Pas dy ndeshjeve në Champions, një bashkëbisedim imagjinar me trajnerin e Partizanit/ Agron Kaja: Profesor Zekiç, na thuaj një zhgënjim se ku ju keni gabuar?

339
Sigal

Agron KAJA

Të ndjekësh skuadrën e Partizanit në ritmikën e saj, nuk është vetëm ana profesionale që të tërheq. Është edhe ana humane e atdhetare, kur bëhet fjalë se do të ndjekësh një klub shqiptar futbolli kur ai luan në Europë. Në këtë rast është Partizani, i cili luajti dy ndeshjet e para eliminatore të Ligës së Kampionëve, ku arriti një barazim dhe një humbje. Po pse po referohemi te këto rezultate? Sepse pikërisht pas tyre kemi dëgjuar trajnerin Zoran Zekiç të jetë i zhgënjyer nga skuadra, të cilën ai ka më shumë se një muaj që po e përgatit. Dhe çfarë thotë Mister Zekiç? Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Tiranë kundër biellorusëve të BATE Borisov, trajneri u shpreh i zhgënjyer nga skuadra. “…Mund të them se dhamë gjithçka sot dhe jam krenar, por skuadra mund të japë më shumë. Më jepni më shumë kohë. …”. Ok, koha në dipozicion kishte filluar për ndeshjen e dytë, e cila natyrisht që duhej përgatitur edhe mbi bazën e performancës që paraqiti skuadra në ndeshjen e parë, dhe asaj të kundërshtarit. Gjithnjë jemi së bashku trajnerin Zekiç në këtë bashkëbisedim imagjinar, dhe në këto radhë po i kujtoj se kapitenin Telushi nuk e përfilli asnjë minutë në këtë sfidë, por e largoi me zhgënjim! Gjithsesi, kalojmë më tej dhe vijmë në pragun e ndeshjes së dytë, sepse vetëm një javë kohë ishte për ta përgatitur skuadrën. Dhe para ndeshjes së dytë, jeni shprehur se: “… Nesër (të martën) do të jetë krejtësisht një ndeshje tjetër. Ne duhet të bëjmë një ndeshje dhe një paraqitje akoma edhe më të mirë. Duhet të kemi më shumë karakter, më shumë energji dhe më shumë disipline …”. Ndeshja u mbyll me humbje “dinjitoze”, por përsëri ju profesor e gjetët edhe një zhgënjim tjetër të vogël. “…Jam shumë i zhgënjyer përsa i përket rezultatit sot. Ne luajtëm futboll, por nuk arritëm të shënonim dhe sigurisht në situata të veçanta ata na ndëshkuan. Bëmë vetëm një gabim, të cilin kundërshtari e shfrytëzoi. Ndihem pak i zhgënjyer, pasi i kisha folur ekipit gjatë gjithë javës, për situatën sesi e pësuam golin e parë…”. Edhe pas kësaj humbje tekniku zhgënjehet nga skuadra! Në fakt, ai e përgatiti, ai e vendosi dhe e drejtoi në fushë, por zhgënjimi vjen prej lojtarëve! Mos ndoshta duheshin bërë më shpejt zëvendësimet, mos ndodhta duhej bërë ndonjë lëvizje taktike në fushë. Se ndeshje ishte, edhe bëhen të tilla lëvizje. Profesor, unë mendoj se jo gjithçka kur ka lidhje me dështimin i faturohet skuadrës, apo jo? Më mirë këtë bashkëbisedim imagjinar së bashku ta botojmë që tani, sepse përpara do jenë edhe dy ndeshjet e radhës në Europë, ndeshja e Superkupës, 36-40 ndeshje të kampionatit, 4-6 ndeshje të Kupës së Shqipërisë, etj. Besoj se në zhgënjime, fatura e tyre nuk duhet që të kalojë vetëm te skuadra! Dhe si për ta mbyllur bashkëbisedimin, po ju pyes Profesor Zekiç: Na thuaj publikisht  një zhgënjim se ku keni gabuar ju si trajner?!

“Jam shumë i zhgënjyer përsa i përket rezultatitt. Ne luajtëm futboll, por nuk arritëm të shënonim dhe sigurisht në situata të veçanta ata na ndëshkuan. Bëmë vetëm një gabim, të cilin kundërshtari e shfrytëzoi”

Skuadrat shqiptare

Liga e Kampioneve

Turi parë eliminator

Partizani-BATE Borisov         1-1

BATE Borisov-Partizani         2-0

Partizani eliminohet

Luan në Konferencë Ligë

UEFA Konferencë Ligë

Turi parë eliminator

Egnatia-Ararat             4-4

Ndeshja e parë 1-1

Me penallti kualifikohet Ararat

Dinamo Batumi-Tirana           1-2

Ndeshja e parë 1-1

Kualifikohet Tirana

Vllaznia-Linfild                      1-0

Ndeshja e parë 1-3

Kualifikohet Linfild

Turi dytë eliminator

Datë 25 korrik 2023

Atletik Esklad-Partizani          17:00

Datë 27 korrik 2023

Beshiktash-Tirana                   19:00

Zhgënimi numër dy, Zekiç “zbardh” gabimet e radhës


Edhe pas humbjes në ndeshjen e dytë ndaj BATE Borisov, trajneri i Partizanit, Zoran Zekiç ka zbuluar gabimet e skuadrës, duke qenë në “refrenin” e tij të zhgënjimit. “Ne humbëm shumë shanse pasi bëmë disa gabime në mbrojtje, dhe kjo ishte edhe arsyeja që humbëm. Për këtë unë jam i zhgënjyer nga skuadra. Lojtarët duhet të jenë më të përqendruar, më të sigurt në veprimet e tyre. Të gjithë sulmuesit tanë duhet të kenë më shumë besim në vetvehte”, kështu e justifikon trajneri kroat zhgënjimin e tij. Dhe kundërshtarin e radhës në Konferencë Ligë, Atletik Esklades të Andorrës, e mendon të rrezikshëm me vlerësim maksimal.