Rrëfehet Ylli Shehu: Partizani pranë titullit

593
Ylli Shehu, një nga sulmuesi më të fortë të Partizanit të viteve 1980-1990, kampion i Shqipërisë më 1987, por dhe pjesëtar i kombëtares shqiptare (mbahet mend për golin e shënuar ndaj Suedisë më 5 nëntor 1988), ka pranuar të bëjë analizën për skuadrën e kuqe në prag të kryesfidës së sotme ndaj Skënderbeut në Korçë. Sipas tij, apo dhe sipas rrëfimit që ai ka bërë për gazetën “Telegraf”, Partizani ka jo vetëm moralin më të lartë se Skënderbeu, që është katër herë radhazi kampion i Shqipërisë, por etjen për të marrë titullin kampion pas 22 vjetësh mungesë. Portieri Hoxha dhe mbrojtja e fortë janë armët që duket se të kuqtë e Duros do të mundin Skënderbeun sot. Pa harruar këtu dhe faktin që korçarët janë dhe të lodhur nga ndeshja e mesjavës në Kupë ndaj Kukësit, apo dhe të rënë moralisht. Megjithatë për Shehun me përjashtim të Tiranës, si Partizani, ashtu dhe Kukësi e Skënderbeu janë pranë titullit kampion. Vlerëson skemën me dhjetë ekipe, por do të donte që skuadrat e fundit, siç ishte në këtë rast Apolonia dhe Elbasani, të mos dilnin kaq shpejt nga lufta për mbijetesë. Ja dhe intervista e tij për Gazetën “Telegraf”.
– Pse duhet cilësuar si kryesfida e javës përballja e sotme Skënderbeu – Partizani?
– Sepse këto janë ndeshje, të cilat vendosin shumë në ecurinë e luftës për titull kampion. Dhe unë kam bindjen se kjo ndeshje në një farë mënyre do t’i japi rrugë skuadrës që do të jetë më pranë titullit. Është për mua Partizani, i cili edhe duke mos i qenë i angazhuar në Kupën e Shqipërisë, por tashmë i përqendruar tek kampionati, i ka të gjitha shanset të jetë kampione. Aq më shumë që është i etur për këtë trofe.
– A e zgjidh kjo ndeshje trofeun e kampionit, kur në fakt ka ende garë kampionati?
– Unë them që po madje në një përqindje shumë të madhe, sepse është një përballje ndaj një kundërshtari që ka vlera, të cilit marrja e pikëve i kushton shumë. Aq më shumë që Skënderbeu ka dhe mungesa, ndërsa Partizani në të gjitha anët është shumë më i përgatitur, qoftë dhe moralisht, për të marrë gjithçka në këtë ndeshje.
– Pse duhet të fitojë Partizani në Korçë?
– Për të shlyer të gjitha gabimet që ka bërë rrugës gjatë këtij sezoni, apo dhe në kampionate të tjera. Për kënaqësinë e tifozëve, që unë jam i bindur se do të jenë të shumtë që do ta ndjekin në Korçë.
– Në fazën e dytë, Skënderbeu ka fituar 3-0. Çfarë duhet të bëjë Partizani për të qenë krejtësisht ndryshe?
– E para të jeni të bindur që nuk ka për t’u përsëritur më kjo gjë. Partizani duhet të bëjë lojën e vet të paktën për 75 minuta, duke qenë i fortë në mbrojtje dhe i shpejtë në kundërsulm. Dhe më pas të gjejë mënyrën që të godasë, aq më shumë që Skënderbeu do të mund të jetë dhe i lodhur, sepse vjen nga një ndeshje me Kukësin në mesin e javës në kuadrin e Kupës. Janë të gjitha shanset që Partizani të dalë me kokën lart nga Korça siç e ka pasur traditë ngahera.
– Çfarë ka më tepër Partizani se Skënderbeu për këtë ndeshje?
– Për mua moralin. Mos harroni, ashtu sikurse e përmendëm dhe më sipër, Skënderbeu vjen nga një humbje ndaj një rivali direkt si Kukësi. Është e dyzuar si në kupë, ashtu dhe në kampionat, ndërsa i kërkon të dy trofetë. Por mbi të gjitha ka mungesa. Kurse Partizani edhe në krahasim nga të tjerët është me formacion më të plotë.
– Pikat e forta të Partizanit në krahasim me korçarët?
– Mbi të gjitha portieri Hoxha, pastaj mbrojtja e fortë dhe mesfusha, kurse sulmi gjithnjë ka pasur dhe luhatje. E me të gjitha këto armë, Partizani ia del në Korçë.
– Le të kthehemi pak tek karriera jote, kë mbani mend duelin më emocionues?
– Të them të drejtën nuk kemi pasur shumë, sepse Skënderbeu asokohe jo vetëm që ka qenë skuadër e butë, por mbi të gjitha herë ishte në të parën e herë dilte. Një skuadër që ka pasur dëshirë, por që gjithnjë kemi dalë ne fitues. Duke mbetur në sfidën e sotme, mendoj që Partizani këtë në Korçë ka të vështirë, sepse pastaj të tre rivalët e tjerë për titull do t’i presë në Tiranë.
– Një vlerësim për skuadrat pretendente për titull kampion?
– Tirana për mua është larg luftës titull, sepse edhe duke qenë se ka barazuar në mesjavë me Laçin në Kupën e Shqipërisë është me moralin e ulur. Kukësi ka synimin jo vetëm titullin kampion, por dhe Kupën e Shqipërisë, dhe duhet të ketë kujdes sepse një rrëshqitje këmbe kushton shumë. Po kështu dhe Skënderbeu, që ashtu sikurse kuksianët, është dhe në Kupë, edhe në kampionat.
– Çfarë note do t’i vinit kampionatit, a është vërtetë një garë emocionuese?
– Sigurisht që është garë emocionuese. Por nëse Elbasani dhe Apolonia nuk do të kishin dalë shumë shpejt jashtë gare, kuptohet pse ka ndodhur, pasi të dyja janë skuadra Bashkish, atëherë gara do të ishte më e fortë. Megjithatë edhe kështu, me katër skuadra që luftojnë për titullin kampion, gjithçka është OK.
– Së fundi a është i përshtatshëm sistemi me dhjetë skuadra me katër faza në vendin tonë?
– Unë e kam provuar dhe vetë kur kam luajtur në Kroaci. Është sistem shumë i vlefshëm për sa kohë nuk ka lëshime, apo pazare. Apo dhe për sa kohë skuadrat nuk dalin shpejt nga lufta. Gjithsesi mendoj se është sistem i vlefshëm për Shqipërinë…
Kategoria Superiore
Java e 30-të (12-13 prill 2015)
Apolonia – Flamurtari 2-1
Teuta – Elbasani 1-0
Tirana – Vllaznia 2-1
Kukësi – Laçi (sot, ora 15:00)
Skënderbeu – Partizani (sot, ora 18:00)
Renditja
Skuadra N F B H Golaverazhi P
Kukësi 29 19 4 6 47-20 61
Skënderbeu 29 18 6 5 43-14 60
Tirana 30 18 6 6 39-20 60
Partizani 29 18 5 6 31-16 59
Laçi 29 15 8 6 36-16 53
Flamurtari 30 9 7 14 24-28 34
Vllaznia 30 11 3 16 25-33 33
Teuta 30 8 2 20 26-44 26
Apolonia 30 5 4 21 11-47 19
Elbasani 30 4 1 25 15-59 13
Gentian Muça shpëton nderin e Tiranës
Tirana ka fituar me vështirësi ndaj Vllaznisë, e cila në pjesën e parë ka arritur të kalojë në avantazh me anë të Çinarit në të 34’. Në pjesën e dytë dygolëshi i Gentian Muçës, në të 61’dhe në të 76’, i ka dhënë një tripikësh me vlerë bardhebluve, të cilët janë ngjitur në kuotën 60 pikëve dhe ndodhen në vendin e tretë. Duhet theksuar se Vllaznia e ka mbyllur ndeshjen me dhjetë futbollistë, teksa në të 59’ka dalë me karton të kuq Beqiri.
Deklaruan pas ndeshjes
G.Magani (Trajneri i Tiranës) – “Dy ishin faktorët që ne nuk shfaqëm formën tonë më të mirë. I pari ka të bëjë me ndeshjen e mesjavës ndaj Laçit, ku ne shpenzuam shumë energji dhe kishim vetëm 3 ditë kohë për ta përgatitur këtë sfidë dhe e dyta ka të bëjë me faktin se nga tani e deri në fund të sezonit kemi presionin për të mos gabuar në asnjë ndeshje. Ndaj Vllaznisë zhvilluam një pjesë të parë për t’u harruar, ndërsa në pjesën e dytë e rritëm shumë nivelin e lojës tonë, këtu ndikuan edhe zëvendësimet që bëmë.Unë nuk mund të flas për kundërshtarët pasi mendoj vetëm për skuadrën time. Ne synojmë t’i fitojmë të dy trofetë dhe do të japim maksimumin si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Në kampionat janë në lojë edhe 18 pikë dhe kemi shanse për të mbërritur te titulli”.
L.Zmijani (Trajneri i Vllaznisë) – “E kam thënë dhe vazhdoj ta përsëris ne do të respektojmë të gjithë kundërshtarët kushdo qofshin ata, ne pavarësisht se kemi dalë nga objektivat do të japim maksimumin dhe do ta vlerësojmë maksimalisht kampionatin deri në fund. Dalja me karton të kuq e Beqirit, na i vështirësoi shumë punët, pas atij momenti na u desh të bënim zëvendësime dhe kjo gjë nuk ishte aspak e thjeshtë. Kartoni i kuq ndikoi shumë në humbjen që pësuam ndaj Tiranës”.
Teuta fiton me vështirësi ndaj Elbasanit
Teuta ka fituar me vështirësi ndaj Elbasanit, teksa në pjesën e dytë e ka zgjidhur ndeshjen Hyseni në të 74’. Ka qenë një ndeshje e luftuar, e cila ka pasur shumë kartonë të verdhë, ndërsa miqtë, edhe pse tashmë kanë dalë nga Kategoria, kanë luajtur për gjithçka në Durrës. Por në fund përsëri ka triumfuar Teuta, e cila ka arritur të shënojë me anë të Hysenit duke marrë një fitore të vyer.
Deklaruan pas ndeshjes
M.Dosti (Trajneri i Elbasanit) – “Të jemi realistë u përpoqëm sidomos në pjesën e parë, pretendojmë edhe për një penallti që nuk na u dha. Me kalimin e ndeshjeve futbollistët po dorëzohen, por ne do të synojmë të japim maksimumin deri në fund. Ndaj Teutës mendoj se një pikë do ta kishim merituar. Në përfundim të sezonit do të diskutojmë me drejtuesit dhe do të marrim një vendim për të ardhmen”.
Apolonia shton shanset e mbijetesës
Apolonia, teksa ka fituar dje në Fier 2-1 me Flamurtarin, duket se i ka shtuar shanset e saj të mbijetesës. Në të 13’ për fierakët ka shënuar Ribaj, por pas pesë minutash ka barazuar Bregu. Dhe me rezultatin 1-1 të dyja skuadrat kanë shkuar në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë atëherë kur të gjithë po e mendonin ndeshjen në barazim, Fili i ka dhënë shansin artë Apolonisë për të menduar mbijetesën
Deklaruan pas ndeshjes
A.Mërgjyshi (Trajneri i Apolonisë) – “Jemi në një seri pozitive të lojërave, por sot arritëm një fitore që na mban shpresat gjallë. Tani i kemi të gjitha mundësitë për të kërkuar mbijetesën. Ka qenë një ndeshje shumë e tensionuar dhe kjo shpjegon faktin që shpërdoruam shumë. E përgëzoj skuadrën për karakterin e treguar. Kishim shumë mundësi, por fitoi skuadra që e meritoi më shumë. Kemi mungesa të mëdha duke pasur parasysh që në stol kishim 3 lojtarë nga të rinjtë. E rëndësishme është që të punojmë në kushte optimale dhe të ketë seriozitet. E kemi treguar se jemi një skuadër dinjitoze dhe shpresoj që të qëndrojmë në superligë”.
Sigal