Naxhi Shensoj: “Diferencat mes futbollit turk dhe atij shqiptar”

514
Sigal

Flet ish-trajneri i Bylisit që, jeton prej shumë vitesh në Turqi. “E quaj të mbyllur aventurën e Kukësit”

Ish-trajneri simpatik i Bylisit, Naxhi Shensoj, njeriu që e çoi për herë të parë në finalen e Kupës së Shqipërisë (2013) skuadrën modeste ballshiote, jeton prej shumë vitesh në Stamboll, në Turqi. Ai është padyshim njeriu i duhur, për të folur në prag të sfidës së kthimit midis Trabzonsporit dhe Kukësit, të vlefshme për fazën “play-off” të Ligës së Europës. Si një njohës shumë i mirë i futbollit turk dhe atij shqiptar, Shensoj tha gjatë një interviste për gazetën “Telegraf” se, baza e suksesit të futbollit turk janë investime në infrastrukturë dhe strategjia e qartë e klubeve, që nis qysh nga futbolli i moshave.

 – Zoti Shensoj, si do ta konsideronit fushatën ndërkombëtare të ekipeve shqiptare në Europë?

– Së pari, falënderoj gazetën “Telegraf”, për mundësinë për të dhënë opinionin tim për futbollin shqiptar dhe atij turk. Në lidhje me paraqitjet e ekipeve shqiptarë në arenën europiane në këtë edicion, përveç Laçit, që bërë një prezantim negativ dhe nuk e përfaqësoi Shqipërinë ashtu si duhet, duke u eliminuar qysh në turin e parë nga një skuadër anonime nga Luksemburgu, Diferdanzhi, Skënderbeu, dhe sidomos Kukësi, meritojnë komplimente dhe lavdi. Mos harroni se, skuadrat të cilat u eliminuan nga Skënderbeu dhe Kukësi janë me buxhete financiare shumë të mëdha.

– Ju jetoni prej shumë vitesh në Turqi, duke drejtuar disa klube atje. Jeni një njohës i mirë i futbollit turk, por dhe atij shqiptar, pasi këtu keni drejtuar dy herë Bylisin. Si do ta vlerësonit futbollit turk?

– Turqia investon shuma të mëdha financiare në futboll, në të gjitha aspektet. Janë në vendin e 6-të në Europë, por përsa u përket suksesit të rikthimeve të investimeve janë në vendin e 16-të më Europë.

– Sipas jush, çfarë i mungon futbollit shqiptar?

– Në futbollin shqiptar duhet më tepër investime për infrastrukturën e futbollit dhe ka nevojë për më tepër investime për komplekset sportive. Po shikoni, se Kukësi si klub nuk ka stadium të licencuar nga UEFA dhe i është i detyruar t’i luajë ndeshjet në “Qemal Stafa”, pra në Tiranë. Shteti duhet të ndërhyje me investime në sport. Unë mendoj se, këto investime pë për një kohë të shkurtër mund të kthehen në një reklamë të mirë të turizmit të Shqipërisë, një fushë me perspektivë të madhe dhe me përfitim të drejtpërdrejtë.

– Të enjten, do të luhet ndeshja e kthimit midis Trabzonsporit dhe Kukësit. Në ndeshjen e parë, në Tiranë, Kukësi humbi 2-0. Çfarë mund të ofrojë sfida në Trabzon?

– Trabzonspori, ashtu siç e konstatuan të gjithë në ndeshjen e parë, është një skuadër me eksperiencë më të madhe se Kukësi. Unë mendoj se përvoja e ekipit turk ishte dhe faktori vendimtar në ndeshjen e parë në Tiranë. Me siguri, këtë përparësi Trabzoni do ta shfrytëzojë edhe në ndeshjen e kthimit dhe me siguri ka me eliminuar Kukësin. Por, unë dua ta komplimentoj skuadrën kuksiane për sukseset që ka arritur deri tani. Të jesh debutues në Europë dhe të kalosh tre ture nuk mund ta nënvlerësosh dot. Ky është një shpërblim edhe i investimeve dhe vizionit të presidentit Safet Gjici, trajnerit Armando Cungu dhe drejtorit sportiv Sulejman Starovës.

– Zoti Shensoj, ju keni një karrierë të gjatë si trajner dhe specialist futbolli. Për lexuesit e gazetës “Telegraf”, a mund të na jepni më shumë informacione.

 – Deri tani kam punuar në gjashtë shtete të ndryshme. Në Turqi, kam qenë ndihmësi i trajnerit të famshëm jugosllav, Todor Vesiloniviç, te Fenerbahçe. Më pas kam punuar si trajner kryesor i Istambulsporit. Kam punuar tri herë në Azerbajxhan me klubin Turan. Në Bullgari kam drejtuar pesë klube: Belasicën, Vihrenin, Pirinin, Sllavian dhe Lokomotivën e Plovdivit. Në Serbi kam drejtuar BSK Borça, ndërsa në Arabinë Saudite kam qenë trajner i klubit Najran. Dy vitet e fundit kam drejtuar në Shqipëri, Bylisin.

– Cilat janë arritjet e tua më të mëdha?

– Këtë vit dolëm në finalen e Kupës së Shqipërisë, kur humbëm në minutat e fundit me Laçin, edhe pse bëmë një paraqitje shumë të mirë. Mos harroni se, ne eliminuam në gjysmëfinale Skënderbeun, kampionin e vendit. Edhe në Bullgari, në sezonin 2009-2010, kam dalë në finalen e Kupës së Bullgarisë, me Pirinin, e cili tani nuk është në Superligën e Bullgarisë.

– A keni pasur ndonjë ofertë nga ndonjë përfaqësuese?

– Po, kam pasur disa herë oferta për të drejtuar Kombëtaren e Azerbajxhanit, por për disa arsye nuk është konkretizuar kjo mundësi. Jam trajneri i parë në Turqi, që ka fituar titullin dhe licencën “UEFA-PRO”, në vitin 2007.

  Trajner në gjashtë shtete të ndryshme

 Shensoj ka një karrierë të gjatë si trajner, madje ai mund të jetë shqiptari i vetëm që ka drejtuar klube në gjashtë shtete të ndryshme: Shqipëri, Turqi, Serbi, Arabinë Saudite, Azerbajxhan dhe Bullgari. I diplomuar për Ekonomi dhe zotërues i gjashtë gjuhëve ai është trajneri i parë që ka marrë licencën “UEFA PRO” (2007) në Turqi, ndërkohë që në të kaluarën i është bërë ofertë edhe për të drejtuar Kombëtare e futbollit të Azerbajxhanit.

Në Shqipëri, gjatë drejtimit të Bylisit ka qenë shumë impulsiv në bankinë, ndërkohë që ka qenë i kërkuar shpesh nga mediat. Gjithsesi, ajo që u ka bërë jo pak të famshëm janë dhe batutat e tij pikante.