Sporti në “Telegraf”/ Përfundojnë garat e notit në pishinat dimërore. Akademia “Te Stela”, superfuqia e aktivitetit. Flasin pas garave Presidenti i FSHN, Agim Çiraku, Kryetrajneri Sadik Mema dhe kreu i komunës Ferizaj, Agim Aliu

1884
Sigal

Akademia “Te Stela”, superfuqia e notit

Agim Çiraku- President i FSHN: “Synimi është të kapim rezultate bashkëkohore”

Nën kujdesin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Notit (FShN) z. Agim Çiraku dhe nën bujarinë mikpritëse të gjigantit të prodhimit të birrës “Stela”, në datën 24 Nëntor 2018, u organizua aktiviteti mbarëkombëtar “Kupa e Pavarësisë”. Ishte ky event edhe avangarda e aktiviteteve për nder të kësaj ngjarjeje për notin, por jo vetëm. Ekipet; A.N Stela, Teuta Swimming, Butrinti Sarandë, Eagles, Partizani, Tradita A, Willson, Vlora Not, Vllaznia dhe Tirana nga Shqipëria dhe KN Besa dhe Kastrioti Ferizaj nga Kosova do të ishin pjesëmarrësit e këtij eventi mbarëkombëtar. Tradita tashmë ka nisur rrugëtimin e saj teksa në vitin e 7-të radhazi ajo veç po formalizohet në një aktivitet që parashikon në pjesëmarrje edhe ekipet e sivëllezërve tanë në Maqedoni dhe Mal të Zi. Më shumë se 150 notarë nga të cilët; 46 femra dhe 113 meshkuj, të ardhur nga Kosova dhe ekipe të rretheve kanë garuar në 8 disiplina për të synuar marrjen e kësaj kupe kaq prestigjioze, që simbolizon këtë ngjarje mbarëkombëtare.

Aktiviteti ishte pjesë e “Garave absolute’, çka do të thotë se, nuk kishte selektim moshe në disiplina dhe bateritë e garave. Në garë konkurruan që nga 8-vjeçarja Arla Dyrmishi, e cila zuri vendin e parë në baterinë e saj , në stilin “Delfin” – 50 m me kohën 44’ e 06” dhe do të sfidonte mbi moshataret e saj, teksa do të zinte vendin e 3-të në rang kombëtar, në 100 m stil delfin deri tek më të rriturit ku mosha nuk kishte kufi. Organizimi deri në perfeksion, ishte një vlerë tjetër e shtuar nga k/gjyqtari Emin Lishi dhe nga sekretaria e kryesuar nga Bashkim Mërtiri, të cilët me mbështetjen e një grupi profesionistësh gjyqtarësh bënë të mundur që gara mos të kishte asnjë kontestim. Ekipi i “Stelës” me kampionët si vogëlushja Kaltra Meçe 10 vjeç, Dara Dante fituese në stilin e lirë, Stelma Harshova fituese në stilin e bretkosës dhe 100 m miks apo kampiones absolute, Jona Thomai fituese në stilin shpine 100 m, 200 m dhe 200 m miks, përballja do bëhej më interesante brenda “familjes”. Nga ana tjetër të njëjtën performancë do të shfaqnin edhe djemtë kur do të ishin fitues në të gjitha disiplinat. Do dallohej në këtë garë; Ergi Vergi, Deni Baholli që do të ishin fitues të 4 garave, të cilët me Frenki Voglin, Ubert Çurçinë dhe Eni Metallën do të siguronin dominimin absolut të ekipit “Stela”. Nga ekipet e tjera edhe Kastrioti do ta bënte interesante garën kur me Adea Alimeta, Dea Misimi, Loresa Nazifi për femra dhe Ylli Nazifi dhe Gent Aliu për meshkuj do ta “ngjyrosnin” sado pak rivalitetin e këtij eventi. Në përfundim të aktivitetit si për femra ashtu edhe për meshkuj, ekipi i “Stela” fitoi trofeun “Kupa e Pavarësisë”.

Paraqitje larg pritshmërive e Lionel Mesit

Larg pritshmërive në këtë kampionat ishte Lionel Mesi, i cili me rezultatin 1’ e 50’’ në 100 m ishte larg asaj që ekipi i Shqiponjave synonte të arrinte, gjithsesi mosha dhe talenti i tij janë premisë që të kemi një Mes kampion në disiplinën e tij…

Sadik Mema: “Masivizimi i notit tashmë është një realitet i prekshëm”

Tashme me staturën e një kryetrajneri të gjithëpranuar do të shprehej se “Masivizimi i notit tashmë është një realitet i prekshëm. Mbipopullimi në ekipin tonë tregon se ky sport nuk është vetëm sport, por edhe argëtim edhe shoqërizim. Këto lloje aktivitetesh përpos rëndësisë që kanë për vlerësimit të historisë kanë edhe qëllim për të kontrolluar gjendjen e ekipeve dhe për t’i mbajtur në tonus. Natyrisht qëllimi ynë është ta masivizojmë më tepër edhe në rang të pjesëmarrjeve të ekipeve por edhe të notarëve.”

Agim Çiraku- President i FSHN: “Synimi është të kapim rezultate bashkëkohore”

Është një ngjarje e shënuar për notin mbarëkombëtar, ashtu sikur po organizojmë garat në pishinat e hapura, Akademia “Stela” dhe presidenti i saj Stefan Pinguli na kanë hapur dyert që për të 7-tin vit të organizojmë edhe këtë event kaq kuptimplotë sikur është “Kupa e Pavarësisë”. Ka ardhur koha që mos të kënaqemi vetëm me masivizimin e këtij sporti por edhe të kapim rezultate bashkëkohore.

Kryetar i Komunës Ferizaj, Agim Aliu: “Po planifikojmë ndërtimin e pishinave të mbyllura”

Më një tabor të “artilerisë së rëndë” kishte ardhur në këtë aktivitet ekipi i “Kastriotit” të Ferizajt,. Prania e kryetarit të Komunës, Agim Aliu dhe nën kryetares në këtë garë tregonte qartë edhe mbështetjen e këtij sporti. Në një prononcim për “Telegraf”, kryetari do të shprehej – “Pjesëmarrja në 6 evente nga 7 që ka ky aktivitet tregon vlerësimin, si për këtë aktivitete, por edhe për këtë sport. Masivizimi i tij në komunën tonë ka filluar që mbas çlirimit, por tani na ka vënë në “pozitë”, se na kërkon ndërtimin, jo vetëm të pishinave të hapura, por edhe të mbyllura. Ndoshta duhet më shumë për ta mbështetur këtë sport, edhe pse ne e subvencionojmë në mënyrë modeste këtë sport si pak komuna të tjera. Ne kërkojmë të krahasohemi me më të mirët Në pritshmëritë po planifikojmë në buxhetin e komunës edhe ndërtimin e pishinave të mbyllur, pse jo ky aktivitet të zhvillohet me rrotacion. Pavarësia nuk është vetëm e Shqipërisë, por edhe e Kosovës, dhe e vëllezërve tanë në Maqedoni dhe Mal të Zi. Vlerësoj mbështetjen e FSHN dhe të Presidentit “adash”, por ky aktivitet duhet ta kalojë këtë nivel dhe duhet të ketë staturën e kampionatit për pishinat e mbyllur, ashtu sikur zhvillohet në verë për pishinat e hapura. Mendoj që është një rast që të quhet edhe Kampionati Mbarëkombëtar i Notit. Le të jetë ky sport avangarda e një qëllimi të dëshiruar nga cilido shqiptar.