Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Notarët sfiduan stuhinë me “duel” kampionësh dhe 5 rekorde

NOT/ Mes shiut dhe errës së fortë, në pishinën “Taq Dafa” në Durrës u zhvilluan me rivalitet garat e Kampionatit Kombëtar, flet Presidenti i FSHN, Agim Çiraku

Agron KAJA

NOA

Me stuhi dhe rreshje mbyllët edhe veprimtarinë e fundit verore të vitit 2025, si i përshkruan garat e Kampionatit Kombëtar?

Si veprimtari e fundit verore në pishinë 50 m për këtë vit, them me bindje se u zhvillua një kampionat i frutshëm dhe me rezultate të mira. Me pjesëmarrje të lartë ku garuan notarë nga Shqipëria, Kosova e të ardhur nga Amerika, u thyenë 3 rekorde Kombëtare, ky seriozitet u shpërblye në gara.

Notarët vinin në kampionat pas pushimeve verore, si ishte paraqitja e tyre në garë?

Duke qënë se notarët vinin pas pushimeve verore, ndoshta e mendova unë gabim se nuk do kishim këto rezultate. Por jo, paraqitja e tyre ishte shumë e lartë në këto kushte të motit me stuhi, e këtu mendoj se përgatitjet ishin baza e rezultateve të tyre.

Dy treguesit më të prekshëm gjatë garave, organizimi dhe tabela elektronike, si ndikuan tek notarët ?

Garat e Kampionatit Kombëtar në pishinën “Taq Dafa” u zhvilluan me standarte europiane. Përdorimi i matjes së kohëve të notarëve me tabelë elektronike, i bëri garat më të mira, më të shpejta dhe më të bukura.Tabela elektronike në këtë pishinë ka seriozitet e saktësi.

Sa ekipe garuan në këtë kampionat, a do e quanit si Mbarëkombëtar?

Pothuajse ishte një kampionat Mbarëkombëtar, sepse garuan 12 ekipe nga Shqipëria dhe 2 nga Kosova, por edhe të ardhur nga Amerika dhe disa shtete në Europë. E falenderoj edhe Bashkinë e Durrësit për masat e mira që kishte marrë.

Në këndvështrimin tuaj, notarët dhe ekipet, ishin në pritshmëri para kampionatit?

Këtë herë edhe intuita ime profesionale nuk gaboi, sepse pritshmëritë u arritën në rezultate, por edhe në organizim, i cili i parapriu cilësisë. Në arritjen e rezultateve të larta isha optimist, ndërkohë që edhe në thyerjen e rekordeve e kërkova suksesin.

Para kampionatit kishit “porosi” thyerrjen e rekordeve kombëtare, jeni i plotësuar në këtë drejtim?

Nëse flasim vetëm për 5 rekordet kombëtare, unë nuk quhem i plotësuar, dhe kjo e krahasuar edhe me garat e vitit të kaluar në këtë pishinë. Gjithsesi, ndjehem i  kënaqur, sepse shumë notarë kishin rezultate në rritje me kohët që shënuan.

E mbyllët sezonin veror 2025, në programin për këtë vit kalendarik cilat janë veprimtaritë e tjera?

Në fakt janë disa, por do ta përmënd Maratonën e Notit në Sarandë në datën 7 shtator, e më pas rikthehemi te veprimtaritë në muajin nëntor në pishinën 25 m, me Kupën Pavarësia, ndërsa muaji dhjetor i mbyll të gjitha veprimtaritë e vitit.

Ju si President i FSHN-së, çfarë do t’i uroni notarëve, trajnerëve, klubeve e shoqatave për vazhdimësinë?

Unë ju uroj notarëve e trajnerëve të tyre një përgatitje të mirë për aktivitetet e mbetura kombëtare e ndërkombëtare. Viti sportiv në Notin shqiptar shtrihet gjatë gjithë vitit, dhe me rezultatet e larta dhe rekorde kombëtare, ky sport do ecë më përpara.

                    ÇMIMET PËR FITUESIT

Notari më i mirë     M                       Notarja më e mirë  F

Grisi Koxhaku – Tirana                       Arla Dermishi – Te Stela

Me 1387 pikë FINA               Me 1233 pikë FINA

Ekipi fitues    M                    Ekipi fitues    F         

Tirana për Meshkuj                 Te Stela për Femra

 

REKORDET KOMBËTARE

Rikardo Lula (Tirana)

100 m Stil i Lirë Meshkuj

(Fëmijë Kategoria A)

Koha rekord 57’38

Rekordi i kaluar 58’12

Elio Skënderi (Te Stela)

50 m Flutur Meshkuj

(Fëmijë Kategoria B)

Koha rekord 27”84

Rekordi kaluar 28”16

Stafetë 4X100 m Miks F

Te Stela, të Reja/ të Rritura

Koha rekord 4’58”23

Rekordi kaluar 5’00”19

Stafetë 4X100 m St. Lirë F

Te Stela, të Reja/ të Rritura

Koha rekord 4”22’99

Rekordi kaluar 4”25’41

Stafetë 4X200 m St. Lirë

Tirana për Meshkuj/ të Rritur

Koha rekord 8’20”03

Even Qarri, notari “foto-model” i Kampionatit

FLASIN REKORDMENËT

Eljo Skënderi (Te Stela): Do thyej rekord edhe në 25 m

Në garat e ditës së shtunë të kampionatit kombëtar, notari Elio Skënderi i ekipit Te Stela, u bë rekordmeni i parë i këtij eventi. Në garën 50 m Flutur për Meshkuj (Fëmijë Kategoria B), ai shënoi kohën rekord 27”84, ndërkohë që rekordi kaluar ishte 28”16. Pas garës, rekordmeni Skënderi u shpreh se rezultati erdhi pas punës stërvitore më të fortë. “Ishte një garë pak e lodhshme, kjo edhe për shkak të rivalitetit me notarin e Tiranës, Rikardo Lula. Unë u ndjeva mirë dhe nga starti e deri në finish, kryesova me meritë. Kam bërë stërvitje të fortë në këto muaj dhe kisha besim se do arrija kohë të mirë. Tani mbetet që këtë rekord ta thyej edhe në pishinën 25 m, aty mund të jetë edhe më e lehtë”.

Rikardo Lula (Tirana): Jemi ekip kampion. Kjo më frymëzon

Ekipi i Tiranës kishte në përbërjen e tij kampionë dhe rekordmenë, dhe renditja në kreun e kampionatit kombëtar erdhi nga kontributi i të gjithë notarëve e notarëve. Dy rekorde kombëtare (nga 5 të tillë) mbajnë firmën e Tiranës, ku notari Rikardo Lula vendosi kohën rekord në 100 m Stil i Lirë, Fëmijë Kategoria A. “Unë isha përgatitur për rezultat të lartë në këtë kampionat. Mendoj se thyerja e rekordit kombëtar (57”38), është pjesë e stërvitjes që kemi bërë në ekipin tonë. Falenderoj edhe trajnerët Arjanin e Keisin (Fetishaj), si dhe bashkëpunimin me notarët e tjerë, ku veçoj kampionin Grisi Koxhaku. Tirana të kultivon ndjenjën e kampionit, dhe besoj se kjo ritmikë do vazhdojë edhe në garat e tjera”.

Rekorde kombëtare nën presionin e motit, dhe gara me rivalitet

Agron KAJA

Pesë rekordet kombëtar, që u thyen në garat e Kampionatit Kombëtar për Fëmijë, të Rinj e të Rritur, Meshkuj e Femra, nuk marrin vlera vetëm për kohët që u arritën. Ato së pari treguan përgatitjet dhe seriozitetin e notarëve për këto gara, por njëherësh edhe pasionin e garimit, duke sfiduar motin me rreshje e stuhi ere, ku në Durrës kishte kohë që nuk ishte shfaqur. Por përpos motit, notarët treguan se pushimet verore nuk i kishin penguar ata që të stërviteshin itensivisht për këtë kampionat. Kur i referohesh kohëve të arritura, por edhe renditjes së notarëve në veçanti dhe ekipeve në përgjithësi, qartazi shohim një Grisi Koxhaku në formën e tij më të mirë, edhe pse pa rekord. Por shohim edhe notaren Arla Dermishi  konstante vit pas viti me rezultatet e saj në rritje, dallojmë trokitjet e rekordmenëve Eljo Skënderi e Rikardo Lula, të cilët i dhanë bukurinë e rivalitetin këtij kampionati. Në zhurmën admiruese që solli pishina “Taq Dafa” në dy ditët e garave, u përfshinë notarët she notaret e 14 ekipeve (12 nga Shqipëria dhe 2 nga Kosova), të cilët sikur ua “salduan” kronometrat në dorë dhe bilbilat në gojë trajnerëve të tyre, shumë seriozë dhe korrektë në këtë kampionat. Pse jo, edhe emrat e tyre vendosen në mirësinë e këtij kampionati, ndërsa gjyqtaria e drejtuar nga Mjeshtri I Madh Emin Lishi, mbeti si “qershi mbi tortë” në dy ditët e kampionatit. Edhe pse matjet e kohës u bënë me tabelë elektronike, të gjithë ishin në lartësinë e duhur. Por ky kampionat nuk mund të thuhet se mbaroi këtu, sepse duhet kujtuar se si filloi, me masat e mira që ishin marrë nga Bashkia e Durrësit e Klubi Shumësportësh “Teuta”, duke sjellë kushtet e një infrastructure të denjë për kampionë e rekordmenë. Kështu nisi dhe u mbyll në Durrës Kampionati Kombëtar i Notit në pishinën 50 m “Taq Dafa”, me Rekorde kombëtare nën presionin e motit, por me gara me rivalitet.

Grisi Koxhaku, kampioni “bonus” në Notin shqiptar

Pas një vit specializimi jashtë Shqipërisë, notari i SK Tirana, Grisi Koxhaku, erdhi dhe doli nga ky kampionat si fitues e kampion. Me 1387 pikë FINA që ai grumbulloi në të gjithat garat individuale dhe ekipore ku morri pjesë në skuadrën e Tiranës, tregoi se ky kampion i “heshtur” tashmë është kampion “i gjallë”. Rikthim në vitet e tij më të mira, një “bonus” për Notin shqiptar.

TRAJNERËT NGA KOSOVA

Astrit Haliti, Otrrilla, Prishtinë: Paraqitje dinjitoze nga notarët tanë


Astrit Haliti është bërë i shtëpisë në garat e notit shqiptar. Tashmë si trajner i Otrrilla të Prishtinës, ai garoi në Durrës me 8 notarë, 3 femra dhe 2 meshkuj. Dhe përpos rezultateve të notarëve të tij, që ishin në parametra shumë të mira, Haliti deklaroi pas garave se pjesëmarrja e tyre ishte edhe një test për vazhdimësinë. “Jemi përgatitur seriozisht që në këtë kampionat të paraqiteshim dinjitozë. Dhe kështu ndodhi, ku pjesa më e madhe e notarëve të ekipit Otrrilla ishin në vëndet e nderit pas garave, duke marrë edhe medalje. Mendoj se infrastruktura dhe organizimi i mirë i bënë garat edhe më të forta, rivale dhe me kohë të mira. Çdo vit këtu në Durrës ndjehemi si në shtëpinë tonë e do vazhdojmë të garojmë në këtë pishinë”, kështu u shpreh trajneri i ekipit Otrrilla të Kosovës, Astrit Haliti.

Ardian Hamiti, Ilirida: Kemi brez premtues e të talentuar

Trajneri i ekipit Ilirida nga Fushë Kosova, Adrian Hamiti, në garat e Kampionatit Kombëtar të Notit që u zhvillua në Durrës më 30 e 31 gusht, morri pjesë me 6 notarë (2 femra dhe 4 meshkuj), të cilët treguan seriozitet e vlerësim në gara. Këtë e shprehu edhe vetë trajneri Hamiti, me besimin se ka një brez premtues. “E kishim vlerësuar pjesëmarrjen tonë në këtë kampionat këtu në Durrës, dhe me formën e mirë që treguan notarët, arritën rezultate të larta. Veçoj Leonid Selmanin në 50 m Bretkocë, dhe notaren e talentuar Tuona Gërguri në 200 m Miks. Ata dolën kampionë në këto gara dhe kjo më bën të besoj se tashmë kemi një brez notarësh shumë premtues për të ardhmen. Edhe kushtet e mira të garimit na ndihmuan në rezultatet tona”, u shpreh trajneri Adrian Hamiti i ekipit Ilirida të Fushë Kosovës.

Trajneri Te Stela, Sadik Mema: Jemi gati të fitojmë gjithçka

Mjeshtri i Madh Sadik Mema, në Kampionatin Kombëtar të Notit në Durrës, ishte një nga trajnerët e ekipeve Te Stela, por që në moshën të cilën ai drejtoi, doli me rezultate të larta. “Garat e notarëve tanë shkuan në pritshmëri, që në ditën e parë me rekordmenin Elio Skënderi, ku ne treguam se te Stela vjen me përgatitje serioze në çdo veprimtari. Në ekipin tonë janë disa notarë fitues, dhe me këta notarë Te Stela i ka fituar të gjitha trofetë e këtij viti, në pritje edhe për të tjerë që do të zhvillohen. Bashkë me Eljon, nivel treguan edhe notaret Erla Dermishi, Luna Djarmati apo edhe Daniel Danja, të cilët sfiduan me profesionalitet edhe kushtet e motit në ditën e parë. Këto rezultate premtojnë shumë, dhe këtu ekipi i Te Stela e rruajti traditën e fituesit, por në veprimtarinë e radhës do jemi më mirë”.

Keis Fetishaj, Tirana: Po rritemi me trofetë e Tironës

Si zëvendës trajner i Klub Tirana, Keis Fetishaj, me rezultatet e shkëlqyera, që arriti Tirana në këtë kampionat, mund ta konsiderojmë edhe si kryetrajnerin e saj. Për kontributin që dha në këto gara, si garues dhe si drejtues i skuadrës në të gjitha korrespondencat në mënyrë korrekte me organizatorët e aktivitetit. “Unë jam rritur me trofetë e Tiranës që në fëmijëri. Janë shumë tituj e trofe, janë shumë rekorde kombëtare të thyera nga notarët e kësaj skuadre ndër vite, dhe këtu e kam ndjerrë përgjegjësinë e madhe. Por në fund ia vlen, sikundër dolëm në Kampionat këtu në Durrës. Është përgjegjësi e madhe të drejtosh Tiranën, por unë jam në fillimet e para dhe “hija” e babait tim trajner prej 30 vitesh eksperienë (Arjani), më bën të ndjehem i sigurtë se do të bëjmë gjithçka për ta ngritur më lart notin e Tiranës”.