Përgatitjet prag Europe/ Orges Shehi: Tirana me marsh Europe, do ta kalojmë Batumin

403

Trajneri Shehi tregon për “Telegraf” situatën te skuadra bardheblu

Sigal

Agron Kaja

“Shorti për ne në këtë tur të parë të Konferencë Ligë është treguar normal.  Synimi ynë është që ta kalojmë këtë kundërshtar në turin e parë eliminator, dhe për këtë e gjithë skuadra është e bindur”

Tirana ka rreth dy javë që po përgatitet në Ohër të Maqedonisë së Veriut për dy ndeshjet e Konferencë Ligë, ku përballë do të ketë skuadrën gjeorgjiane Dinamo Batumi. Eksluzivisht për gazetën “Telegraf”, trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, deklaroi se skuadra e drejtuar prej tij ka qenë shumë serioze në këto përgatitje, dhe se forma e të gjithë futbollistëve ka ardhur në rritje. “Kemi filluar përgatitjet tona për dy ndeshjet e Konferencë Ligë, ku shorti na ka vënë përballë skuadrën gjeorgjiane Dinamo Batumi. Forma e të gjithë futbollistëve që kemi në dispozicion në këto përgatitje ka ardhur në rritje, dhe për këtë unë jam i kënaqur, sepse faza përgatitore po shkon shumë mirë. Kemi patur shumë prurje futbollistësh në këto përgatitje këtu në Ohër dhe po presim edhe disa të tjerë. Besoj se të gjithë do të jenë garanci për një skuadër të kompletuar. Tani që ulen ngarkesat, forma do të vijë në rritje, sepse vjen dhe freskia e lojtarëve pas ngarkesës që kanë marrë”,- kështu theksoi dje nga Struga trajneri Orges Shehi i Tiranës, i cili tregoi se përshtatja në skuadër është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e përgatitjeve në këtë fazë. “Mendoj se, përpos anës fizike dhe asaj tekniko-taktike, në këto kushte përgatitore ku jemi, është shumë e rëndësishme njohja dhe përshtatja me njëri-tjetrin e lojtarëve, kryesisht në kushte loje. Këtë jemi duke e bërë paralelisht edhe me pjesët e tjera të programit tonë stërvitor. Besoj se tani do të shihni Tiranën më të mirë, jo vetëm për ndeshjet në Europë, por për gjithë sezonin e ri”. Por ajo që është më kryesorja në këtë moment për Orges Shehin, mbetet kalimi i skuadrës së Dinamo Batumit. “Shorti për ne në këtë tur të parë të Konferencë Ligë nuk është treguar shumë i fortë. Pse? Sepse ne i dimë të gjitha mundësitë tona në raport me kundërshtarin, të cilin duhet thënë se e kemi studiuar në detajet e mundshme. Batumi është në aktivitet, sepse kampionati i futbollit në Gjeorgji (Crystalbet Erovnuli Liga) është duke u zhvilluar në javën e 19-të të tij dhe kjo skuadër kryeson e shkëputur disa pikë nga ndjekësit e tjerë. Por, synimi ynë është që ta kalojmë këtë skuadër në turin e parë eliminator, dhe për këtë e gjithë skuadra është e bindur”.

Tirana do të presë skuadrën gjeorgjiane Dinamo Batumi në datën 13 korrik, që është edhe ndeshja e parë për turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës. Ky rrugëtim europian nis në “Air Albania” në orën 20:00, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në datën 20 korrik në Gjeorgji, në stadiumin “Batumi Stadium”, në ora 19:00 me orën shqiptare.

Ka kërkesa për biletat, shitja në “Selman Stërmasi”

Klubi i Futbollit Tirana ka hedhur në treg edhe biletat për ndeshjen Tirana-Dinamo Batumi e Gjeorgjisë. Kjo ndeshje e parë e Konferencë Ligë do të luhet në “AIR Albania Stadium” në datën 13 korrik, duke nisur nga ora 20:00. Në shtëpinë e futbollit bardheblu, stadiumi “Selman Stërmasi”, ka nisur shitja e biletave për këtë sfidë të parë e të rëndësishme në Konferencë Ligë. Nga paraqitja, që i ka bërë klubi, çmimet e biletave duken të arsyeshme, sipas pozicionit në stadium. E rëndësishme është se tifozeria do ta ketë mundësinë që këtë ndeshje ta shohë edhe me një biletë që kushton 5 mijë lekë të vjetra. Kërkesa ka patur dhe interesimi në këtë fundjavë ka qenë i mirë. Shitja nga stadiumi “Selam Stërmasi”, në orarin 10:00-18:00. 

Merkato te Tirana

Largime: Visar Bekaj, Kristjan Toshevski, Zhozelin Behiratçe, Albano Aleksi, Elvi Berisha, Aldi Gjumsi (6)

Afrime: Kaina Nunjesh, Gentjan Selmani, Erhun Obanor, Liridon Latifi, Albi Doka, Gledi Mici, Erjon Hoxhallari, Fjoart Jonuzi (8)

Skuadrat shqiptare në Europë

UEFA CHAMPION LIGË

Turi i parë eliminator

Ndeshja e parë

Datë 11 korrik 2023

Partizani-BATE Borisov      20:45

Stadiumi: AIR Albania

Ndeshja e kthimit

Datë 18 korrik 2023

KONFERENCË LIGË

Turi parë eliminator

Ndeshjet e para

Datë 13 korrik 2023

Ararat (Arm)-Egnatia  17:00

Tirana-Dinamo Batumi        20:00

Stadiumi: AIR Albania

Linfild (Nir)-Vllaznia 20:45

Ndeshjet e kthimit       

Datë 20 korrik 2023

Vllaznia përgatitet në qytetin e turizmit fetar

Skuadra shkodrane Vllaznia ka udhëtuar në drejtim të Bosnje Hercegovinës, ku edhe është duke u përgatitur për dy ndeshjet e radhës në Konferencë Ligë. Kundërshtari është Linfild e Irlandës së Veriut, një skuadër e fortë dhe pjesëmarrëse sistematike në Ligat e Europës. Nën drejtimin e trajnerit Migen Memelli, skuadra është duke u përgatitur në qytetin e Medugorjes, i cili më shumë se për futbollin, njihet si një vend i shenjtë dhe ka shumë të zhvilluar turizmin fetar. Ndoshta shkodranët e kanë zgjedhur këtë vend për përgatitjet e tyre, edhe si një bekim për kualifikim. Medugorje është vendi i pelegrinazhit për katolikët e devotshëm të Botës.