Partizani, me shije portugeze

568
Sigal

Marcio Sanpaio do të debutojë të shtunën kundër Lushnjës. “Humbja në derbin me Tiranën, një turp”

Një Partizan me nuanca portugeze ai që do të zbresë të shtunën kundër Lushnjës, me misionin e vetëm për t’u rikthyer te fitorja pas humbjes dramatike me Tiranën, që provokoi edhe dorëheqjen e Hasan Likës. Ekipi i kuqë i është besuar Marcio Sampaios, me timonierin e ri të Partizanit, që u tregua autokritik pas humbjes në derbi, të cilin ai e konsideroi një turp.

 – Sanpaio, tashmë jeni në krye të Partizanit. Si është atmosfera në skuadër pas humbjes me Tiranën?

 – Ajo që ndodhi në derbi ishte padyshim një turp dhe tani duhet të punojmë shumë. Unë jam i bindur se, mund të ndryshoj mentalitetin dhe të vendosim rregull në ekip. Lojtarët duhet ta meritojnë formacionin duke u stërvitur.

– Çfarë këshillash u keni dhënë gjatë kësaj jave futbollistëve?

– Lojtarët duhet të përqendrohen vetëm në stërvitje dhe jo në gjëra të tjera. Ne si staf teknik duhet të transmetojmë besim te futbollistët.

– Për ju ishte derbi i parë kundër Tiranës. Si do ta përshkruanit disfatën kundër saj?

– Personalisht, kam qenë në disa derbi, madje, edhe me 60 mijë shikues të pranishëm në stadium. Derbit njëlloj janë kudo dhe unë e di çfarë do të thotë Partizani-Tirana apo Benfika-Sporting. Janë sfida ku asnjë nuk kërkon që të humbasë. Por ne humbëm dhe tani gjithçka ka kaluar.

– Keni një karrierë jo të pakët. Cilin trajner do të keni si model, tani që do të drejtoni Partizanin?

– Nga 10 trajnerët më të mirë në Europë, katër janë portugez dhe unë kam punuar me dy prej tyre. Do të marr të mirat e atyre me të cilët kam punuar. Kështu që do të jem më i qartë për atë që më duhet te Partizani. Unë kam mësuar nga ata me të cilët kam punuar, natyrisht edhe nga trajneri Lika. Kjo është një situatë jo shumë e zakontë për mua, pasi nuk kam menduar ndonjëherë të isha trajner. Por tani që e kam marrë përsipër do ta bëj.

– A keni frikë nga përgjegjësia që keni marrë, pasi të drejtosh Partizanin nuk është e lehtë?

Aspak. Kam ardhur këtu me misionin për të ndihmuar Partizanin sa më shumë të jetë e mundur. Në Portugali kemi një shprehje: “Nëse ke frikë, bli një qen”.

– A do të ketë ndryshime në formacion kundër Lushnjës?

– Padyshim që po, pasi ekipi ka humbur dhe normalisht ndryshimet bëhen kur ai fiton. Por nuk di të them masën e këtyre ndryshimeve. Unë e kam parë skuadrën më parë dhe e di gjendjen e futbollistëve. I kam thënë lojtarëve se, taktika ime është të gjithë në sulm dhe të gjithë në mbrojtje.

– Mendoni se Partizani është kandidat për titull?

– Dua t’iu tregoj një shembull. Kur isha te Servete ishim në vendin e 12-të dhe i them presidentit që të shpërblente skuadrën edhe pse ajo humbiste. Ai tha që nëse ngjiteshim një kategori më lartë do të më jepte një makinë “Porsh” si i tiji. Në fund, ne, ia arritëm qëllimit. U kam thënë lojtarëve të mi që të mendojnë sikur titulli është i mundur.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XIX

 

Të shtunën, 15.02.2014

Kastrioti-Vllaznia      14:00

Partizani-Lushnja      14:00

Të dielën, 16.02.2014

Flamurtari-Laci          13:00

Besa-Kukësi       13:00

Bylis-Tirana       13:00

Të dielën, 17.02.2014

Teuta-Skënderbeu     18:00

RENDITJA

1     Skënderbeu 18   37

2     Teuta                  18   28

3     Laçi                     18   27

4     Partizani             18   27

5     Kukësi         18   27

6     Besa                    18   25

7     Flamurtari           18   25

8     Bylis                   18   23

9     Vllaznia       18   22

10   Lushnja        18   19

11   Kastrioti             18   18

12   Tirana          18   16

 Renditja FIFA

Shqipëria merr dhuratë një vend

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit është ngjitur një pozicion në renditjen e përgjithshme të FIFA-s për ekipet kombëtare për muajin shkurt 2014, renditje që u publikua dje nga qeveria botërore e futbollit. Kuqezinjtë e De Biazit kanë fituar një vend në krahasim me renditjen e një muaji më parë. Kujtojmë që një muaj më parë Shqipëria renditej në vendin e 56-të në botë, ndërkohë që aktualisht ndodhemi në vendin e 55-të me 571 pikë, duke lënë mbrapa skuadra të rëndësishme si Izraeli, Mali, Norvegjia, Koreja e Jugut, Bjellorusinë. Në renditjen botërore, Shqipëria ndodhet midis Sllovakisë (54) dhe Izraelit (56), ndërsa në atë specifike ku listohen vetëm vendet që bëjnë pjesë në UEFA, pozicionohet në vendin e 30-të, po midis atyre shteteve. Kujtojmë që, më 5 mars në ‘Niko Dovana’ të Durrësit, Shqipëria do të përballet në një miqësore me Maltën, një rival modest që aktualisht ndodhet në vendin e 131-të të renditjes botërore, çka mund t’i japë të tjera pikë vendit tonë në renditje e FIFA-s. Më 23 shkurt hidhet shorti i Euro 2016.

Miqësore U-19

Maqedonia mund 1-0 kuqezinjtë e Strakoshës

 Kombëtarja U-19 e Shqipërisë humbi 1-0 ndeshjen e kthimit me homologen maqedonase. Miqësorja e dytë brenda tri ditëve mes dy fqinjëve u luajt dje në Strugë dhe është fituar nga vendësit me një gol të shënuar në pjesën e parë, me anë të Nikola Ristevskit në minutën e 38-të. Loja e kuqezinjve ka qenë e mirë edhe në Strugë, por nuk i kanë shfrytëzuar dot ato raste të krijuara, ndërsa kundërshtari ka qenë më efikas në këtë drejtim, të paktën në rastin e golit. Shqipëria U-19 arriti një fitore të pastër 3-0 më 10 shkurt ndaj homologëve maqedonas, në takimin e zhvilluar në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit. Ekipi i drejtuar nga Foto Strakosha ka qenë superior në të gjitha drejtimet dhe e ka mposhtur kundërshtarin që në fillim. Madje pa shkuar ende një minutë lojë, kuqezinjtë kanë kaluar në avantazh me anë të Filit. Më pas superioriteti vijoi për minuta të tëra derisa në të 37-ën Çinari dyfishoi. Në të dytën, trajneri Strakosha bëri shumë zëvendësime, duke provuar edhe lojtarë të tjerë. Në fund, në minutën e 86-të Shqipëria trefishoi me anë të Shpuzës.

Vendi ynë do të garojë vetëm me skiatoren Suela Mëhilli, në slalom gjigant dhe në slalom

 Dëmtohet Erjon Tola, humb Lojërat Olimpike

  Erjon Tola, skiatori shqiptar në Lojërat Olimpike Dimërore u dërmua gjatë stërvitjes, duke humbur kështu edhe shansin e tij për konkurrim në Lojërat Olimpike Dimërore “Sochi 2014”, të cilat janë duke u zhvilluar në Rusi. Shkëlqim Mema, shef i Ekipit Olimpik Shqiptar “Sochi 2014″ njoftoi lajmin e hidhur duke sqaruar se,  Erjon Tola ishte dëmtuar pasi kishte rrëshqitur gjatë një ushtrimi në palestër dhe kishte frakturë të dyfishtë. “Në datën 12.02.2014, rreth orës 19.15 (ora lokale këtu në Sochi) skiatori Erjon Tola, pjesëmarrës për herë të tretë në Lojërat Olimpike Dimërore, në mbyllje të seancës stërvitore të mbrëmjes (mbasdites) rrëshqiti gjatë një ushtrimi në palestër dhe bëri një frakture të dyfishte në parakrahun e majtë. Me ndërhyrjen e mjekut të ekipit dhe personelit të poliklinikës të Fshatit Olimpik ju dha ndihma e parë dhe u dërgua ne Spitalin Rajonal te Krasnaja Poljanës. Sipas vendimit të ekipit të specializuar të spitalit, rreth orës 22.30 Erjoni iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale. Operacioni mbaroi me sukses dhe Erjoni deri në mëngjes është nën kontrollin e mjekut reanimator.” Mema thotë se, Ekipi Olimpik në “Sochi 2014” dhe KOKSH-i po ndjekin nga afër gjendjen e skiatorit Tola. “Duke ju gjendur pranë i shprehim keqardhjen për dëmtimin dhe humbjen e shansit për konkurrim në “Sochi 2014”. Gjithashtu i urojmë shërim të shpejtë dhe besojmë se pavarësisht nga dëmtimi, ai do te rigjejë forcat dhe jo vonë do të vazhdojë të mbajë lart flamurin e kombit tone dhe në aktivitete të tjera” – shkruan Mema në deklaratën e tij. Shqipëria tani do të garojë në slalom gjigant dhe në slalom vetëm me skiatoren Suela Mëhilli, e cila merr pjesë për herë të parë në një event të përmasa të tilla. Erjon Tola ka garuar më parë në Lojërat Olimpike Dimërore “Torino 2006” në Itali dhe “Vankuver 2010” në Kanada.