Prof.Dr. Mehmet Spahiu: Në kualitet, Superiorja tregon se lë shumë për të dëshiruar

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Prof.Dr. Mehmet Spahiu, analizon ndeshjet në treguesit e tyre

Agron KAJA

NOA

Dje, Superiorja e luajti javën e 8-të me tre ndeshje, si i përshkruani rezultatet?

Unë mendoj se pozitive ishte se në tre ndeshjet u shënuan gola, ndryshe nga ndeshje të tjera në kampionat. Vllaznia “stampoi” me meritë kreun e renditjes, Tirana tregoi se duhet të bëjë më shumë, sepse kundërshtarin dje e kishte me 10 futbollistë.

Ku ishin pritshmëritë më të afërta në tre ndeshjet që u luajtën dje, apo ju do klasiken” Vllaznia-Tirana?

Të treja ndeshjet dolën brenda logjikës sportive, nuk mund të mendohej ndryshe. Fitoret e Dinamos ndaj Vorës dhe e Elbasanit ndaj Bylisit, ishin të pritshme. Edhe në Shkodër e tillë ishte, që do të thotë se nuk kishim rezultate surprizë.

Në këndvështrimin tuaj, kishim ndonjë surprizë në këto tre ndeshje dje?

Jo vetëm te rezultatet që nuk kishte surpriza, sepse ato treguan atë që pritej. Nuk priteshin kartonët e kuq dhe të verdhë, të panevojshëm për futbollistë profesionistë. Bënë gabime të pafalshme, kryesisht në ndërhyrjet e gabuara.

Cilën prej këtyre sfidave e vlerësoni si teknikisht me lojën më të mirë?

Do veçoja Vllazninë ndaj Tiranës, “klasikja” e cila tregoi progres sistematik të shkodranëve, duke shënuar në çdo ndeshje brenda dhe jashtë fushësë saj. E udhëheq me meritë renditjen, edhe pse kampionati është një garë e gjatë.

U dhanë 3 kartonë të kuq, 16 të verdhë dhe u shënuan 9 gola, çfarë tregojnë më shumë këto shifra?

Patjetër që është një mestare e lartë, që në këto javë i kanë munguar kampionatit shqiptar. Shënimi i golave është tregues pozitiv sa i përket cilësisë së skuadrave në drejtim të veprimeve sulmuese. Kartonët, flasim për mungesë profesionalizmi në dyluftime.

Si e përshkruani renditjen sot, me Vllazninë kryesuese dhe Flamurtari që mbyll tabelën?

Deri tani, renditja duket në përputhje të plotë me parashikimet, edhe pse te Flamurtari mund të pritej më shumë. Fusha ka treguar se skuadra vlonjate do ketë probleme serioze, nëse nuk do ketë ndërhyrje të forta në merkaton e dimrit.

Sot luhen dy takimet e fundit të javës së 8-të, Partizani-Egnatia dhe Teuta-Flamurtari, ju si i parashikoni?

Te Partizani-Egnatia, diferencat janë të dukeshme. Por Partizani është më afër fitores, sepse ka dalë nga ngërçi. Ndërsa tek Teuta-Flamurtari, durrsakët do ta fitojnë këtë sfidë pa vështirësi. Ka disa tregues pozitivë Teuta në këto tetë javë.

Në këto 8 javë, ka përcaktime në renditje për zonën “Final 4” dhe atë për mbijetesë?

Ndoshta është pak shpejt, por mendoj se në zonën “Final 4” mendoj se do të jenë Vllaznia, Dinamo, Egnatia dhe Teuta. Gara është e gjatë dhe do të ketë ndryshime në renditje. Në fund, Flamurtari dhe Bylisi do ta kenë të vështirë mbijetesën.

Faza e parë e Superiores luan edhe një javë, çfarë kanë treguar skuadrat ndryshe nga sezoni i kaluar?

Në këto 8 javë, duket se jemi në një kampionat modest. Nuk mund të themi se ka nivel të lartë, edhe pse kemi parë ndeshje të bukura, pse jo edhe me spektakël në disa prej tyre. Por në kualitet, Superiorja lë shumë për të dëshiruar.

 

NDESHJET DJE, EDHE ME TREGUES NEGATIVË

Abissnet Superiore luajti dje tre ndeshjet e para të Javës së 8-të, duke e nisur me Vora-Dinamo 0-2, ndërsa në mbrëmje, Vllaznia-Tirana 3-1 dhe AF Elbasani-Bylis 2-1. Përpos rezultateve që u arritën, dy ishin treguesit e këtyre tre sfidave: 9 gola të shënuar dhe 3 kartonë të kuq dhe 16 të verdhë, shifra të cilat në 7 javët e luajtura nuk kishin ndodhur. Shkodranët, elbasanllinjtë dhe ballshiotët u “skuqën” në këtë javë të tetë, ndërkohë që kapiteni Balaj i Vllaznisë kryeson me 6 gola, të shënuar në 8 javë. Këto dukuri tregojnë se gara po “ndizet” në gjithë treguesit e saj.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026  

Ndeshjet-Java e 8-të 

E premte, 24 tetor 2025

Vora-Dinamo City          0-2

AF Elbasani-Bylis          2-1

Vllaznia-KF Tirana        3-1

E shtunë, 25 tetor 2025

Partizani-Egnatia            17:00

Teuta-Flamurtari            17:00

RENDITJA   

Skuadrat             Nd     P

1.Vllaznia             8        19

2.Dinamo City      8        14

3.Egnatia              7        14

4.AF Elbasani       8        14

5.Teuta                 7        11

6.Vora                  8        10

7.Partizani            7        7

8.Bylis                  8        6

9.Tirana                8        6

10.Flamurtari        7        2

 

LUHEN SOT

PARTIZANI-EGNATIA        17:00

Trajneri Kërnaja ndez sfidën: Japim 110% për tri pikë

Në një deklarim mediatik dje, trajneri i Partizanit Oltijon Kërnaja, e vlerëson përballjen me Egnatian si të vështirë, por me besimin e skuadra do të reagojë mirë për fitore. “Egnatia është ekipi kampion në fuqi, ndaj dhe nesër (sot) do jetë një ndeshje e vështirë. Ne e respektojmë si skuadër, por kërkojmë maksimumin, që do të thotë fitore. Fatmirësisht dëmtime nuk kemi, sepze edhe Preka që kishte një problem shëndetësor do jetë i gatshëm ku do japim 110% e mundshëm në fushë. Për Egnatian nuk kemi çfarë të themi, sepse është prej dy vitesh kampione, kanë grupin prej disa vitesh. Por pikat e dobëta i kemi studiuar dhe i kemi parë, ato ja kam treguar edhe skuadrës”, kështu e vlerësoi dje trajneri Kërnaja i Partizanit, sfidën e sotme me Egnatian.

TEUTA-FLAMURTARI        17:00

Dje rradha e Vidal: Ndaj Flamurtarit kërkojmë vetëm fitore

Një nga lojtarët më të spikatur tek Teuta, Higor Vidal, dje kishte rradhën për të folur për sfidën e sotme ndaj Flamurtarit në Durrës. Në deklarimin e tij, Vidal kërkon që vlonjatët të vlerësohen maksimalisht në fushë. “Flamurtari është një skuadër shumë e fortë fizikisht, që nuk dorëzohet lehtë dhe lufton deri në fund. Duhet të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri në të fundit, të jemi më agresivë në fazën ofensive dhe të mos bëjmë gabime të thjeshta në sulm. Si skuadër ne kemi potencial për të fituar këtë përballje me Flamurtarin, dhe këtë herë duhet të jemi më të vendosur në çdo duel. Sepse skuadra vlonjate funksionon mirë si grup dhe në përbërja ka disa lojtarë cilësorë që dinë të shfrytëzojnë hapësirat, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm. Ne luajmë vetëm për fitore”.