NOT/ Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku dhe trajnerë të ekipeve thyejnë heshtjen zyrtare pa veprimtari. Ja përgatitjet para Kupës “Pavarsia”, në pishinë edhe nga Kosova
Agron KAJA
Në datat 23 dhe 24 nëntor 2024, sporti i Notit të Shqipërisë thyen heshtjen pa veprimtari zyrtare. Pasi është lënë pas vera e nxehtë me garat e kampionateve kombëtare dhe Mbarëkombëtari në pishinën e hapur 50 m, këtë herë notarët kthehen në pishinën e mbyllur 25 m të kompleksit “Te Stela”. Tashmë notarët do veshin kostumet dimërore të garimit, ku sipas drejtuesve të FSHN-së do të marrin pjesë mbi 150 notarë, Meshkuj-Femra. Mbi 10 ekipe nga e gjithë Shqipëria do ta trazojnë pishinën në tre seanca, dy të shtunën paradite e pasdite dhe një të dielën vetëm gjatë paradites. Një veprimtari që për fituesit, individë dhe ekipe (M+F), do ketë diploma përkatëse. Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku iu dërgon urime të gjithë notarëve e trajnerëve, ku sipas tij, thyerja e rekordeve kombëtare është bërë si traditë në veprimtaritë kombëtare ku ata garojnë.
Z.President, sikur dukeni në qetësi pa veprimtari zyrtare, apo është ndryshe?
Nuk kemi qetësi sportive, sepse Noti edhe në këto ditë ka “notuar”. Të gjithë notarët kanë qënë në aktivitet të plotë në ekipet e tyre përgatitore sipas stinës. Veprimtaritë zyrtare janë zhvilluar sipas kalendarit, ndaj besoj se jemi në ritëm.
Nga shtatori në nëntor, çfarë kanë bërë ekipet e notit shqiptar në dy muaj pa veprimtari zyrtare?
Pas mbylljes së veprimtarive në pishinë 50 m, javën e kaluar mbi 50 notarë meshkuj e Femra nga AN “Te Stela”, morrën pjesë në Mitingun “Skopje-Open”, ku u thyenë edhe katër rekorde kombëtare. Ritmika ka vazhduar, tani kemi Kupën “Pavarsia”.
Si e prisni këtë veprimtari, në aspektin përgatitor të notarëve, të cilët kthehen nga pishina 50 m në pishinën 25 m?
Pas veprimtarive verore që zhvillohen në pishina të hapura 50 m, teoria e praktika stërvitore nga trajnerët ndryshon. Besoj se para Kupës “Pavarsia”, përshtatshëmria e notarëve do jetë e plotë. Pavarsi me rekorde, nuk ka më bukur për Notin tonë.
Mendoni se do të ketë pjesëmarrje të lartë, sikundër në vitet e shkuara në këtë Kupë?
Kjo është veprimtaria e parë kombëtare në pishinën 25 m, pas mbylljes së sezonit veror, dhe si përherë pres pjesëmarrje të mirë. Në FSHN kanë bërë regjistrime mbi 150 notarë meshkuj e femra, pse jo presim edhe notarë nga Kosova.
Nga ju si federatë (FSHN), çfarë masa janë marrë për zhvillimin e këtij aktiviteti?
Masat tona si federatë janë të plota, si për çdo veprimtari tjetër. Vetë rregullorja i ka përcaktuar detyrat tona, dhe ne sot jemi të gatshëm që t’i paraprijmë me sukses kësaj veprimtarie, me të gjithë logjistikën e duhur.
Do garojnë në këtë veprimtari edhe notarët, që morrën pjesë në Olimpiadën Botërore “Paris 2024”?
Po natyrisht, sepse Grisi Koxhaku e Kaltra Meça janë pjesë e ekipit të Tiranës, dhe në këtë kupë besoj se do të japin më të mirën e tyre. Natyrisht që ata do jenë bashkë me notarët e 10 ekipeve të tjera që do të garojnë në këtë veprimtari.
Cili është apeli juaj për notarët garues e trajnerët e tyre, pjesëmarrës në Kupën “Pavarsia”?
Së pari duhet respektuar kjo veprimtari, e cila organizohet në prag të festës së flamurit tonë kombëtar. Do t’u uroja notarëve që të garojnë në mundësitë e tyre më të plota, të jenë rivalizues në garë dhe të mos u ndahen rekordeve kombëtare.
Me këtë veprimtari, Noti shqiptar mbyll garat e vitit 2024, e prisni një mbyllje me rekorde kombëtare?
Thyerja e rekordeve kombëtare nga notarët tanë, është bërë si traditë në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare ku ata kanë garuar. Më pas do jetë Kupa “Klavio Meça” që do mbyllë vitin, ku edhe këtu besoj te një garë rekordemenësh.
Një reagim juaji si President i FSHN-së për gjithë vitin 2024, cili është?
Ndoshta është pak shpejt për ta bërë këtë mbyllje, për mos e humbur traditën e fundvitit. Gjithsesi, në tërësinë e tij, viti 2024 ka qënë i suksesshëm për Notin shqiptar. Mbi bazën e arritjeve, ne do të shohim edhe dukuritë e tjera.
150 Notarë garues
Në FSHN janë regjistruar rreth 150 notarë (M+F), të cilët do përfaqësojnë 11 ekipe shqiptare. Sikundër edhe në vitet e kaluara, në pritje edhe të garuesve nga Kosova.
Ekipet dhe trajnerët
AN Te Stela E.Cane-S.Mema
Tirana Arjan Fetishi
Partizani Dashamir Bregu
Teuta Gjergji Ngresi
Vlora Not Tomor Dano
Vllaznia Kol Shiroka
Elbasani Andi Kongoli
Pogradeci Sotiraq Iftica
Tradita Aleks Gjini
Sportet e Ujit Gentjan Lame
Vala Sëimming Ardian Topalli
Mjeshtri Madh Sadik Mema
Notarët tanë do e respektojnë Kupën me cilësi garimi
Për Mjeshtrin e Madh, trajnerin e Notit në AN Te Stela, Sadik Memën, Kupa “Pavarsia” është një nisiativë e kësaj Akademie, e cila në tri vitet e fundit i është deleguar FSHN-së. Në këtë vit ku kjo Kupë do të “trazojë” pishinën 25 m në Resortin “Te Stela”, nga kjo Akademi do të marrin pjesë më shumë se 50 notarë meshkuj e Femra. Por sipas Pupit, në këtë pjesëmarrje janë edhe grupi i fëmijëve të cilët ai i trajnon. “Nga pishina e hapur 50 që notarët e mbyllën stinën verore të garimit, kjo fundjavë na afron në Kupën “Pavarsia”, një aktivitet që për më shumë se dhjetë vite u organizua nga AN Te Stela. Por ka tre sezone që FSHN-ja po e organizon, me kulturën e duhur profesionale”, kështu tregoi dje për “Telegraf” Mjeshtri Mema, i cili zbuloi edhe synimin që notarët e kësaj akademie kanë në këtë veprimtari. “Tradita e notarëve tanë është se në këtë kupë, veç rezultateve të larta, thyejnë edhe rekorde kombëtare. Do thoja se edhe këtë herë do ta respektojmë Kupën me cilësi garimi”.
Tomor Dano, Vlora Not
Për Pavarësinë, do notojmë denjësisht
Trajneri i Vlora Not, Mjeshtri i Merituar i Sportit Tomor Dano, dje tregoi për gazetën “Telegraf” se këtë herë ai vjen në Kupën “Pavarsia” me 7 notarë (2 F+5 M). Por sipas tij, synimi është një paraqitje dinjitoze. “Ne kemi patur vështirësi përgatitore, sepse kemi një pishinë të vogël 15 m, por kjo nuk na pengon që në Kupën “Pavarsia” të vijmë e të garojmë me dinjitet. Janë 7 notarë, 2 femra dhe 5 meshkuj, të cilët me gjithë vështirësitë, janë të gatshëm të tregojnë vlerat e tyre më të mira. Kjo është një veprimtari dimërore dhe na shërben si një test për vitin e ardhshëm, edhe pse Kupa “Klavio Meça” do ta mbyllë këtë vit kalendarik”.
Trajnerët e vlerësojnë seriozisht Kupën
Eduart Cane AN Te Stela
Në këtë veprimtari, vijmë me përfaqësim dinjitoz
Nga Akademia e Notit AN “Te Stela”, garojnë notarë dhe notare që rezultatet i kanë si “pronë” të tyre, por edhe rekordet kombëtare. Në këtë ritmikë janë edhe ekipet të Rinj e të Rritur që drejtohen nga trajneri Eduart Cane. Në ecurinë e përgatitjes për pjesëmarrjen në Kupën “Pavarsia”, trajneri Cane tregoi për gazetën “Telegraf” se ekipet që ai përgatit vijnë në këtë aktivitet pas rezultateve të mira që arritën në aktivitetin ndërkombëtar “Skopje Open”, në datat 9-10 nëntor në Shkup. “Dy javë më parë ekipet tona të AN “Te Stela”, garuan me dinjitet në mitingun e “Skopje-Open”. Aty u përfaqësuam me 36 notarë meshkuj-femra, duke fituar edhe vëndin e dytë si ekip, dhe mes tyre u thyen 4 rekorde kombëtare. Por tashmë jemi të përqëndruar te Kupa “Pavarsia” këtë fundjavë”, kështu e nisi bisedën tekniku Eduart Cane, i cili u shpreh më pas se në këto gara nuk vijnë si të “dorëzuar”. “Kupa “Pavarsia” sikur erdhi shpejt si kohë, por ne jemi përgatitur mirë dhe do tentojmë ta fitojmë. AN “Te Stela” është nisiatore e kësaj veprimtarie që simbolizon edhe Pavarsinë e Kombit shqiptar, dhe ne si ekip dhe si notarë, veë fitores si kupë, do kërkojmë edhe thyerjen e rekordeve kombëtare. Programi ka qënë paksa i ngjeshur, por vështirësia për të dhënë maksimumin do kalohet. Në këto gara ne do marrim pjesë me 54 notarë: Fëmijë, të Rinj dhe të Rritur dhe këto ditë e kemi alternuar stërvitjen, ndoshta me pak ngarkesë”.
Gjergj Ngresi Teuta
Në Kupë, të shohim ku jemi me përgatitjet tona
Për ekipin durrsak “Teuta”, Kupa “Pavarsia” mbetet një veprimtari për t’u respektuar, jo vetëm se i kushtohet datës historike të shpalljes së pavarsisë, 28 Nëntor 1912. Sipas trajnerit Gjergj Ngresi, notarët bregdetarë do të marrin pjesë me 12 garues, në të cilat ai më shumë mendon se do të testojë ekipin për veprimtaritë e fillimvitit tjetër në pishinën e mbyllur. “Në garat e Kupës “Pavarsia”, ekipi durrsak i Teutës do të marrë pjesë me 12 notarë (M+F), me të cilët trajneri do testojë formën e deritanishme, si dhe për të bërë korrigjimet për vitin e ardhshëm. “Kupa “Pavarsia” është një detyrim moral dhe profesional, dhe e falenderoj FSHN-në që me këtë veprimtari na bën të shohim gjëndjen e notarëve tanë në mbyllje të këtij viti sportiv, ku jemi me përgatitjet tona”, kështu theksoi fillimisht tekniku durrsak Ngresi, për të treguar edhe qëllimin e kësaj pjesëmarrje për ekipin e tij. “Me 12 notarët meshkuj e femra (të Rritur), me të cilët përgatitjet kanë qënë në vazhdimësi, pasi kemi mbyllur sezonin veror të garave, në Kupën “Pavarsia”, e më pas në Kupën “Klavio Meça”, do të shohim se çfarë duhet të rregullojmë ne si trajnerë në programin tonë stërvitor për veprimtaritë e fillimvitit tjetër në pishinën e mbyllur. Sepse kjo është një stinë përgatitore e cunguar për shkak të infrastrukturës. Por do jetë një përfaqësim dinjitoz për Teutën”, kështu shprehet trajneri i Teutës, Gjergj Ngresi.
Dashamir Bregu, Partizani: Do thyejmë dy rekorde
“Jemi përgatitur seriozisht dhe do paraqitemi mirë në Kupën “Pavarsia” me 26 notarë, numri më i madh i Partizanit në këtë veprimtari”, kështu e nisi dje bisedën për gazetën “Telegraf” trajneri i Partizanit, Mjeshtri i Sportit Dashamir Bregu. “Ne e kemi vlerësuar në maksimum si një veprimtari që jo vetëm se është një kupë festive, por do jetë edhe një test për notarët tanë. Thuajse të gjithë notarët i kemi në moshë të re, por të gjithë kanë bërë përgatitje serioze. Paraqitje dinjitoze dhe thyerja e dy Rekordeve Kombëtare (Stafetë të Rritur), këto janë synimet e Partizanit në Kupën “Pavarsia”, vlerësuar edhe si një veprimtari që simbolizon festat e Nëntorit”, këto janë synimet e notarëve të Partizanit në Kupën “Pavarsia”, ku veçohet synimi i thyerjes së rekordeve, për të cilët tekniku Bregu ka siguri te notarët e tij.
KATEGORIA OPEN
Programi i Garave
DITA E PARË
E shtunë, 23.11. 2024
PARADITE
Nxehja Ora 09:00-10:00
Garat në Ora 10:00
400 m Stil Lirë M+F
200 m IM M+F
100 m Shpinë M+F
50 m Bretkocë M+F
100 m Delfin M+F
4X50 m Stil Lirë M+F
PASDITE
Nxehja Ora 15:00-16:00
Garat në ora 16:00
4X50 m Mix M+F
50 m Stil Lirë M+F
200 m Stil Lirë M+F
200 m Shpinë M+F
100 m Bretkocë M+F
200 m Flutur M+F
4X100 m Stil Lirë M+F
DITA E DYTË
E dielë, 25.11.2024
PARADITE
Nxehja Ora 09:00-10:00
Garat në Ora 10:00
100 m Stil Lirë M+F
50 m Shpinë M+F
100 m IM M+F
50 m Flutur M+F
200 m Bretkocë M+F
4X100 m Mix M+F