Partizani e shkarkoi, trajneri Iuliano takim me krerët e klubit

366
Mark Iuliano u mbyll si një kapitull i dështuar te Partizani, pas ecurisë negative të ekipit në fazën e parë të kampionatit, ku “Demat e Kuq” nën drejtimin e italianit arritën të grumbullonin vetëm 11 pikë në nëntë ndeshjet e luajtura në fazën e parë.
Mësohet se, Mark Iuliano është rikthyer dje në kryeqytet, ku ka zhvilluar një takim “kokë më kokë” me drejtuesit e klubit për të disktutuar lidhur me kushtet e kontratës së firmosur mes dy palëve dhe prishjen e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme nga ana e klubit të kuq.
Italiani ka kërkuar një shpërblim të majm për prishjen e marrëveshjes, ndërsa klubi ka vendosur të paguajë rrogën e teknikut deri në momentin e largimit, që nuk ka qenë e vogël, por plot 9 mijë euro në muaj. Kjo gjë nuk është pranuar nga tekniku italian, ndaj dhe është vendosur që sot, të zhvillohet një tjetër takim mes palëve për të arritur një marrëveshje ligjore për të vendosur “paqe” pas largimit me “ceremoni” të Mark Iulianos nga Partizani.
Në mbledhjen e zhvilluar ditën e djeshme ka munguar Luçiano Moxhi, i cili solli Iulianon te Partizani, sot pritet dhe “Big Luçiano” të jetë i pranishëm për të folur për një marrëveshje të mundshme mes palëve me konsensus të plotë.