Pezullohet transferimi në Greqi, lojtari i Armenisë lë futbollin dhe shkon në luftë

355
Sigal

Lufta anulon gjithçka. Mbrojtësi i skuadrës së Ural Jekaterinburg në Rusi, Varazdat Harojan këtë verë siguroi një kalim në Greqi te skuadra e Larisës.

Ditët e fundit ai duhej të udhëtonte drejt Greqisë për tu prezantuar, por së fundmi destinacioni i udhëtimit të tij është ndërruar.

Harojan do të kthehet në Armeni, atdheun e tij për shkak të luftës me Azerbajxhanin.

Shteti armen ka aktivizuar ligjin e luftës, që parashikon se çdo shtetas nën moshën 40 vjeç është i detyruar të vendoset në frontin e luftës për të mbrojtur atdheun e vet.

Kështu, Harojan ka lënë karrierën e tij për momentin dhe është bashkuar me ushtarët e tjerë në luftën e ashpër mes dy vendeve, teksa çdo ditë po humbin jetën dhjetëra persona.

Kujtojmë se Azerbajxhani i ka shpallur luftë Armenisë për të marrë një provincë në qytetin e Karabak, e cila deri më tani zotërohet nga Armenia, por shteti azer pretendon se është i tij.

Mësohet se mbrëmjen e sotme do të mbahet një mbledhje e Këshillit të Sigurisë, ku shpresohet të shmanget lufta e plotë mes dy shteteve. Në këtë mbledhje do të luajnë rol kryesor edhe shtetet aleate si Rusia dhe Turqia që kanë shprehur mbështetjen e tyre respektivisht për Armeninë dhe Azerbajxhanin.

“Harojan është mobilizuar si të gjithë qytetarët armenë nën 40 vjeç me ushtrinë.

Ai tashmë ndodhet në zonën e luftës,” mësohet t’i ketë thënë agjenti i Harojan presidentit të Larisës, Aleksis Kuias, i cili tashmë do duhet të tërhiqet nga shërbimet e 28-vjeçarit, që është pjesë e pandashme e kombëtares armene.