Presidenti i FSHF-së, Armand Duka: Jemi sfidantët te grupi i “hekurt”, në Euro 2024 nuk i kemi frikë

73

INTERVISTA/ Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, vjen në gazetën “Telegraf” me një rrëfim të rrugëtimit të institucionit që drejton, në fokus “Gjermani 2024”

Sigal

Në ditët e kampingut stërvitor të Kombëtares, biseda me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka për gazetën “Telegraf”, u krye me shpejtësi dhe me shumë sportivitet, për shkak të angazhimeve të tij në UEFA gjatë javës. Nisja e bisedës nuk mund t’i shmangej Kombëtares, e cila tashmë mbetet edhe kryefjala e futbollit tonë kombëtar. Jo vetëm Europiani, por edhe futbolli shqiptar në të gjitha nivelet e tij u bë pjesë e bisedës.“Në këtë periudhë kemi provuar gjatë më shumë se një viti, pothuajse të gjitha ato ndjesi që vetëm futbolli mund t’i prodhojë: Emocionet, gëzimin, krenarinë, sakrificën, luftën sportive. Asnjë organizëm apo parti politike, nuk mund ta bëjë atë që bën futbolli”, kështu deklaroi mes të tjerash Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, duke e quajtur si një periudhë intensive, mbushur me ngjarje, arritje dhe emocione të mëdha.

Agron Kaja

Kualifikimi në Europian është edhe krenari, e cila gjatë kësaj periudhe i kaloi jo vetëm caqet e stadiumeve, por edhe ato të kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Në çdo kënd të botës, kudo ku jetojnë shqiptarë pati gëzim, hare dhe festë. Asnjë organizëm, individ, apo parti politike, nuk mund ta bëjë kurrë atë që bën futbolli.

Albania Portraits – UEFA EURO 2024

 

Kualifikimi në Euro 2024 erdhi si “qershia mbi tortë”, e nisim bisedën me këtë event?

Patjetër që po, sepse Shqipëria ishte dikur jashtë hartës së pretendentëve, dhe brenda 8 viteve u kualifikua për herë të dytë në histori në finalet e Kampionatit Europian. U renditëm të parët në grupin tonë eliminator, duke dhuruar lojë të mirë dhe me shumë emocione. Kjo është arritje e madhe për futbollin shqiptar, dhe tashmë këta djem, ky staf teknik dhe organizativ kanë hyrë në histori.

Në Europian, që në kualifikueset në grupe shorti na vendosi në një “grup ferri”, ju e quani kështu?

Shorti na vendosi në një grup të vështirë, dhe këtë e tregon fakti se nga ky grup me pesë skuadra, tre prej tyre janë finaliste të Euro 2024. Por ne patëm forcën që t’i sfidonim të gjithë kundërshtarët, vështirësitë, pafatësitë e dëmtimet. Tashmë në grup do kemi përballë kundërshtarë të sprovuar dhe jemi sfidantët e “grupit të hekurt” të Euro 2024.

Çfarë veçoni në rrugëtimin e Kombëtares për kualifikimin në Europian?

E nisëm rrugën tonë me një humbje në Poloni, por kjo nxorri në pah karakteristika shumë pozitive të grupit të futbollistëve dhe stafit, si karakterin, sedrën sportive dhe sakrificën. Reagimi ishte fantastik, skuadra u bë gati e papërmbajtshme dhe  reagoi në mënyrë të shkëlqyer duke zhvilluar ndeshje të paharruara dhe duke siguruar kualifikimin para mbylljes së edicionit. Tashmë jemi finalistë.

Ku mendoni se do shkojë Kombëtarja jonë në finalet e Euro 2024, duke kujtuar kundërshtarët në grup?

Sigurisht që kemi shumë respekt dhe vlerësim për kundërshtarët e fortë, por nuk kemi frikë askënd. Cilido të jetë rezultati, ne do të fitojmë nga ky Kampionat Europian. E rëndësishme është që të mbajmë kokën lart, duke treguar vlerat tona dhe duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët. I uroj suksese ekipit tonë Kombëtar në Gjermani dhe po i them Silvinjos, stafit të tij dhe gjithë ekipit, se ne shqiptarët dëshirojmë t’i kalojmë pushimet në Gjermani këtë vit, të paktën deri më 14 korrik.

Po një dallim, apo ndryshim mes skuadrave në Europianin 2016 dhe tani në Euro 2024, si mund ta ndani?

Në të dy këta kampionate europiane, e rëndësishme është se luajti dhe luan Shqipëria. Ky është moment, që i bashkon të dy eventet për Kombëtaren tonë, tani jemi edhe më të pjekur në kuptimin e organizimit dhe të përzgjedhjes së elementëve që do na përfaqësojnë në këtë europian.

Gazeta “Telegraf” ka mësuar se ju në Gjermani do merrni edhe ish-futbollistë të kombëtares, apo drejtues të klubeve, jemi të saktë?

Plotësisht! Stafi teknik dhe ai i administratës së FSHF kanë përgatitur çdo gjë në detaje, si fushatën përgatitore që do të zhvillohet në Austri, ashtu edhe në rezidencën zyrtare të ekipit në Gjermani, Kaiserau. Tashmë jemi gati për të nisur fushatën tonë, në të cilën të gjithë drejtuesit e klubeve dhe futbollistët e kombëtares në vite, janë të ftuarit specialë për ta shijuar e mbështetur këtë sukses të përbashkët.

Cila është axhenda e Kombëtares pas dy ndeshjeve miqësore me Litehshteinin dhe Azerbaixhanin?

Të premten e kaluar Kombëtarja u vendos në Grac të Austrisë në një nga komplekset sportivë të qytetit ku zhvilloi fazën përgatitore. Mes fazës u përcaktuan  edhe dy miqësoret, që u zhvilluan në Haladas, Hungari, 1 orë e gjysmë larg nga Austria. Pas tyre, Silvinjo do dorëzojë listën përfundimtare të lojtarëve në Europian.

Ditë më parë keni mbajtur një fjalim të gjatë në Asamblenë e FSHF-së, si ka qënë për ju periudha ndërmjet dy Asambleve?

Mendoj se periudha mes dy Asambleve ka qenë tepër intensive, e mbushur me ngjarje, arritje dhe emocione të mëdha. Gjatë një viti kemi provuar thuajse të gjitha ato ndjesi që vetëm futbolli mund t’i prodhojë: Emocionet, gëzimin, krenarinë, sakrificën, luftën sportive.

Po te futbolli në kampionatet e të gjitha niveleve, si ishte rrugëtimi në sezonin që u mbyll?

Këtë sezon rrugëtimi në futbollin shqiptar ka qënë i mirë, ku vëmendja kryesore ishte aplikimi i skemës së re “Final 4” në kampionatin e djemve dhe vajzave. Pavarësisht stepjes, dhe shpesh herë edhe mosbesimit, aplikimi i kësaj skeme rezultoi i suksesshëm. Ky format i ri i kampionatit ka pasur diskutimet e veta, por besoj që performanca e skuadrave dhe emocionet e fazës finale dhanë përgjigje pozitive.

Një sezon pa shumë pretendime për gjykimet, e quani punë të kryer në këtë sezon?

Arbitrat në futbollin tonë shpesh kanë qënë edhe të paragjykuar, me apo pa të drejtë, por në këtë sezon që u mbyll them se kanë bërë një performancë të mirë. Nëse unë ju thashë më sipër se rrugëtimi në futbollin shqiptar ka qënë i mirë, këtu kanë pjesën e tyre edhe arbitrat. Por asnjëherë nuk do mendoja se s’kemi patur edhe mangësi, por që asnjëherë nuk u bënë faktor në mbarrëvajtje e rezultate.

Sa është numri i lojtarëve të licensuar në FSHF në të gjitha nivelet e futbollit tonë?

Në FSHF janë të regjistruar zyrtarisht 21840 futbollistë, dhe në edicionin e fundit janë organizuar 15104 ndeshje zyrtare në të gjitha nivelet. Në çdo javë, në të gjitha nivelet aktivizohen 641 zyrtarë të FSHF. Gjatë periudhës 2023-2024, në bashkëpunim me UEFA-n janë organizuar në Shqipëri 16 turne ndërkombëtarë për vajza e djem, nga të cilët 11 në vitin 2023 dhe 5 gjatë 5 mujorit të vitit 2024.

Në punën për zhvillimin e futbollit të fëmijëve, cilët ishin drejtimet kryesore?.

Vijimi i projekteve të rëndësishme “UEFA Playmakers” dhe “FIFA Football 4 Schools”, kanë vijuar me pjesëmarrje fëmijësh gjatë kësaj periudhe. Asistenca e Drejtorisë Teknike për mënyrën e stërvitjes, unifikimi i metodologjisë me literaturë, organizimi i kurseve “UEFA C” në shoqatat rajonale, vazhdimi i projekteve unike si “Topi Yt” dhe “Uniforma Ime”, janë drejtime të rëndësishme në punën tonë me fëmijët.

FSHF-ja ka organizuar edhe evente ndërkombëtare, cila ka qënë përvoja që ju keni prej tyre?

Natyrisht që ndjehemi krenarë për aktivitetet ndërkombëtare dhe eventet e zhvilluara nga ne gjatë kësaj periudhe. Tashmë federata ka treguar se ka një staf të aftë dhe të specializuar për të përballuar çdo sfidë të kësaj natyre. Si FSHF kërkuam të organizonim finalet e Kampionatit Europian 2027 për djem nën 21 vjeç, dhe aplikuam si konkurrentë më vete brenda afatit të përcaktuar nga UEFA. Ne kemi interes të drejtpërdrejtë, dhe kjo jo vetëm për imazh dhe eksperiencë.

Ditë më parë keni zhvilluar bisedime me Qeverinë shqiptare për ligjin e sponsorizimeve, cila është situata?

Kemi bërë takime intensive dhe kanë filluar bisedimet edhe me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar për miratimin e Ligjit të Sponsorizimeve. Ky ligj është i domosdoshëm dhe jetik për ecjen përpara të futbollit shqiptar, dhe në përgjithësi për sportin në Shqipëri. Deri tani jemi në rrugë të mbarë dhe po punojmë që miratimi i këtij ligji të shoqërohet edhe me ndryshime të tjera ligjore, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e atmosferës rreth lojës së futbollit.

OBJEKTIVI I FSHF-së

Ta fusim Shqipërinë e futbollit në hartën e vendeve të zhvilluara

Ne kemi synim e objektiv të qartë ta fusim Shqipërinë e futbollit në hartën e vendeve të zhvilluara. Pasi na u besua finalja e “Conference League” dhe pasi kemi zhvilluar shumë turne ndërkombëtarë, ne kemi fituar të drejtën për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian për djemtë nën 17 vjeç, i cili në vitin 2025 do të zhvillohet në stadiumet “Arena e Demave”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Egnatia Arena”, finalja në “Air Albania”. Financiarisht, FSHF si organizatore ka bonuse financiare nga UEFA. Nga organizimi i 16 turneve deri më tani arkëtohen afro 1 milion e 800 mijë Euro, dhe pa pjesën e shpenzimeve, FSHF-ja ka një të ardhur 1 milion e 100 mijë Euro. Ndërkohë që organizimi i  turneve sjell të ardhura të drejtpërdrejta tek shërbimet hoteliere, ato të transportit dhe shumë shërbime të tjera. Nuk do ndalemi dhe gjithmonë kërkojmë më shumë.

Të ardhurat nga biletat, rritje 220% në vitin 2023

Të ardhurat nga sponsorizimet dhe reklama në vitin 2023 ishin në vlerën 167,185,000 lekë, ose afërsisht 1.670.000 euro, dhe kanë një rritje me 23% krahasuar me një vit më parë që ishin 135,995,000 lekë (afërsisht 1,360,000 euro). Dhe këtu unë falenderoj partnerët tanë: Vodafone, Sigal Uniqa Group, Macron, Uji Tepelena, Union Bank, Vas Tour, Infinity Destination.Ndërkohë, të ardhurat nga shitja e biletave të ndeshjeve në vitin 2023 ishin në vlerën 328,879,000 lekë, dhe kanë një rritje me 220% krahasuar me një vit më parë (102,903,000 lekë të ardhura nga biletat në vitin 2022).


Me Kosovën marrëdhënie vllazërore, do vazhdojnë në çdo hap

 

Këtë pyetje ma kanë bërë shumë gazetarë sportivë dhe sot ndoshta nuk është vendi, por gjej rastin të konfirmoj edhe njëherë qëndrimin tim konsekuent në lidhje me Kosovën. Ai ka qenë i pandryshueshëm, nga dita e parë dhe përgjatë gjithë periudhës që drejtoj FSHF-në. Kam bërë maksimumin për ta mbështetur futbollin kosovar dhe Federatën e Kosovës, me veprime e projekte konkrete, kur ajo nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. Kam lobuar fuqishëm për njohjen e saj, në të dyja institucionet ndërkombëtare FIFA dhe UEFA, deri në pranimin me të drejta të plota. I kam qëndruar pranë, dhe do të vazhdoj ta bëj, në çdo hap që ata hedhin drejt përparimit e suksesit dhe ju garantoj se marrëdhëniet janë më shumë se vëllazërore. Marrëdhënie që i kam patur të tilla me Sabri Hashanin, me të paharruarin mik Fadil Vokrri, dhe vazhdoj t’i ruaj me Presidentin Ademi, i cili ndjehet si në “shtëpi të vet” në FSHF.

Projekte në prmirësimin e infrastrukturës

Ndërtimi i fushave të reja me bar artificial në Laç.

Ndërtimi fushave me bar artificial në Çermë të Lushnjës.

Ndërtimi i dy fushave me bar artificial në Shkodër.

Ndërtimi i dy fushave me bar artificial në Berat.

Ndërtimi i dy fushave me bar artificial në Vlorë.

Ndërtimi i dy fushave në Qendrën Stërvitore të klubit AF Elbasani.

Instalimi i sistemit në ndriçimit në stadiumin Egnatia.

Ndërtimi i dy fushave me bar artificial në Gjirokastër.

Rritja e kapacitetit të ndriçimit në “Shtëpinë e Futbollit”.

Ndërtimi i fushës me bar artificial në Darzezë të Fierit.

Ndërtimi i fushës me bar natyral në qytetin e Roskovecit.

Siç e thashë edhe në fillim ne nuk do të refuzojmë asnjë propozim bashkëpunimi për fusha futbolli me çdo lloj aktori, klube, private apo njësi vendore.

Krejtësisht e veçantë ishte ekspozita “Paolo Rossi, djaloshi i artë dhe legjendat“, ku FSHF-ja ishte bashkorganizatore. Ajo u përfaqësua me një pavion të saj, i cili u ndoq nga vizitorë të shumtë, vendas dhe të huaj. Kjo ka marrë vlerësime pozitive nga UEFA, ndërsa pjesëmarrësit janë larguar me dëshirën e madhe për t’u rikthyer.

Investime të realizuara në vitin e fundit

Përfundimi i fushës së re me tapet sintetik në Qendrën Stërvitore Kamëz.

Fusha me bar artificial në Kompleksin “Dinamo City” në Arbanë.

Fusha e stadiumit dhe e stërvitjes në qytetin e Lushnjës, në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës.

Fusha e re stërvitore në Ahmetaq (Vorë), në bashkëpunim me Bashkinë e Vorës.

Faza e parë e punimeve në Shtoj të Shkodrës, në bashkëpunim me Akademinë “Soçer Star”.

Dy fusha të vogla me bar artificial në Repartin Special “Delta Force” në Rradhimë të Vlorës.

Përmirësime në stadiumin Kombëtar “Air Albania”.

Përmirësime në Qendrën stërvitore në Kamëz.