INTERVISTA/ Për Presidentin e FSHN-së, Agim Çiraku, viti 2024 nisi dhe u mbyll me rezultate të mira
Nga Agron KAJA
Gjatë vitit 2024, në sportin e notit në Shqipëri nuk kishte “qetësi” në të katër stinët. Ujrat e pishinave dimërore e verore u “turbulluan” nga qindra notarë, djem dhe vajza. Të kuadruar në ekipet e tyre, ata morrën pjesë në të gjitha veprimtaritë që Federata Shqiptare e Notit i kishte programuar për t’u realizuar. Por, një fakt edhe duhet veçuar. Dhe cili është? Është Presidenti i kësaj federate, Agim Çiraku, i cili në drejtimin me kulturë sportive e qytetare, ka futur një frymë bashkëpunimi, respekti e rivaliteti në gjithë komunitetin e notit në vëndin tonë. Pse jo, vite më parë kjo situatë dukej e largët. Presidenti Çiraku ka qënë i “dashuruar” me thyerjen e rekordeve kombëtare, ku edhe në këto ditë të para të vitit 2025, gjatë intervistës përmbyllëse për vitin 2024, ai foli edhe për vazhdimin e “betejës” me rekordet dhe përmirësimin e infrastrukturës.
E nisim këtë bisedë të parë për vitin 2025 me pyetjen: Cili është vlerësimi juaj për rrugëtimin një vjeçar të Notit në vitin 2024?
Së pari do uroja që edhe komuniteti i Notit në Shqipëri të ketë kaluar një vit të ri të gëzueshëm. Natyrisht që për rrugëtimin një vjeçar të Notit gjatë vitit 2024, vlerësimi im është shumë pozitiv, pa harruar këtu edhe kritikat e nevojshme.
Në vitin 2024, Noti shqiptar i nisi dhe i mbylli veprimtaritë në pishinë 25 m, si ishte përfaqësimi nga dimri në verë?
Në çdo vit sportiv, sa kohë unë drejtoj FSHN-në, përfaqësimi ka qënë me pjesëmarrje në rritje, por edhe me rezultate të larta. Viti 2024, në të gjitha stinët ku u garua, tregoi progres nga gara në garë. Dhe ky progres u shpreh jo vetëm te rekordet.
Në urimin tuaj për vitin 2025 që po kalon ditët e para të tij, ju i uruat notarët për vazhdimësi rekordesh, juve jeni “tifoz” me rekordet?
Besoj se jam tifoz i rekordeve kombëtare, dhe kam një arsye thelbësore. Duke kërkuar thyerjen e rekordit kombëtar në një garë, i kemi shërbyer rritjes së cilësisë së garimit. Dhe kur një rekord thyhet, apo edhe përmirësohet, ka shërbyer si i tillë.
Gjatë vitit që mbyllëm, cilat ishin dukuritë më të veçanta në veprimtaritë dimërore dhe verore?
Dukuri në një vit me gara brënda dhe jashtë Shqipërisë, mund të gjesh shumë. Por duke veçuar ato më të prekshmet, do thoja se kemi ende punë në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe të masivizimit në ekipe dhe garat që zhvillojmë.
Mendoni ju se infrastruktura ka qënë pengesë serioze për rritjen e zhvillimin cilësor të sportit të notit në Shqipëri?
Po, pengesë ka qënë infrastruktura, por jo serioze. Sepse në fund të fundit, këto mundësi kemi aktualisht në infrastrukturë. Unë e kam thënë shpesh gjatë vitit të kaluar për një premtim se te Parku Olimpik që mendohet të ndërtohet, do ketë edhe një pishinë olimpike, verore dhe dimërore.
Cilat ishin politikat e FSHN-së gjatë vitit 2024, për masivitetin në ekipe dhe individë, si dhe për cilësinë e garimit?
Masiviteti ka qënë pjesë e programit të punës në FSHN, por jo një masivitet pa koordinata. Dua të them se ne e nxisim punën massive te ekipet, por mes tyre kërkojmë përzgjedhjen cilësore, e cila mendoj se bëhet me seriozitet nga trajnerët.
Duke qënë se ekipet e kryeqytetit janë më aktivë dhe dominues në rezultate dhe rekorde, pse kemi një “ftohje” me qytete të traditës?
Këtu duhet të pranojmë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në drejtim të Tiranës, por edhe largimin e tyre jashtë Shqipërisë. Dhe ky largim ka prekur qytetet me traditë në sportin e notit, si Vlorën, Durrësin, Shkodrën e Lezhën.
Ju si FSHN jeni deklaruar për një investim të shtetit shqiptar për ndërtimin e një pishine olimpike, si është situata?
Më sipër unë e përmënda këtë pikë, dhe po rikujtoj se gjatë vitit të kaluar patëm një premtim se te Parku Olimpik që mendohet të ndërtohet me investim nga shteti shqiptar, do ketë edhe një pishinë olimpike, verore dhe dimërore.
E mendoni se infrastruktura duhet të jetë një nga objektivat tuaj më kryesorë gjatë vitit 2025?
Unë e them me përgjegjësi të plotë, se infrastruktura ka qënë, është dhe do të jetë objektiv vit pas viti. Për realizimin e tyre janë shumë faktorë, ndërkohë që ne si federatë mbështesim çdo nisiativë që i shërben përmirësimit të infrastrkturës.
Viti 2025 sapo ka nisur, në cilësinë e Presidentit të FSHN-së, si do t’i uroni klubet, notarët e trajnerët?
Për vitin 2025, unë uroj që beteja” me rekordet dhe përmirësimin apo edhe ndërtimin e infrastrukturës të vazhdojë. Janë dy tregues thelbësorë që ndikojnë në rritjen cilësore të këtij sporti, dhe ne si FSHN-në do jemi promotorët kryesorë.
2 NOTARË
Kaltra Meça dhe Greis Koxhaku, këta ishin dy notarët shqiptarë që morrën pjesë në Lojrat Olimpike “Paris 2024”
100 REKORDE
Në veprimtaritë e notit gjatë vitit 2024, nga notarët (M+F) janë thyer e përmirësuar mbi 100 rekorde kombëtare.
Sa kohë që unë drejtoj FSHN-në, përfaqësimi ka qënë me pjesëmarrje në rritje, por edhe me rezultate të larta. Viti 2024, në të gjitha stinët ku u garua, tregoi progres nga gara në garë, dhe ky progres u shpreh jo vetëm te rekordet.