Prof. Dr. Xhevdet Zekaj: Kristjan Asllani lideri i kombëtares dhe Interit

87
Sigal

Kristjan Asllani zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në fitoren 2-0 të Interit ndaj Feyenoordit, në ndeshjen e parë 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. I vendosur në mesfushë nga trajneri Simone Inzaghi, ylli i kombëtares sonë kuqezi tregoi kombinim të përsosur të disiplinës taktike dhe kreativitetit, duke kontribuar ndjeshëm në kontrollin e lojës nga skuadra e tij.

Gjatë gjithë ndeshjes, Asllani demonstroi një qetësi të admirueshme nën presion, duke bërë pasime precize dhe ndihmuar në ndërtimin e sulmeve të Interit. Përveç aftësive të tij ofensive, shqiptari shfaqi edhe një angazhim të lartë në fazën mbrojtëse, duke ndërprerë aksionet e kundërshtarëve dhe rikuperuar topa në zona kyçe të fushës.

Kjo paraqitje e tij erdhi pas disa kritikave në ndeshjet e kaluara, por Asllani tregoi forcë karakteri dhe profesionalizëm, duke dëshmuar potencialin e tij të madh në skenën europiane. Kontributi i tij ishte thelbësor për fitoren e Interit, duke i dhënë skuadrës zikaltër një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit në “San Siro”.

Pas ndeshjes, trajneri Inzaghi e vlerësoi pozitivisht performancën e Asllanit, duke theksuar rëndësinë e tij në skemën taktike që përdor. Njëherazi trajneri zikaltër shprehu besimin se mesfushori shqiptar do të vazhdojë të jetë një aset i çmuar për Interin në ndeshjet e ardhshme.

Për të treguar performancën vërtet mbresëlënëse të Asllanit ndaj Fenynoordit, mjafton të nënvizojmë këto statistika të shqiptarit në stadiumin “De Kuip”:

96% saktësi pasimesh

50 pasime të sakta

100% dueleve të fituara në tokë, 3/3

100% sukses në duelet 1 kundër 1

6/8 topa të gjatë të saktë

Krijoi aksionin e golit të parë tek Interi

Krenari shqiptare në majën e Serie A, fanar ndriçues edhe për kombëtaren shqiptare, në prag të nisjes së fushatës kualifikuese të Botërorit 2026. Shembull i kapërcimit të pengesave në emër të pasionit, i “driblimit” të paragjykimeve si shqiptar në vend të huaj, model për t’u ndjekur nga çdo bashkombas i tij që aspiron të bëhet dikush në jetë, në çdolloj profesioni ku investohen.

Profesionist i madh në fushën e blertë, po aq edhe para mikrofonëve të gazetarëve, të cilët iu dretuan me shumicë pas fitores 2-0 ndaj Feynoordit. Deklaratat e bëra prej tij dëshmojnë për një djalosh ende të ri, por të mjaft të pjekur:

“Duhej të vuanim, por bëmë një punë të mirë. Gjysmëorën e parë ishte e vështirë, pastaj kishim më shumë kontroll mbi topin dhe e fituam ndeshjen. E dinim që mund të shënonim sepse krijuam disa raste, madje mund të kishim realizuar edhe golin e tretë, por kështu ndodh në futboll. Tani mendja jonë është te ndeshja e kthimit.

Që nga fillimi kemi qenë të qartë për objektivat tanë, por ka shumë skuadra të forta në Ligën e Kampionëve. Po i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës, tani fokusi ynë është te Monza. Skuadrat që luftojnë për mbijetesë na e bëjnë jetën të vështirë, por do të përpiqemi të marrim tre pikët, çka është objektivi ynë”.

Natyrisht, duke parë performancën prej lideri të vërtetë të Kristjan Asllanit në Champions, nuk ke si të mos ndihesh krenar si shqiptar. I themi faleminderit për gjithçka që bën, për futbollin që luan dhe emrin e mirë të shqiptarit në botë që përfaqëson. Kontributi i tij me kombëtaren e ka bërë në një moshë relativisht të re imazhin e ngjyrave kuqezi. Natyrisht, kredencialet si kampion i Serie A dhe lojtar i Interit e pasurojnë portretin rrëzëllitës të tij në planin futbollistik. Besimi që i jep rregullisht trajneri Inzaghi, në deklaratat e tij publike, me siguri do të shkojë në raport të drejtë edhe me aktivizimin në fushë. Kuptohet, në rol ka përpara një “bishë” si Calhanoglu, nga i cili mëson përditë. Koha kalon dhe “peshorja” do të fillojë të anojë nga Asllani, qoftë për freskinë fizike, qoftë për shpirtin e lartë të garës, qoftë për talentin që ka në këmbë. Kot nuk thonë, i duruari, i fituari. Këtë maksimë ka ndjekur edhe mesfushori shqiptar tek Interi, duke dhënë maksimumin në stërvitje dhe ndeshje ku ka luajtur, me bindjen se do të imponohet shpejt edhe si “violinë e parë”. Mund të kishte shkuar diku tjetër për të luajtur rregullisht, por ka zgjedhur të ngjisë “Golgotën” e vështirë, për t’u shenjtëruar në një gjigant të futbollit europian sikurse është Interi. Pra, edhe në këtë aspekt, Asllani është ndryshe nga të tjerët, dëshiron të jetë më i miri me më të mirët. Ego profesionale e denjë për kampionë të mëdhenj, njerëz që nuk i dorëzohen fatit dhe rastësisë, por e ndërtojnë karrierën me besim te vetja dhe pikësynime të qarta ku duhet mbërritur.