Prof. Dr. Mehmet Spahiu: Brazili me kualitete por euforik, Gjermania zhgënjeu dhe doli jashtë karakterit të saj

636
Sigal

Nga Agron KAJA

Ja si vjen analiza e specialistit të futbollit në gazetën “Telegraf”, ndeshjet, rezultatet, golat dhe të tjera të veçanta nga 11 takimet e luajtura në 6 grupet eliminatore në katër ditët e para të Botërorit

Dje u luajtën tre ndeshje, ju cilën veçoni si më të bukurën e tyre?

Të gjitha mendoj se kishin bukuritë e tyre, por unë veçoj takimin e mbrëmjes Brazil-Zvicër 1-1, sepse kishte më shumë grintë gjatë gjithë lojës, kishte virtuozitet në veprimet me topin. Ndërsa Zvicra tregoi se e përballon me sukses një kundërshtar të kalibrit të lartë.

Po ndeshja nga e cila pritshmëritë ishin ndryshe rezultatit, cila ishte?

Sigurisht që ishte Gjermani-Meksikë 0-1. Jo vetëm se humbi skuadra gjermane, por edhe se nuk arriti të dilet superiore mbi kundërshtarin. Nga ana tjetër, edhe Meksika doli jashtë pritshmërive, sepse nuk mendohej që të fitonte në këtë sfidë, barazimi edhe pritej.

E quajmë një ditë “shterpë” në gola të djeshmen, me 4 të shënuar në 3 ndeshje?

Në numrin e golave po, por unë më shumë kënaqem me faktin se në çdo ndeshje janë shënuar gola. Këtu veçoj edhe interpretimin e lojës nga arbitrat, të cilët duke e zbatuar me korrektesë rregulloren, u kanë dhënë më shumë lirshmëri sulmuesve për të shënuar.

Ju e prisnit një humbje në Gjermanisë në këtë sfidë të parë?

Absolutisht që jo, sepse unë do ta mendoja një rrëshqitje të Gjermanisë vetëm barazimin, ndërsa humbja është zhgënjim për të. Doli tërësisht nga karakteri i saj në lojë, edhe pse në momente të veçanta kërkoi të ndryshonte rrjedhën e lojës e të merrte epërsinë.

Po fitorja e Serbisë, veçohet vetëm për golin e bukur të Kolarov?

Çdo fitore veçohet, sepse ka mënyrën e arritjes së saj. Dhe, për mënyrën se si u zhvillua ndeshja e Serbisë me Kosta Rikën, mbetet një fitore e merituar për të. Nuk kishte kualitete, por u zhvillua një ndeshje me grintë e luftë të pastër sportive.

Çfarë mendoni se nuk shkoi mirë për gjermanët në humbjen me Meksikën?

Gjermania dje ishte jashtë karakterit të saj taktik, doli jashtë kornizës së lojës në bllok në çdo repart. Me atë çka dha në fushë, nuk ishte një Gjermani imponuese ndaj kundërshtarit, edhe për faktin se është Kampionia e Botës në fuqi.

Në këndvështrimin tuaj teknik, sa e justifikoi veten Brazili me barazimin ndaj Zvicrës?

Ishte e natyrshme që Brazili të kërkonte fitoren në këtë sfidë, por pas golit të avantazhit tregoi vetëkënaqësi dhe eufori. Duke qenë se e uli ritmin e lojës, i dha mundësi kundërshtarit që të ishte më afër portës së tij. Gaboi dhe u ndëshkua, edhe pse më pas e rriti nivelin e lojës.

Në tërësinë e 11 ndeshjeve të luajtura në 4 ditët e para në grupe, çfarë ka spikatur më shumë në lojën e skuadrave?

Skuadrat e elitës që janë menduar si favorite që në këto ndeshje të para në grupe, kanë befasuar shumë në rezultate. Kështu e nisi Argjentina, Gjermania dhe Brazili, të cilët do të kenë më shumë vështirësi në ndeshjet e dyta, edhe pse teorikisht me kundërshtarë më të lehtë.

Sot zbresin në fushën Belgjika dhe Anglia, mendohet që edhe këto të kenë fatin e Gjermanisë?

Mendoj se si Belgjika, ashtu edhe Anglia, janë dy skuadra të denja për të fituar. Natyrisht që kujdesi duhet të jetë i madh, sepse luajnë me skuadra nga kontinente të tjera, që shfaqin lojë ndryshe.

E diel, 17 qershor 2018, ora 20:00 në stadiumin e Rostovit, ndeshja e dytë Grupi E

BRAZIL-ZVICËR 1-1

Shënues: Koutinjo 20’/ Zuber 50’

Formacionet

Brazili (1-4-4-1-1): Alison; Danilo, Tiago Silva, Miranda, Marselo; Kasemiro (Fernandinjo 60’), Paulinjo (Augusto 67’), Koutinjo, Uillian; Gabriel Xhesus (Firminjo 79’); Nejmar. Trajner: Tite

Zvicra (1-4-4-2): Somer; Litshtajner, Akanji, Shaar, Rodrigez; Behrami (Zakaria 71’), Xhaka, Shaqiri, Xhemaili; Zuber, Seferoviç (Embolo 80’). Trajner. Vladimir Petkoviç

Gjyqtarë: Çesar Ramos Kryesor, Marvin Torrontera, Miguel Hernandez (nga Meksika), arbitër i katërt Xhon Piti (nga Panamaja)

Kartonët: KV Kasemiro/ Litshtajner , Shaar, Behrami

Botërori në 4 ditë

Ndeshje të luajtura: 11

Gola të shënuar: 25

Me penallti: 4

Penallti të humbura: 2

Autogola: 3

Goli i parë: Grupi A

Gazinski 12’ (Rusi)

Goli në ekstrem: Grupi A

Golovin 90+5’ (Rusi)

Më shumë gola: Grupi B

Portugali-Spanjë          3-3

Më pak gola: 3 ndeshje 1-0

Kartonë të verdhë: 30

Më shumë kartonë: 4 KV

Nga 4 në katër ndeshje

Lojtarë golashënues: 21

Lojtari me më shumë gola:

Ronaldo (Portugali)    3 gola

Zhgënjen në ndeshjen e parë

Gjermania Kampione në fuqi

Presidenti Meta bën bashkë ambasadorët e Brazil-Zvicër

Ndeshja midis Brazilit dhe Zvicrës, dje u ndoq në Presidencë në mënyrë të veçantë. Ka qenë vetë Presidenti Ilir Meta, i cili ka ftuar dy ambasadorët Horge Gose Frantz Ramos, dhe zëvendës ambasadorin e Zvicrës, Filip Keller. Nën shoqërinë e tyre, ai nuk ka bërë tifo për asnjë skuadër.

GJERMANI-MEKSIKË 0-1/ Shënues Lozano 36’

Zhgënjen Gjermania, si Kampione në fuqi e nisi Botërorin me humbje

Ndoshta ka qenë ndeshja më e papritur dje ajo mes Gjermanisë e Meksikës, pasi humbja e gjermanëve si Kampionë në fuqi të Botës, ndaj Meksikës, nuk kuotohej e tillë. Gjermania kishte koeficientin 1.50 dhe fitorja e Meksikës kuotohej 7.50, por e ka nisur Botërorin në mënyrën më të keqe të mundshme. Por, veç rezultatit humbës, skuadra e drejtuar nga Lëv ka zhvilluar edhe lojë zhgënjyese, pasi e ka rrezikuar shumë pak portën e Meksikës, ndërsa portieri Oçoa në të gjitha rastet u tregua i gatshëm. Me epërsinë e meksikanëve u mbyll pjesa e parë, të cilët arritën të kalonin edhe në avantazh, ndërkohë që Gjermania u mundua të bënte diçka me krosime. Edhe në pjesën e dytë thuajse u luajt e njëjta panoramë, por që porta meksikane nuk u prek nga goli. Për gjermanët, shpresat tashmë mbeten në dy ndeshjet e tjera të grupit kundër Suedisë dhe Koresë së Jugut, nëse nuk duan të pësojnë fatin e Italisë në vitin 2010 dhe Spanjës në vitin 2014, që nuk kaluan as grupin.

KOSTA RIKA-SERBI 0-1/ Shënues Kolarov 56’

Serbia e nis me tri pikë Botërorin, Kosta Rika me “veteranë” në fushë

Ndeshjen e djeshme kundër Serbisë, e para në Grupin E, Kosta Rika hodhi në fushë formacionin me mesataren më të lartë të moshës, 29 vjeç e 346 ditë, lojtarët me më shumë eksperiencë, por nuk mundi të marrë as edhe barazimin ndaj Rusisë. Nuk ishte një ndeshje fantastike, por në Kupën e Botës, aq më shumë te ndeshjet në grupe vlejnë pikët, dhe këtë e bëri Serbia, falë një goditje të bukur nga Kolarov në minutën e 56-të, i cilësuar tashmë te skuadra e tij si një mjeshtër nga goditjet e dënimit. Pritej futboll më i bukur në fushë, por pak rëndësi pati kjo për serbët, edhe pse mbeti një sfidë e luftuar nga të dyja skuadrat. Pas golit, Serbia u mbrojt mirë, duke mos u lejuar hapësira rivalëve, në rreth 100 minuta lojë efektive. Rasti më i mirë për Kosta Rikën iu krijua Xhiankarlo Gonzalesit që në fillimin e takimit, por goditja e tij me kokë nuk përfundoi në rrjetën e serbëve. Në Botërorin 2014, Kosta Rika ishte skuadra surprizë, pasi shkoi deri në çerekfinale.

“Kurthi” korean për Suedinë, ndryshon numrat e fanellave të lojtarëve

Nëse trajnerët në futboll e studiojnë kundërshtarin dhe e përshtatin me skemat e tyre, te Koreja e Jugut është gjetur një zgjidhje të çuditshme për të befasuar Suedinë sot. Kombëtarja aziatike ka luajtur duke ndryshuar numrat e fanellave të çdo lojtari, në miqësoret para Botërorit, por edhe në stërvitje. “E kemi bërë për të hutuar suedezët, sepse e dimë që na kanë ndjekur dhe studiuar”, ka shpjeguar sot trajneri koreano-jugor Shin Tae-Jong, një ditë para sfidës kundër Suedisë. Koreja e Jugut konsiderohet skuadra më e dobët në grupin F, ku bëjnë pjesë Gjermania, Meksika e Suedia.

Rastësia e penalltisë së humbur, në Peru u regjistrua një “tërmet” i lehtë

Në Peru ka ndodhur diçka e pazakontë, duke e lidhur jetën në atë shtet, me skuadrën e tyre në Kampionatin Botëror “Rusi 2018”, të paktën kështu shkruhej në mediat vendase. Në momentin kur u akordua penallti në favor të skuadrës së tyre në ndeshjen ndaj Danimarkës, një tronditje sizmike u regjistrua në Lima, edhe pse me mijëra njerëz u gëzuan nga vendimi i VAR që vendosi për 11-metërsh. Për fat të keq, Kueva gaboi, duke gjuajtur mbi traversë.

Goli i Poulsen dhe “deti” danez, ja si vërshon në ekranin gjigant në Kopenhagë

Një det i kuq tifozësh në “Parken Stadium” të Kopenhagenit, dhe emocione pa fund ka dhënë goli i Poulsen në minutën e 56-të të ndeshjes Peru-Danimarkë 0-1, i cili ka ngritur peshë rreth 30 mijë tifozë. Stadiumi ishte i tejmbushur, dhe kur në “Mordovia Arena” ju dha penallti Perusë me teknologjinë VAR, stadiumi heshti dhe shpërtheu kur Kueva e humbi. Por kur Poulsen shënoi, shpërtheu një festë e paparë në stadiumin Kombëtar të Danimarkës.

Portieri i Islandës që shtangu Mesin, regjisor që ëndrrën e bëri realitet

Ka një të veçantë për portierin e Islandës, sepse ai nuk është i aftë vetëm me pritjen e topave, por dhe me artin e kamerës. Halldorson ishte heroi i skuadrës islandeze në takimin ndaj Argjentinës dhe u bë protagonist në disa pritje shpëtimtare në portën e tij, që kulmuan me pritjen e penalltisë të ekzekutuar Lionel Mesi. Por, shtatlarti islandez ka në bagazhin e aftësive të tij, diçka krejtësisht unike, pasi ai është një regjisor reklamash me famë të madhe në vendlindjen e tij. Mbas ndeshjes, 34-vjeçarit iu dhurua çmimi “Njeriu i Ndeshjes”, dhe në intervistën e tij, e quajti pritjen si realizimin e një ëndrre. “Pritja e penalltisë në një Botëror është një ëndërr që m’u bë realitet, dhe kjo bëhet akoma më e rëndësishme, pasi na ndihmoi për të siguruar një pikë që na çon akoma më pranë objektivit tonë për të kaluar grupin. Kisha parë shumë penallti të Mesit, prandaj vendosa të hidhesha në të djathtën time”, ka deklaruar dje Halldorson.

GRUPI F

NDESHJET NË GRUP

Moskë/ Dje, 17.06.2018

Gjermani-Meksikë

Novgorod/ Sot, 18.06.2018

Suedi-Koreja Jugut     14:00

Rostov/ 23.06.2018

Korea Jugut-Meksikë  17:00

Soçi/ 23.06.2018

Gjermani-Suedi           20:00

Kazan/ 27.06.2018

Koreja Jugut-Gjermani            16:00

Ekaterinburg/ 27.06.2018

Meksikë-Suedi            16:00

RENDITJA

Skuadrat          Nd      P

  1. Meksika 1 3
  2. Suedia 0 0
  3. Koreja Jugut 0 0
  4. Gjermania 1 0