Pano Xhixho: Nostalgji e respekt, jo vetëm për maratonat

1038
Sigal

Në një nga cepat e sallës ku u zhvillua ceremonia e
festimit të 85 vjetorit të FSHN-së, ishte edhe një kampion. Pano Xhixho quhet,
por në thjeshtësinë që tregonte, nuk dukej as si një kampion dhe as edhe si një
nga drejtuesit e sportit në TVSH. Gjithsesi, duke sjellë në kujtesë CV-në
sportive të ish-notarit Pano Xhixho, natyrisht që edhe gazetaria ka çfarë të
thotë, por duke e botuar një pjesë të rezultateve të tij në karrierën si notar,
ta lemë pse jo, që ajo të flasë vetë. Ja si e kujton Pano këtë karrierë: “Kam
filluar notin kompetitiv në moshën 9 vjeçare me grupmoshat e pionerëve të
ekipit të Butrintit të Sarandës, në drejtimin e trajnerit Koço Gjosasi. Në
vitin 1989, pas një pune relativisht intensive e të lodhshme, u shpalla Kampion
Kombëtar i garës 400 m stil i lirë dhe 200 m katërnotim, në kampionatin e
zhvilluar në Durrës. Më pas, në vitin 1990 dola Kampion Kombëtar i të Rinjve në
garat 200 m stil i lirë, 400 m stil i lirë dhe 200 m katërnotim, të gjitha këto
nën drejtimin e trajnerit Edi Vasi. Natyrisht që puna stërvitore, përkushtimi
dhe kujdesi që tregonin trajnerët, sollën edhe rezultate të tjera, si Kampion
Kombëtar i garave 100m, 200m, 1500m stil i lirë në kampionatin kombëtar në
vitin 1993. Po këtë vit, kam fituar Maratonën e parë “Ruvina 93”, në distancën
5 km në Liqenin e Ohrit. Po këtë vit, në muajin gusht, kujtoj me nostalgji
Maratonën Botërore të Notit në distancën 26 km, ku u rendita i 16-ti mes 38 notarëve
nga e gjithë Bota. Ndoshta ky viti 1993 do të mbetet në kujtesë edhe për
rezultatin e Maratonës së “Starigradit”, ku mes 20 notarësh u rendita në tetëshen
e parë. Më pas, kam fituar Maratonën e dytë dhe të tretë “Ruvina 94” dhe
“Ruvina 95”, në distancën 12 km. Tradicionalisht kjo veprimtari zhvillohej në
qytetin e Pogradecit, liqenin e Ohrit, dhe unë drejtohesha nga trajneri i
mirënjohur, Spiro Koça. Nuk do të harroja lehtë edhe vitet e fundit të karrierës,
kur në Kampionatet Kombëtare të zhvilluara në vitet 1994-1996 kam dalë kampion
kombëtar në 100m, 200m, 400m stil i lirë, 200 m katërnotim, 100 m stil delfin,
njëherësh edhe kampion kombëtar me ekipin e Butrintit të Sarandës drejtuar nga
Spiro Koça”, kështu e mbylli këtë rrëfim kampioni i notit shqiptar, Pano Xhixho.