Ogert Pako, shqiptari në regbinë “axurre”

536
Ogert Pako, shqiptari 36-vjeçar, që luan regbi në Itali me Algeron, tashmë ka marrë ftesë nga kombëtarja axurre e veteranëve për të qenë pjesë e saj në një miqësore me Afrikën e Jugut. Bëhet fjalë për një ndeshje, e cila do të zhvillohet më 6 qershor në Sardenja, në Kapo Terra, ndërsa Pako e ka pasur këtë privilegj edhe sepse ka arritur të jetë pjesë e kombëtareve italiane deri tek të rinjtë. E megjithatë ëndrra e tij, por dhe e shumë shqiptarëve është krijimi i kombëtares shqiptare, si dhe i Federatës Shqiptare të Regbisë, e cila tashmë ka mbetur i procedurave burokratike në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Pa thënë që ka dhe mungesë dëshirë nga ky dikaster për ta rikrijuar këtë Federatë, ndërsa edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk është se ka lëvizur më shumë se sa ajo miqësore promovuese e 3 gushtit 2013 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Dhe Pako, edhe pse është i ftuar nga kombëtarja e veteranëve të Italisë për të luajtur përballë Afrikës së Jugut, shpreson që kjo ftesë ndaj tij të jetë dhe një shkundje për të gjithë drejtuesit e sportit në vend. Sepse dhe regbija duhet të ekzistojë, aq më shumë që ka vullnet nga një grup shqiptarësh në Itali me në krye Gaspër Daupin. “Faleminderit për mbështetjen tënde – thotë Pako – që na e ke dhënë vazhdimisht. Ashtu siç të kanë shpjeguar dhe të tjerët, unë jam ftuar për një miqësore veteranësh në regbi mes Italisë dhe Afrikës së Jugut, e cila do të zhvillohet më 6 qershor në Kapo Terra në Sardenja. Dhe ka ndodhur kjo, sepse kam qenë një ish-pjesëtar i kombëtares së Italisë në Regbi”. Po cili është Ogert Pako? “Unë jam 36 vjeç dhe kam lindur në Durrës. E ushtroj regbinë që nga sezoni 1992-1993 e deri më sot. Dhe gjithçka ka lindur si një dëshirë e imponuar nga shokët e klasës në Itali. Kam luajtur për Milan Regbi, Kalvisano Breshia, Rovato. Dhe tani jam tek Algero, ku dhe jetoj me familje”, thotë Pako, i cili në të njëjtën kohë e thotë me një “Po”të madhe. “Kam qenë dhe vazhdoj të jem në kategorinë e profesionistëve, edhe pse jashtë regbisë bëj punë të tjera për të mbajtur familjen”, rrëfehet Pako, që më pas nis të numërojë dhe trofetë e fituara. “Janë të shumta që kur isha me të rinjtë e deri tek skuadrat e para, teksa siç ju thash kam luajur me Milanin dhe Kalvizanon. Pa thënë këtu që fitoret me kombëtaren janë të shumta. Sa për kombëtaren e Italisë unë kam luajtur dhe herë të tjera, të paktën deri në nivelin e të rinjve, atëherë kur isha 18-20 vjeç. Dhe që të meritosh ftesën për të luajtur në kombëtaren e veteranëve duhet të kesh luajtur në këto kombëtare. Jam unë shqiptari i vetëm i ftuar, sepse kam luajtur me kombëtaren e Italisë”, thotë me krenari Pako.
Historia e regbisë shqiptare
Regbija në Shqipëri së pari është tentuar të zhvillohet nga disa amerikanë në ish-kompleksin Dinamo. E më pas gjithçka ka ardhur nga përtej detit. Një grup i organizuar nga Gaspër Daupi, atje ku ka qenë edhe Ogert Pako, ka bërë disa ndeshje e turne jo vetëm në regbinë 7 me 7, por dhe atë 15 me 15. Më 2011-ën, me mbështetjen e përfaqësuesve të zonës Friuli/Veneto, apo të Doxhit, është zhvilluar një ndeshje prezantimi në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Mandej dhe një tjetër më 3 gusht në stadiumin “Selman Stërmasi”. Por vetëm kaq. “Shqiptarët që luajnë në regbi janë rreth 40 të tillë që luajnë në Itali të federuar me klube të ndryshme që nga Kategoria C deri dhe tek dhjetëshja e ekipeve më të forta. Por ka dhe të tjerë që luanë në Angli, apo Francë. Ne jemi gjithnjë në pritje të rezultateve dhe përgjigjeve nga Ministria për të zhvilluar regbinë në vendin tonë”, ka përfunduar Pako, që është shqiptari i vetëm në kombëtaren e veteranëve të Italisë. Ndërkohë kombëtarja e Shqipërisë në qershor do të marrë pjesë në turneun e Milanos, si dhe është në pritje të përgjigjes nga Zvicra për një miqësore në regbinë e madhe 15 me 15.
Shkëlzen Gashi në fokusin e Shalkes dhe të Sampdorias
Paraqitjet e shkëlqyera të Shkëlzen Gashit me Bazelin kanë filluar të tërheqin vëmendjen e skuadrave të mëdha të futbollit. Sipas asaj që shkruajnë mediat në Zvicër është Shalke 04 që seriozisht ka hyrë në garë për të nënshkruar me anëtarin e kombëtares shqiptare.
Skuadra gjermane pritet që gjatë verës t’i bëjë një ofertë të majme Bazelit për Gashin dhe kërkon me ngulm qe te transferojë lojtarin, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Di Mateo.
Sipas mediave zvicerane Shalke do te ofroje 8-10 milionë euro për Gashin. Në rast transferimi te Shalke, Gashi do të bashkohej me talentin shqiptar të kësaj skuadre, Donis Avdijaj, që është i huazuar në Austri te Shturm Graz. Por për Gashin ekzistojnë dhe opsione për në Itali, atje ku Sampdoria kërkon ta marrë, ashtu është e interesuar dhe për trajnerin e Bazelit, Paulo Souza. Në rast se Souza transferohet në Sampdoria, atëherë ai me vete do ta merr edhe sulmuesin shqiptar. Gashi do të ishte sulmuesi ideal për të zëvendësuar Eto’o.
Derbi i shqiptarëve, Lacio mund Empolin
Derbi i shqiptarëve dje në Olimpiko të Romës, mes Lacio vendëse dhe Empolit, është fituar skuadra e Piolit, 4-0, pas golave të Anderson, Kandrevës, Kloses dhe Maurit. Ajo që bie në sy është fakti se kanë luajtur për 90 minuta si titullar portieri i kombëtares sonë Etrit Berisha, kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana, si dhe mbrojtësi Elseid Hysaj. Cana ka marrë karton të verdhë në të 75’, ndërkohë që kështu kanë fituar derbin e shqiptarëve me Empolin. Sakaq në Serinë A, Vajushi nuk ka luajtur asnjë minutë me Kievon, Lila ka hyrë në të 82’në ndeshjen Parma-Juventus 1-0, kurse Basha ka munguar për shkak të kartonit të kuq. 
Sigal