fituan vetëm njërën. Pra, ka dështuar në vijimësi ndaj rivalëve direktë për titull. Këtë “fotografi” nuk e zhbën dot penalltia e Jorgjit, ndaj nevojitet gjakftohtësi në shikimin e situatës dhe nxjerrja e mësimeve për të ardhmen.
Por, Partizanit është I dëmtuar nga fanellat e zeza, dhe për këtë duhet theksuar, është dëmtuar shumë! Kjo skuadër është fituese morale, sepse e di shumë herë se si djemtë kërkonin ndihmë nga tribuna nga Gazi, Olsi, media, ZOTI, sepse lojtarët e ndienin se ishin të masakruar, s’kishin besim tek drejtësia, dhe kjo u pa sidomos në ndeshjen e Kupës në Laç por dhe skandalet në ndeshjen e kampionatit po në Laç;
Partizani do të ringrihet dhe duhet të mendoj për Evropën!
Partizani është e do jetë ekipi që zbukuron, hijeshon, komandon Superligën, dhe me kulturën e re të drejtimit në krijimin e një imazhi perëndimor, do të ofrojë një përvojë për ti dhënë fund në vitin 2021 problematikave të saj.
Humbën një betejë, një kampionat por djemtë dhe Daja bënë më të mirën e mundshme me atë grup.