Në prag të ndeshjes, nga Skënderbeu largohet një lojtar! Gvozdenovic: Vllaznia në krizë? Mbase për pikët

42
Sigal

Skënderbeu dhe Vllaznia luajnë nesër në 17:00 për javën e nëntë në Superligë. Në stadiumin e Korçës pritet një sfidë e luftuar, me trajnerin Ivan Gvozdenovic që ka thënë se bardhekuqtë e tij kërkojnë tri pikët.

Përpara ndeshjes, Skënderbeu ka mbetur edhe pa sulmuesin Franklin Ahanonu, që është larguar nga ekipi. Mungesë e sigurt do jetë edhe ajo e Rei Pecanit që ka dëmtim muskular.

“Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe duam maksimumin. Vllaznia është një skuadër e fortë fizikisht, luan mirë në ajër, ka një tranzicion pozitiv të mirë. Unë kërkoj nga skuadra përqëndrim nga minuta e parë dhe deri tek e fundit dhe do të bëjmë presing lart”, tha serbi.

Më pas Ivan Gvozdenovic foli edhe për mungesën e Pecanit dhe rikthmin e Nikaj.

“Do na mungojë Pecani që ka një problem muskular, ndërsa Nikaj do të jetë gati për nesër. Vllaznia në krizë? Ajo mund të jetë në krizë vetëm për pikët, por sa e kam parë unë në dy ndeshjet e fundit ndaj Dinamos dhe Tiranës, nuk ka punë krize sepse luajnë mirë në fushë. Por ne shohim vetëm veten tonë dhe duhet të futemi në fushë për të fituar“, tha Gvozdenovic.

Pas tetë javësh, Skënderbeu me dymbëdhjetë pikë pozicionohet në vendin e pestë, teksa me nëntë pikë Vllaznia qëndron në pozitën e shtatë.