Petrit Shehu*/ “Simfonia” e Anastas Panteqit në volejbollin Shqiptar

1019
Sigal

Organizatori inteligjent dhe pasuesi mjeshtëror i Dinamos të viteve 1960-1970

Ajo me të cilën, ne jemi krenarë, për historinë në vite e dekada janë lojtarët cilësorë dhe të talentuar, ashtu si volejbollisti virtuoz Anastas Panteqi, i vlerësuar dhe etiketuar, “akrobati fluturues”, në libri tim, “Historia e volejbollit Shqiptar 1945-2010”. Ishte muaji korrik i vitit 1957, kur një grup të rinjsh (15-16 vjeç) u grumbulluan në parkun sportiv, në qendër të Tiranës (ish-Vollga), sot (Torre Drini) duke iu përgjigjur me vullnet, dëshirë e pasion thirrjes së klubit sportiv Dinamo, për hapjen e shkollës, “Dinamoviti i Ri”. Në këtë grup të “etur” për t’u marrë me sportin e bukur të volejbollit, ku edhe unë bëja pjesë, njoha për herë të parë, Anastas Panteqin, ose “Naçin”, nofkë kjo me të cilën filluan ta thërrisnin të gjithë, me kalimin e kohës. Në dallim me të gjithë pjesëmarrësit, Naçi ishte më shtatshkurtri, por me një konstrukt prej atleti. Ajo që na befasoi të gjithëve ishte se: që në stërvitjet e para, (ku trajner ishte i mirënjohuri, Skënder Dedja), tregoi cilësitë e tij më të mira, për moshën e tij, ku spikasnin: lëvizshmëria, pasioni, vullneti, madje edhe përvetësimi i shpejtë i elementëve tekniko-taktikë, çdo ditë e javë që kalonte, duke krijuar përshtypjen se ky djalosh kishte njohuri të mira për volejbollin. Një gjë të tillë e vërteton më së miri edhe fakti, që Anastasi, falë inteligjencës së tij natyrale diti të zgjedhë edhe rolin e tij në këtë sport, atë të pasuesit, ashtu natyrshëm, duke pasur parasysh fizikun e tij dhe cilësi të tjera, të cilat mendonte që mund ti bënte më së miri. Falë dhuntive dhe intuitës së tij, si p.sh, pasimi,siguria në pritjen e topit, ngritja e topit për sulmuesin në rrjetë, saktë e bukur dhe krijimin e (falë fantazisë së tij), të variacioneve në elementët teknikë, që gjithsesi e bëjnë spektakolar këtë sport inteligjent dhe të bukur. Se sa e saktë dhe e drejtë ishte zgjedhja e “Naçit”, në sportin e volejbollit e tregoi e ardhmja e tij e mëvonshme, në ndeshjet e veprimtaritë zyrtare, ku këtu vlen të përmendet, që menjëherë pas dy vitesh stërvitjeje arriti të jetë një ndër volejbollistët më në zë të kohës. Në vitin 1959, në Kampionatin Kombëtar për të Rinj, ai shpallet kampion me ekipin Dinamo, kampionat ky i zhvilluar në Kuçovë, ku roli i Anastasit ishte i padiskutueshëm dhe dominant për fitoren e ekipit të tij. Dihet se, në lojërat kolektive ku bën pjesë edhe volejbolli, shpirti i kolektivitetit dhe puna në grup ka rëndësi vendimtare dhe Anastas Panteqi e dinte shumë mire këtë fakt, të cilin e kishte jo vetëm parasysh, por edhe e vinte në zbatim, me korrektësinë dhe pasionin që e karakterizonte, gjatë periudhës 13-vjeçare të jetës sportive. Si person me identitet, shpirt të lartë gare dhe karakter të fortë, i dashur me shokët e ekipit, si në fushë edhe jashtë saj, ai u bë mjeshtër i pasimit, befasues dhe gati, gati “magjik”, në krijimtarinë e tij teknike, me “plonzhonet” marramendëse, i kudondodhur në fushën e lojës, cilësi këto që e bëjnë atë një volejbollist kalibri dhe një talent për t’u marrë shembull. Për kureshtje duhet thënë se: në vitet kur luajti Anastas Panteqi (1959-1970), “faulli”, për prekjen e topit me gishtërinj ishte një element mjaft i rëndësishëm dhe vendimtar për fitoren. Në këtë drejtim duhet thënë me bindje, se të tilla “faulle” ai njohu pak, për të mos thënë aspak, pasi duart e tij, pa as më të voglin dyshim ngjanin me tastierën e një pianoje, ku simfoninë e saj mund ta luajnë vetëm gishtërinj mjeshtërish… Vitet e “provës”, për “Naçin” kaluan shpejt dhe në vitin 1961 bëhet lojtar kryesor në ekipin e Dinamos, në kampionatin e të rriturve, ku spikati si organizator dhe pasues i pa zëvendësueshëm dhe bazë në formacionin e këtij ekipi. Anastas Panteqi u shpall 6 herë kampion dhe fitoi 5 kupa Republike, në një periudhë kohore afro 10-vjeçare (1961-1970) duke e bërë atë të dashur dhe të respektuar, në opinionin mbarë shqiptar si edhe në atë ndërkombëtar, duke spikatur si një talent dhe i vlerësuar nga specialistë vendas e të huaj. Me përfaqësimin e tij, në ekipin e njohur të Dinamos, mund të themi pa e tepruar aspak: nëse Anastas Panteqi ishte me fat që kishte një trajner si Vangjel Koja, me bindje mund të them se edhe Koja pati fat që stërviti dhe mjeshtëroi një volejbollist të tillë, por edhe një njeri e shok të mirë, për kohën që patën këtë bashkëpunim. Duhet theksuar se i madhi Asllan Rusi, kur shënonte pikë dhe “ngulte” topin në parketin kundërshtar, nuk duhet harruar se në të shumtën e rasteve, pasimi i servirur këtij mjeshtri të madh ishte nga gishtat mjeshtërorë të Anastas Panteqit! Falë integritetit të tij personal dhe familjar, me ndërrimin e sistemit në Shqipëri, Anastas Panteqi nuk mori rrugët e kurbetit, pasi në karakterin e tij vlonte dashuria dhe pasioni, për të kontribuar në vendin e tij, pavarësisht nga problematikat dhe vështirësitë me të cilat u përball volejbolli Shqiptar dhe jo vetëm ai, të cilat tashmë njihem mire. Kështu e kam njohur dhe e njoh personalisht Anastas Panteqin… të cilin po ta pyesësh për trofetë dhe titujt e fituar, ai me modesti të përgjigjet: “E rëndësishme është që kam luajtur volejboll”.

 * Shkrimtar, ish-volejbollist dhe trajner i KS DINAMO

Miqësorja, Kosova-Haiti më 5 mars

 Përfaqësuesja e Kosovës ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare do ta zhvillojë kundër Haitit. Lajmi u konfirmua dje nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) gjatë një konference për mediat në Prishtinë. Ndeshja e përfaqësueses së drejtuar nga Albert Bunjaku ndaj Haitit do të zhvillohet më 5 mars në stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Haiti është një vend me 27 mijë kilometra katror në Amerikën Qendrore ndërsa ka një popullsi prej afro 10 milionë banorëve. Ndërkohë më së shumti është njohur në vitin 2010 kur një tërmet i fuqishëm goditi këtë vend duke lënë të vdekur më shumë se 150 mijë persona dhe kishte shkaktuar dëme të mëdha material. Ekipi kombëtar i Haitit në futboll ndryshe quhet, “Les Grenadiers”. Ekipi është formuar më 1925 dhe deri më tani është kualifikuar një herë në Kampionatin Botëror më 1974 në Meksikë. Haiti ka lojtarë që luajnë në SHBA, Francë, Poloni, Rumani e Zvicër. Kombëtarja e Xhamajkës udhëhiqet na trajneri i francez, Mark Kollat. Klasifikimin më të lartë në ranglistën e FIFA-së e ka pasur në janar 2013 kur zinte vendin e 38-të në botë, ndërsa aktualisht ndodhet në vendin e 79-të.

Federata e futbollit e Haitit është themeluar në vitin 1904. Numëron 340 klube.

 Shqipëria me Maltën

 Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë një miqësore me Maltën, po më 5 mars, takim i programuar për t’u zhvilluar në “Niko Dovana” të Durrësit. Malta është dukshëm një ekip më i dobët se Haiti.

 David Rigert, kurs me trajnerët e peshëngritjes

 KOKSH ne objektivat e tij, për zhvillimin dhe trajnimin e burimeve njerëzore dhe mbështetjen e sporteve Olimpike individuale, me qellim rritjen rezultateve dhe performancën sportive nëpërmjet zhvillimit të specialisteve dhe trajnerëve te sportit përkatës, KOKSH-i do të ofrojë Kurs Teknik për trajnerë ne sportin e peshëngritjes. Në këtë kuadër, KOKSH-i, me mbështetjen financiare te Solidariteti Olimpik si dhe ne bashkëpunim te ngushte me Federatën Botërore të Peshëngrtijes do të ofroje këtë kurs 10 ditor për sportin e peshëngritjes i cili do te zhvillohet ne datat 19-28 shkurt 2014 në Tiranë. Federata Botërore e Peshëngritjes me kërkesë të KOKSH-it për një ekspert te nivelit te lartë, ka përcaktuar z.David Rigert për të drejtuar këtë Kurs Teknik për trajnerë në Shqipëri.

 Majlinda Kelmendi, e para në botë

 Majlinda Kelmendi është e para në listën botërore të xhudos. Vetëm kaq nuk përbën ndonjë të re, pasi vajza nga Peja prej kohësh konsiderohet si më e mira në kategorinë e saj, në peshën 52 kilogramë. E reja befasuese është se Majlinda mban vendin e parë në listën që përfshin të gjitha kategoritë e këtij sporti, për femra dhe meshkuj! Vlerësimi është bërë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF). Pas suksesit në Judo Grand Slam në Paris pak ditë më parë, kampionia e botës ngjitet në majë të listës për të dyja gjinitë, me 3226 pikë. Ajo ka lënë pas xhudistin izraelit Jarden Gerbi, me 2884 pikë