Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku: Në Notin shqiptar, viti 2023, “Viti i Rekordeve”

28

SPECIALE/ Nga Kampionati Kombëtar Dimëror i Fëmijëve e deri te Europiani, të gjitha në fokusin e Presidentit të FSHN-së, Agim Çiraku dhe të dy trajnerëve

Sigal

 

Agron Kaja

Të përshkruash gjithë rrugëtimin e një viti sportiv, ndoshta nuk do ishte e lehtë për t’i thënë të gjitha. Kështu ndodh edhe me Notin shqiptar, i cili vitin 2023 e nisi me Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve deri në moshën 14 vjeç më 1 dhe 2 prill, dhe e mbylli më 16 dhjetor me Kupën Perspektiva e Notit “Klavio Meça”. Në këto  veprimtari kombëtare kanë marrë pjesë mbi 300 notarë meshkuj e femra të të gjitha moshave (fëmijë, të rinj dhe të rritur), njëherësh janë përmirësuar kohë në gara të ndryshme. Por më evidentja është thyerja e rekordeve kombëtare, ku mund të arrihet shifra me mbi 100 të tillë, 21 vetëm notari i Tiranës, Greisi Koxhaku. Për arritjet në këtë vit, flet Presidenti i Notit Shqiptar, Agim Çiraku, i cili për gazetën “Telegraf” tregoi gjithçka që kjo federatë ka kaluar gjatë vitit sportiv 2023.

EKIPET KONKURRUESE NË VITIN 2023

Te Stela, Tirana, Partizani, Vllaznia, Teuta, Tradita, Vlora, Butrinti, Elbasani, Pogradeci, Vala Suimming.

“Mbi arritjet e 2023 do ndërtojmë synimet për 2024”

FSHN-ja e mbylli vitin sportiv 2023 me 8 veprimtari të organizuara prej saj, ju si President si i përshkruania ato?

Nuk mund t’i ndaj veprimtaritë. FSHN-ja ka qënë e përkushtuar në të gjitha ato evente që ka organizuar, dhe falë bashkëpunimit me klubet e skuadrat, sot themi se kemi mbyllur të gjitha veprimtaritë me suksesin brenda synimeve tona vjetore.

Nga garat me Fëmijët e deri tek të Rriturit, nuk ndaluan rekordet kombëtare, çfarë shpreh ky tregues?

Thyerja e rekordeve kombëtare, apo edhe përmirësimi i kohëve nga shumë notarë, mendoj se tregon përgjegjshmërinë stërvitore të trajnerëve dhe të vetë notarëve. Të gjithë së bashku kanë formuar “orkestrën” e rekordeve kombëtare.

Në këto arritje gjatë vitit 2023 spikatën disa individë, ju i veçoni si pjesa më vitale aktuale e notit?

Gjatë vitit 2023 në aktivitetet kombëtare spikatën Teuta, që u shpall edhe Kampion (M) në Kampionatin Kombëtar Open, ekipi Te Stela që mori disa kupa (M+F), si dhe ekipi Tirana. Si individë përmend Vivian Xhemollari, Kaltra Meca, Julia Xhako, Arla Dermishi, Sara Dande, Viki Tafrruku per Femra, apo Greis Koxhaku, Paolo Priska, Lajdi Allaraj etj, për Meshkuj, të cilët u paraqiten denjësisht edhe në aktivitetet ndërkombëtare.

Në cilat veprimtari të saj FSHN-ja ka patur mbështetje edhe nga strukturat shtetërore të sportit?

FSHN ka mundur të realizojë objektivat dhe kalendarin sportiv për vitin 2023, falë edhe mbështetjes, kryesisht të MSA-së, por edhe të Federatës Botërore të Notit dhe e asaj Europiane të Notit. Edhe Qeveria shqiptare është treguar solidare në projektet tona.

Me infrastrukturën aktuale ku garohet në notin shqiptar, mendoni se notarët meritojnë kushte më të mira?

Padyshim që infrastruktura në sportin e Notit ka shumë nevojë për t’u përmirësuar, sepse çdo impiant ku garohet është privat. Ne si federatë kemi projekte përmirësimi, dhe për këto do kemi mbështetjen e Qeverisë dhe të KOKSH-it.

Shumë notarë shqiptarë kanë marrë pjesë dhe kanë garuar në veprimtari ndërkombëtare, cilën veçoni prej tyre?

Çdo aktivitet ndërkombëtar është i rëndësishëm, por Kampionati Botëror në Fukuoka në muajin korrik ishte i një rëndësie të veçantë, pasi sportistët pjesëmarrës do ishin kandidatë për “Paris 2024”. Gjithashtu, veçoj Kampionatin Botëror për të Rinj në Izrael, Kampionatin Europian për të Rinj në Beograd, si dhe Kampionati Europian për të Rritur në Bukuresht në muajin dhjetor.

Në analizën vjetore të KOKSH-it juve ju premtua ndërtimi i dy pishinave në Shkodër e Vlorë, diçka më shumë për këto gjatë vitit 2024?

Për sportin e notit në Shqipëri do ishte një arritje shumë e madhe ndërtimi i këtyre pishinave. Kjo do bënte të mundur rikthimin e shkëlqimit të dikurshëm të Notit shqiptar, si të notarëve të Vllaznisë, ashtu edhe të Flamurtarit.

Ky vit po kalon ditët e fundit të tij, cili është mesazhi juaj për vitin 2023?

Për vitin 2024, synimet dhe objektivat e FSHN-se janë të qarta dhe konkrete: Mbi arritjet e vitit 2023 të ndërtojmë synimet e reja për vitin 2024.

8 Evente

Gjatë vitit 2023, Federata Shqiptare e Notit zhvilloi 8 veprimtari kombëtare për të gjitha moshat

8 Pjesëmarrje

Gjatë vitit 2023, notarët shqiptarë morrën pjesë në 8 veprimtari ndërkombëtare për të gjitha moshat

Greisi Koxhaku, në çdo garë – një rekord kombëtar

Notari i SK Tirana, Greisi Koxhaku, është “Notari i vitit 2023”. Në çdo garë ai thyeu rekorde kombëtare, por edhe përmirësoi disa kohë, të cilat kishin vite që “flinin” pa u prekur. Edhe pse në moshë të re, ai garon dhe thyen edhe rekordet për moshën e të Rriturve. “Misioni im është që në çdo garë të jap më të mirën time, dhe kur thyej rekord apo përmirësoj kohë në gara të veçanta. Si çdo vit, edhe në këtë që po mbyllim, u përgatita intesivisht për ta mbajtur formën time në nivelin më të mirë, por edhe për të shënuar kohë e rekorde të reja. Natyrisht që falenderimi i parë për këtë vit vjen për SK Tirana e trajnerin Arjan Fetishaj, FSHN-në dhe gjithë notarët me të cilët kemi “debatuar” në pishina. Viti 2024 besoj se do të jetë edhe më i pasur në çdo aspekt të garave që unë do të zhvilloj”.

21 Rekorde

Notari i Tiranës, Greisi Koxhaku, garat e vitit 2023 i ktheu në vit të thyerjes së rekordeve kombëtare. Gjatë vitit 2023, ai ka thyer 21 rekorde kombëtare për të Rinj e të Rritur, si në pishinën 50m, ashtu edhe në pishinën 25m. Greisi garoi në: 50m Flutur; 100 Flutur; 50 Shpinë; 100 Shpinë; 50 stil i lirë; 100 stil i lirë;

100m katërnotim; në dy stafeta me kombëtaren. Në këto gara, të gjitha rekordet kombëtare ai i ka thyer brenda vitit 2023, madje disa herë edhe rekordet e tij.

 

Trajnerët kampionë, pjesë e sukseseve

Sadik Mema (Te Stela): Për ne, një vit i suksesshëm

Kryetrajneri i AN “Te Stela”, Sadik Mema, e quan të suksesshëm vitin 2023. Në këndvështrimin e tij teknik, ai deklaron për gazetën “Telegraf” se kanë fituar të gjitha trofetë, duke përjashtuar titullin për të Rritur në Kampionatin Kombëtar në pishinën 50m. “ Mendoj se për notarët e AN Te Stela ishte viti i suksesshëm. Kemi fituar të gjitha aktivitetet, veç Kampionatit Kombëtar për të Rritur në pishinën 50m, ku edhe pse fituam 3 Kupa: për të Reja, të Rritura dhe të Rinj, nuk arritëm vetëm Kupën për të Rritur Meshkuj. Në të gjitha garat e këtij viti kemi thyer më shumë se 35 rekorde Kombëtare në të gjitha grupmoshat, dhe kjo mendoj se tregon punën e mirë që është bërë e bëhet në Akademinë tonë. Çelsi i suksesit për ne është organizimi i mirë dhe pasioni që kemi për të bërë më të mirën. Për vitin 2024, gjithmonë do presim rekorde të reja, sepse kemi notarë, që premtojnë, por edhe staf teknik profesional që e udhëheq punën”.

Notarët më të mirë, viti 2023

FEMRA

Vivian Xhemollari, Kaltra Meça, Julia Xhako, Arla Dërmishi, Sara Dande, Viki Tafrruku, …

MESHKUJ

Greisi Koxhaku, Paolo Priska, Even Qarri, Lajdi Allaraj, Dastin Topi, Juri Kapoli, Dart Selimi, Deni Mustafaraj …

Arjan Fetishaj (Tirana): Konkurruam me notarë dinjitozë

Për vitin 2023, Tirana kishte objektiv një pjesëmarrje me të gjërë në të gjitha veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare. Trajneri Arjan Fetishaj tregon se rrugëtimi i tyre në gara ka qënë i suksesshëm. “Tirana kishte objektiv një pjesëmarrje me të gjërë në të gjitha veprimtaritë, dhe pritshmëritë i kishim të larta. Objektivat u realizuan nga një pjesë e këtij grupi: Meshkuj e Femra. Në aspektin e organizimit, Tirana ka qënë model në pjesëmarrje, në përfaqësim dhe në rezultatet që ka arritur. Do veçoja edhe etikën e çdo notari tonë në aktivitetet ku morëm pjesë. Gjatë vitit 2023 u thyen shumë rekorde kombëtare, por u thyen edhe tabutë në përgatitjen e notarëve tanë në këto kushte që ne kemi. Infrastruktura vlen për t’u dëshiruar, por notarët tanë treguan se ishin konkurrues e dinjitozë. Për vitin 2024 objektivat tona janë për pjesëmarrje sa më të shumtë në numër, dhe për rezultate më të larta, të shoqëruara edhe me rekorde të tjera kombëtare”.